Basha me zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë: Qeveria e paralizuar nga krimi dhe korrupsioni - Bota Sot
Basha me zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë: Qeveria e paralizuar nga krimi dhe korrupsioni

Shqipëria

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Basha me zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë: Qeveria e paralizuar nga krimi dhe korrupsioni

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 13:45
Pamje nga takimi

Në takimin me Zëvendësministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi qeverinë si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj më trafikun ndërkombëtar të drogës.

Kreu i opozitës i tha zëvendësministrit të Jashtëm austriak se nga  kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë si ndërtimi dhe projektet PPP.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.

 “Bashkimi Europian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”- tha Kryetari Basha.

Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.

Partia Demokratike beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.

Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, e falenderoi Zv/ministrin e Jashtëm Linhart për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin europian të Ballkanit. Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe Zv. Ministri i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test