Testimi, kushtet kur punonjësit largohen nga puna

Shqipëria

Testimi, kushtet kur punonjësit largohen nga puna

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 08:07
Edi Rama

Sistemi i vlerësimit të punonjësve të administratës publike bazohet në testimin me shkrim, i cili ka 70 pikë si dhe në intervistën me gojë, e cila ka 30 pikë.

Testimi realizohet nga një komision, i cili përbëhet nga pesë anëtarë, dy ekspertë të fushës, një përfaqësues nga DAP-i, një përfaqësues nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe një anëtar nga Trupa e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues. Për vlerësimin e rezultateve për secilin punonjës, secili prej anëtarëve jep pikët e tij.

Në përfundim, pikët mblidhen dhe më pas nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit. Komisioni brenda 2 ditëve nga përfundimi i procedurës së vlerësimit, duhet të shpallë rezultatet. Punonjësi që merr 90 - 100 pikë vlerësohet me “shumë mirë”, 70 - 89 pikë “mirë”, 51 - 69 pikë “kënaqshëm” dhe 0 - 50 pikë “jo kënaqshëm”.

Kush ndëshkohet 

Punonjësit që kanë marrë më pak se 50 pikë në testim, pra që janë vlerësuar “jokënaqshëm”, konsiderohen jo të përshtatshëm për pozicionin e punës ku janë caktuar. Atyre do t’u jepet edhe një mundësi për t’u rikthyer në vendin e punës. Ata mund të ndjekin trajnimin pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë. Këta punonjës të vlerësuar “jokënaqshëm”, në procedurën e parë të vlerësimit, i nënshtrohen një periudhe vlerësimi 3-mujore, nga eprori direkt, si dhe procedurës së trajnimit për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë, pranë ASPA-s.

Në varësi të kategorive/grupeve, ASPA, në bashkëpunim dhe bazuar në rekomandimet e DAP-it, harton programet e trajnimit për nëpunësit e vlerësuar “jokënaqshëm” në përfundim të procedurës së testimit. Punonjësit që janë vlerësohen “jokënaqshëm” konsiderohen se nuk e kanë kaluar testimin. Në përfundim të procedurave , bazuar në rezultatet e testimit të realizuar nga komisioni i vlerësimit dhe në rezultatet e vlerësimit 3-mujor, eprori direkt vendos përshtatshmërinë ose jopërshtatshmërinë e nëpunësit civil në pozicionin e punës.

Si bëhet vlerësimi

Testimi i dytë i punonjësve që janë konsideruar jo të përshtatshëm dhe që i janë nënshtruar trajnimit, bëhet sipas vendimit për vlerësimin e rezultateve në punë. Vlerësimi i rezultateve në punë ka të bëjë me vlerësimin e realizimit të objektivave dhe vlerësimin e sjelljes profesionale. Vlerësimi i sjelljes profesionale ka të bëjë me vlerësimin e gabimeve/saktësisë në punën e kryer, realizimin në kohë të punës, kolegjialitetin e marrëdhënieve, gatishmërinë për punë në grup dhe shpeshtësinë se orëve të punës jashtë orarit.

Kur punonjësi i kategorisë ekzekutive, të ulët ose të mesme drejtuese, kur nuk është dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë, ka të drejtë të kërkojë shqyrtim të vlerësimit nga sekretari i Përgjithshëm/pozicioni i barasvlershëm me të/titullari i institucionit. Zyrtari autorizues, brenda 5 (pesë) ditëve, shqyrton ankimin dhe bën vlerësimin përkatës, i cili shënohet dhe nënshkruhet nga ky i fundit në formularin e vlerësimit të rezultateve në punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat