Buxheti 2018, Ahmetaj mbron koncesionet

Shqipëria

Buxheti 2018, Ahmetaj mbron koncesionet

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 14:09
Ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj

Ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në seancën parlamentare ku është prezantuar buxheti i vitit 2018 i ka cilësuar një farsë shqetësimet e opozitës për koncesionet.

 Në fjalën e tij, Ahmetaj ka nënvizuar se aktualisht janë 213 kontrata koncesionare aktive, nga të cilat 178 janë bërë para vitit 2013 nga qeveria e PD.

“178 koncesione janë bërë nga PD, nga të cilat 98 për qind janë oferta të pakërkuara, që do të thotë kur biznesi sjell ofertën dhe hyn në procedurë”, ka thënë Ahmetaj.

Sipas tij, vetëm në periudhën maj 2013-9 shtator 2013 janë bërë 45 koncesione, në kohën kur qeveria Berisha II ishte në ikje.

“Ndërkohë që ju ishit duke ikur nga pushteti keni firmosur 45 koncesione. Vetëm një ministër i qeverisë Berisha II, në maj 2013 ka firmosur 4 koncesione, në qershor ka firmosur 3 dhe në gusht 2013 kur ishit duke ikur ai ka dalë ditën e diel dhe ka firmosur kontratën e koncesionit”, ka thënë Ahmetaj.

Duke nënvizuar se vetëm 22 koncesione janë firmosur nga qeveria e shkuar 2 ditë para se të largohej, Ahmetaj ka theksuar se kostoja e tyre ka rënë në kurriz të qytetarëve.

“40 euro për deklaratë. Ishte taksë e re dhe këtë e di gjithë biznesi, i madh e i vogël. Kolaudimi i makinave, rreshti u rrit, kostoja u rrit. Edhe për hidrocentralin e Devollit, 50 milionë euro ishte rruga që do ta ndërtonte buxheti i shtetit”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa koncesionet e qeverisë Rama, ka vijuar ai, janë ndryshe pasi paguhen nga buxheti i shtetit. “Për dializën nuk paguan qytetari. Po për check up-in? Sa është kostoja? Është 1.537 lekë, që i kushton buxhetit të shtetit, pasi është një kontroll parandalues që qytetarët e bëjnë falas. Kemi liruar qytetarin nga ngarkesa në kurriz të buxhetit të shtetit”, ka vijuar Ahmetaj.

Më tej ministri ka publikuar shifrat e koncesioneve të bëra nga ministrat e qeverive përkatëse, që sipas tij janë: Genc Ruli 37, Florion Mima 38, Edmond Haxhinasto 19, Erion Veliaj 1, Ilir Beqja 4, Ridvan Bode 3, Sokol Dervishaj 2, Sokol Olldashi 6, Damian Gjiknuri 8.

“Jeni kampionë me 178 koncesione dhe flisni për të vafërit! Ju tatonit të punësuarit që fitojnë, ne nuk i tatojmë”, ka thënë Ahmetaj, raporton TCH.

Sa për taksën e pronës, ai ka sqaruar se qytetarët në nevojë e që janë pensionistë të vetëm lirohen nga kjo taksë. “Në Bashkinë e Tiranës janë 60 mijë familje që përfitojnë nga kjo taksë. Politika fiskale për “5 yjet” janë të gjitha skema të reja, ato që do të vinë janë marka”, ka shtuar Ahmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat