“Vendi është kanabizuar me qëllim”, çfarë thotë Adi Krasta për rastin e ish-ministrit Tahiri

Shqipëria

“Vendi është kanabizuar me qëllim”, çfarë thotë Adi Krasta për rastin e ish-ministrit Tahiri

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 22:01
Pamje nga intervista

Moderatori i njohur Adi Krasta ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në “News24”, Krasta thotë se për të nuk ka një “ngjarje Tahiri”, pasi sipas tij përgjegjësia për këtë “skandal të madh kombëtar” është i të gjithëve.

Ai tha se tashmë është konfirmuar nga të gjitha burimet e mundshme, se territori i vendit është kanabizuar me qëllim.

Pjesë nga intervista

Pse thoni që nuk ka shpresë?
Në këtë vend nuk ka shpresë, ëndrra është konsideruar një gënjeshtër e madhe. Nëse do kisha mundësi të drejtoja këtë vend, do kisha patur prioritetet e mia. Por lufta e shkatërron një vend, kanabisi e shkatërron vendin po kështu. Mbjellja e kanabisit bën që fëmijët tanë të pinë hashash në oborret e shkollave. Kanabisi nuk sjell rritje rrogash, pensionesh. kryeministri dhe ministrat nga ana tjetër kanë të drejtë në deklaratat e tyre. Kjo nuk është personale. Secili nga ne ka të drejtën të luftojë për të vërtetën që njeh.

Çfarë mendimi keni për çështjen Tahiri?
Unë nuk e kam parë këtë si çështja Tahiri, por e kam parë si një ngjarje të madhe, një ngjarje të kanabizimit të vendit. Një vendim të madh që është marrë diku, dikur, që të mbillet kanabis. Ajo që ne shohim është territori i këtij vendi, tashmë e konfirmuar nga të gjitha burimet e mundshme, se është kanabizuar me qëllim, nuk mund të jetë vepër e një njeriu të vetëm. Duhet të mbajnë përgjegjësinë të gjithë.

Mendon se Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, është fajtor? Referuar përgjimeve të autoriteteve italiane, patentave të sekuestruara.
Në mënyrë absolute do më vinte turp që të mbërrija unë në një konkluzion. Këto janë elementë të hetimit, dhe nuk mund të mbërrihet në konkluzione kafenesh.

Nuk ka shumë koincidenca kjo histori?
Gjithmonë kur insistohet, qëllimi i gazetarit është i mirëqenë. Dhe ti po insiston. Kjo është tema më e madhe, më e nxehtë, ky është një skandal i madh kombëtar. Sot po përmende shqiptarin nëpër botë të trajtojnë si një person që mbjell kanabis në ballkon. Njerëzit që kanë në dorë fatet e vendit i çojnë këto vende drejt realizimeve të mëdha, apo drejt dështimeve.

Marrëdhëniet e tua me kryeministrin…
Marrëdhëniet me kryeministrin i kam siç i kam patur tërë jetën.

Keni qenë mbështetës i tij…
Unë jam shprehur pro ambasadorëve që kërkojnë rotacionin, por kam shtuar se unë jam kundër çdo qeverie, do jem edhe kundër qeverisë që do vijë. Mua më pëlqen të jem kundër strukturave arrogante. Unë mbështes gjithmonë opozitën, këtë e kam pa dilemë. Mua qeveritë nuk më pëlqejnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat