Dalin dokumentet: Tahiri shkoi në Gjermani pas largimit të babait

Shqipëria

Dalin dokumentet: Tahiri shkoi në Gjermani pas largimit të babait

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 14:25
Saimir Tahiri

Gjatë kohës që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte në Gjermani për një vizitë që shkaktoi shumë debat në Shqipëri, disa media raportuan se ai kishte shkuar për shkak të sëmundjes së babait.

Por Top Channel raportoi se Tahiri fluturoi për në Hamburg dhe jo në Mynih, ku mendohet se u kurua babai i tij. Aq më tepër, sipas TCH, Tahiri udhëtoi disa ditë pasi babai i tij ishte kthyer në Shqipëri.

Spekulimet u shtuan pasi ish-kryeministri Sali Berisha tha se Tahiri kishte udhëtuar në Gjermani për të takuar avokatët e Habilajve.

Kurse të mërkurën, Lapsi.al zbardhi dokumentet e fluturimit të Tahirit dhe babait të tij.

Nga të dhënat në sistem del se Bashkim Tahiri, doli jashtë Shqipërisë në fund të muajit tetor, në datën 29 dhe u kthye në 3 nëntor dhe kjo duket qartë në të dhënat e regjistruara në sistem.

Ndërkohë, udhëtimi treditor i Saimir Tahirit është bërë dy javë më pas, në një periudhë kohe që nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrjen kirurgjikale të babait të tij.

Një tjetër detaj nga udhëtimi është se në rrugën drejt Gjermanisë, Tahiri shoqërohej me një ish-vartës të tij në Ministrinë e Brendshme.

Udhëtimi erdhi pas deklaratave të Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit se Tahiri nuk mund të udhëtojë jashtë vendit, sepse parlamenti ka votuar për bllokimin e lëvizjes së tij jashtë vendit.

Me arrestimin e Orest Sotës, me shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë për dënimin e “peshqve të mëdhenj” dhe me retorikën e re që po përdor Edi Rama, Saimir Tahiri ka arsye të jetë i shqetësuar.

Shqetësimin e konfirmoi Bashkim Fino në një takim me kryeministrin.

Gjatë bisedës së lirë që Rama pati me deputetët brenda në kryeministri, Fino tha se kishte folur me Tahirin dhe kishte vënë re se ai ishte i shqetësuar.

Rama iu përgjigj se: “Tahiri nuk ka pse shqetësohet, sepse gjithkujt mund t’i ndodhë të harrojë patentat diku”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat