Kokëdhima: Rama heq taksat për miqtë dhe skllavëron sipërmarrjen e vendit

Shqipëria

Kokëdhima: Rama heq taksat për miqtë dhe skllavëron sipërmarrjen e vendit

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 12:22
Kryetari i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima

Kryetari i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka reaguar sot pas dy raporteve të BB, dhe BERZH-it, që ngrenë alarmin mbi Shqipërinë, sa i takon klimës së biznesit.

Në deklaratën e ZGJIDHJE-s theksohet se kryeministri Rama mburret çdo ditë për një rritje ekonomike që nuk ekziston, del e promovon heqjen e taksave për miqtë e tij, ndërkohë që po asfikson e vret përditë sipërmarrjen e vendit.

ZGJIDHJA shton se  do të ketë si prioritet të saj reformat për përmirësimin e ambientit të biznesit në Shqipëri, duke përmbysur konjukturën dhe monopolet për të krijuar shanse të barabartë për të gjithë.

Deklarata e plotë 

Vdekja e butë e sipërmarrjes

Dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kanë dhënë së fundmi alarmin në raportet e tyre për Shqipërinë: Përmirësoni klimën e biznesit! Banka Botërore, madje e tha troç: Mos u merrni me gjërat e mëdha, rregulloni të voglat, pra përmirësoni ambientin ekonomik! Kryeministri mburret çdo ditë për një rritje ekonomike që nuk ekziston, del e promovon heqjen e taksave për miqtë e tij, ndërkohë që po asfikson e vret përditë sipërmarrjen e vendit të cilën e ka kthyer nënkontraktore të oligarkisë së oborrit të tij, sa për të mbajtur frymën gjallë. Ai ka rënduar barrën për të varfërit përmes taksës së pronës dhe uljes së pragut të TVSH-së. Një grup biznesesh pranë tij, po marrin të gjitha punët, kontratat dhe përfitimet. Qeverisja e sotme, po dekurajon e skllavëron gjithë sipërmarrjet e tjera.

Bizneset sot, që po detyrohen të paguajnë taksa gjithnjë e më të larta dhe vijojnë të jenë nën presionin e administratës tatimore që godet më të ndershmit, nuk po gjejnë rrugë tjetër veçse të tkurren dhe të frenojnë investimet. Mos harroni që çdo lek i painvestuar është një vend i mundshëm pune më pak, është më pak konsum në ekonomi, është rritje më e vogël. Por, kjo nuk i intereson aspak kryeministrit dhe miqve të tij, pasuritë e të cilëve shtohen me ritme marramendëse.

ZGJIDHJA do të ketë si prioritet të saj reformat për përmirësimin e ambientit të biznesit në Shqipëri. ZGJIDHJA do t’i japë fund një herë e mirë favorizimit të një grushti biznesesh dhe do t’u japë mundësi të gjithëve, do të përmbysë konjukturën dhe monopolet në ekonomi, do të krijojë shanse të barabartë për të gjithë dhe do të garantojë liritë ekonomike në vend. ZGJIDHJA do të promovojë konkurrencën e lirë e të ndershme dhe do të ulë barrën e taksave për bizneset dhe familjet. Vetëm ZGJIDHJA do të çlirojë energjitë krijuese dhe talentet e shqiptarëve, shpirtin krijues dhe aftësitë për punë të popullit tonë!

#ZgjidhjaPërSipërmarrjen

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat