Rama paralajmëron bizneset: Në janar do goditet kushdo që fsheh pagat dhe të ardhurat

Shqipëria

Rama paralajmëron bizneset: Në janar do goditet kushdo që fsheh pagat dhe të ardhurat

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 17:31
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar hapur të gjitha bizneset që paguajnë formalisht punonjësit në nivelin e pagës minimale, se do të ndëshkohen fuqimisht nga ligji.

“Janë identifikuar afërsisht 42 mijë të punësuar të deklaruar me pagë minimale deri në 30 000 leke dhe vetëm 7 për qind prej tyre me pagë më të madhe se 130 mijë lekë. Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme, por edhe e dënueshme për kompanitë që u hanë pensionin punëtorëve dhe shmangin detyrimet ndaj arkës së shtetit. Qeveria nuk do ta lejojë këtë situatë.”

Në “komunikimin e javës” kreu i qeverisë deklaroi se tradita e atyre sipërmarrjeve që punojnë me dy bilance (njërin për shtetin e tjetrin, atë realin për bankat) do të marrin gjithashtu nj goditje të fortë ligjore.

“Bilancet në banka duhet të jenë të përputhura me bilancet në tatime”, tha kryeministri në komunikimin e tij javor me ndjekësit në rrjetet sociale.  Ai paralajmëroi një fushatë e re “për ata që janë mësuar t’ia hedhin shtetit.”

Paralajmërimi i Ramës për kompanitë vjen një muaj e gjysëm përpara se të nisë aksioni kundër informalitetit. Kryeministri është shprehur se kanë kohë për t’u vetërregulluar në këto javë të mbetura, pasi në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më.  “Kështu nuk mund të vazhdohet më, dhe ne jemi të vendosur që kështu të mos vazhdohet më.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat