Ekzekutimi i çiftit Kosta, djali: Ju tregoj tmerrin e atij mëngjesi, pasi vrau prindërit ai…

Shqipëria

Ekzekutimi i çiftit Kosta, djali: Ju tregoj tmerrin e atij mëngjesi, pasi vrau prindërit ai…

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 18:28
Afërdita dhe Aleko Kosta

Vrasja e çiftit Kosta në Gjirokastër orët e para të datës 25 tetor, për herë të parë rrëfehet nga djali 19-vjeçar i Afërdita dhe Aleko Kosta. Hari Kosta, vazhdon të jetë i traumatizuar për atë çfarë përjetoi, ndërsa thotë se ka dëshirë të ecë përpara pa asnjë problem. Studenti në vitin e dytë për infermieri në Universitetin e Gjirokastrës, për herë të parë rrëfen për Dritare.net, çfarë ndodhi mëngjesin fatal të mërkurës. Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë. Kur ishte ende 6 vjeç, prindërit e tij divorcohen dhe babai largohet për në Greqi, e krijon një familje të re.

“Mbaj mend që në fillim e përjetova keq, por duke qenë se isha shumë i vogël, nuk kuptoja shumë se çka po ndodhte. Me kalimin e kohës fillova ta ndjeja mungesën e babait, por unë isha me fat. Pasi mamaja ime, ishte vetë burrë e vetë grua dhe ajo më dha dyfish dashuri. Ajo ishte një heroinë, e unë asnjëherë nuk jam ndjerë i vetmuar. Babai pasi u divorcua nga mamaja, emigroi në Greqi, atje u njoh me një grua tjetër dhe krijoi një familje të re. Së fundmi ai ka ikur në Kanada dhe jeton atje. Unë nuk kisha shumë kontakte me tim atë, ai vinte e shumta 3 herë në vit. Kur isha 12 vjeç, fillova të flisja më tepër me të, nëpërmjet Facebook-ut,”-rrëfen Hari

Por, vite më pas, nuk do të ishte më vetëm Hari dhe Afërdita. Në jetën e tyre hyri edhe Aleko, për të cilin Hari thotë se i mësoi se çfarë do të thoshte të rriteshe me një figurë mashkullore në shtëpi. “Kur unë isha në klasë të nëntë, mamaja ime nisi një lidhje të re, e cila zgjati rreth 6 vjet. Ajo u njoh me Alekon gjatë festës së 7 Marsit dhe të dy e donin shumë njeri-tjetrin. Aleko kishte një martesë prej 35 vitesh me një grua, por kur u njoh me mamanë time, ishte në proces divorci. Në fillim, për mua ishte pak e çuditshme, por ai më pranoi si të isha fëmija i vetë. Për mua ai nuk ishte njerk, përkundrazi Aleko ishte si një baba. Që prej vitit 2012, ne jetonim të tre tek shtëpia e tij. Gjatë asaj kohe, edhe unë fillova të mësohesha me një figurë mashkullore në shtëpi. Më ka mësuar kaq shumë gjëra për jetën dhe mënyrën si unë duhet t’i shoh gjërat,” thotë Hari me një zë gati të mekur.

Dhe në mendje i vijnë kujtimet e asaj dite të tmerrshme.

“Apostoli i kërkoi Alekos që të shtynte pak murin, ai pranoi, por Apostoli në pabesi e shtyu më shumë. Gjatë kësaj kohe, Aleko ishte në Greqi dhe kur u kthye, nuk bëri asgjë, pasi donte të shmangte një sherr. Por, kjo gjë ishte e pamundur. Apostoli e hedh në gjyq, për t’iu njohur pronësia e murit. Ne fituam të dy gjyqet dhe më pas ishte procesi i përmbarimit. Duket se kjo gjë e tronditi Apostolin, ndaj dhe vendosi të kryejë krimin makabër. Ishte ora 7:30, unë isha duke fjetur. Aleko ishte jashtë duke pritur ardhjen e qumështit, kurse mamaja ishte në haur. Apostoli përfitoi që dera ishte hapur dhe unë dëgjoj zërin e mamasë, e cila thoshte: çfarë do ti me armë.

Më pas zëri i saj u mbyt nga krisma e armës. Mendova se do kishte qëlluar në ajër, jo mbi nënën time. U fsheha pas murit dhe prej aty pashë tytën e kallashit e cila lëshonte plumbat, në drejtim të Alekos, i cili sapo hyri në shtëpi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pasi vrau Alekon dhe mamanë time, Apostoli po më kërkonte mua, donte të më vriste. Duke qenë se nuk më gjeti dot, hoqi siguresën e granatës dhe hodhi benzinë. Nuk është e vërtetë ajo çka u shkrua në portale, sikur ai më kishte takuar dhe më tha që nuk kishte asgjë me mua. Ai erdhi me mendje të kthjellët, që të na asgjësonte të gjithëve dhe të digjte shtëpinë, kishte një gjakftohtësi të frikshme. Fatmirësisht granatat nuk shpërthyen, e vetmja gjë që mendova në ato momente ishte të merrja policinë e gjyshërit e mi. Më pas po kërkoja mamanë, mendova mos ishte fshehur gjëkundi. Vetëm kur shkova në haur dhe pashë trupin e saj të mbuluar me gjak. Për një moment ngriva, nuk bëja dot asnjë lëvizje.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat