“Dosja Habilaj”, pyetet në prokurori ish- zv.Ministrja Elona Gjebrea

Shqipëria

“Dosja Habilaj”, pyetet në prokurori ish- zv.Ministrja Elona Gjebrea

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 09:26
Elona Gjebrea

Ish-zv/ministria e Brendshme Elona Gjebrea është paraqitur ditën e djeshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ka dhënë deklarime lidhur me çështjen e udhëtimeve me makinën e Habilajve në Greqi.

Gjerbrea ka shkuar vetë në prokurori, në një kohë kur kjo e fundit nuk e kishte ftuar, dhe se gjatë qëndrimit për gati 1 orë e 30 minuta në ambjentet e kësaj prokurorie, Gjebrea, i ka dhënë përgjigje pyetjeve të njërit prej prokurorëve të kësaj çështjeje.

Lajmi për praninë e ish-zv/ministres së Brendshme Gjerbrea, njëherësh deputete e PS nuk është konfirmuar nga burimet e prokurorisë, por nga forcat e sigurisë së këtij institucioni. Një burim pranë forcës së sigurisë i tha “Shqiptarja.com” se Gjebrea ka qënë në mesditën e djeshme në prokurori, ndërkohë ka shtuar se hyrja e saj në këtë institucion është kryer nëpërmjet tunelit dhe po nga andej nga dalë sërisht. Ndërkohë asnjë nga anëtarët e grupit hetimor që po kryejnë verifikime për të dyshuarit në dosjen “Tahiri” nuk e kanë konfirmuar praninë e Elona Gjebreas në prokurori.

Por jo zyrtarisht prokurorët thonë se Gjebrea nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Ka shumë gjasa që Gjebrea të ketë treguar në prokurori se kush ishte denstinancioni i këtij udhëtimi dhe nëse kanë takuar shtetas të ndryshëm, dhe më konkretisht ndonjërin nga vllezërit Habilaj.

Udhëtimi me Audin e Habilajve

Emri i deputetes së Partisë Socialiste është përfshirë në dosjen e Prokurorisë për një episod të ndodhur në 8 gusht të vitit 2014 kur ajo ka udhëtuar bashkë me shefin e saj të asaj kohe, ministrin Saimir Tahiri me makinën “Audi A8” me targe AA 003 GB që ai ua kishte shitur Habilajve, por figuronte ende në emër të tij. Gjashtë ditë më pas (14 gusht 2014) po nga Saranda niset me makinën Audi A8 drejt Greqisë Artan Habilaj. Sipas dosjes që gjendet në Prokurori, më 16 gusht Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea, kthehen në Shqipëri nga Greqia, po nëpërmjet Sarandës, me “Audin A8” me targe AA 003 GB.

Po në të njëjtën ditë me traget kthehet nga Greqia edhe Artan Habilaj. Sipas të njëjtave burime Gjebrea është pyetur për këtë episod dhe nëse e njihte Artan Habilajn apo nëse ishte takuar me të. Në kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, prokuroria shkruante se Tahiri kishte udhëtuar 4 herë me makinën e tij pasi ua kishte shitur Habilajve, por ish-ministri deklaroi se kjo kishte ndodhur vetëm një here kur kishte shkuar me pushime me familjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat