105-vjetori i krijimit, zhvillim dhe modernizim për FA-në

Shqipëria

105-vjetori i krijimit, zhvillim dhe modernizim për FA-në

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 13:53
FA

Në 105-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, konfirmoi mbështetjen e palëkundur për zhvillimin dhe modernizimin e tyre.

Me rastin e 105-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta shprehu konsideratën më të lartë për përkushtimin dhe sakrificat e FA-së në shërbim të atdheut dhe interesave kombëtare.

“Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët e ushtarakëve tanë, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe mungesën e bijve, prindërve dhe bashkëshortëve të tyre. Në këtë përvjetor të shënuar historik ne kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga Mehmet Pash Derralla deri në ditët e sotme”, shprehet Presidenti.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti shprehu nderimin për heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit tonë.

105-Vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura na gjen sot anëtarë të NATO-s, ndaj kreu i shtetit shprehu një falënderim e mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare.

“Në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend. Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike”, u shpreh Presidenti.

Ky moment historik, sipas Metës, është nxitje për të inkurajuar Kuvendin e Shqipërisë, qeverinë dhe gjithë aktorët e tjerë në vend që të vlerësojnë dhe trajtojnë me kujdes në rritje ushtarakët shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama ka uruar Forcat e Armatosura nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ku shkruan se, “në këtë ditë që shënon edhe 105 vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u urojmë me mirënjohje për gjithçka kanë bërë, gjithnjë dhe edhe në këto ditë e netë sprove të madhe, vajzave e djemve, grave e burrave, të cilët i kanë dhënë lavdi e nder misionit atdhetar të ushtrisë sonë”.

Në 105-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka shprehur përmes një video-je në FB, mirënjohjen e saj ndaj burrave e grave që kanë sakrifikuar dhe vijojnë të sakrifikojnë për atdheun.

“Në 105-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura dua të përgëzoj dhe shpreh mirënjohjen e thellë për burrat dhe gratë nën uniformë që përgjatë një shekulli kanë sakrifikuar edhe jetën për atdhe”, shkruan Xhaçka. “Lavdi për ata që i krijuan Forcat e Armatosura të Shqipërisë!

Lavdi për dëshmorët e atdheut! Respekt për ata që kanë ngritur e ngrenë lart flamurin kuqezi nëpër misionet e NATO-s anekënd globit!  Krenare, vijon ajo, për përkushtimin dhe sakrificën e mijëra trimave që gjenden pranë komunitetit sa herë është e nevojshme, ashtu siç po bëjnë dhe këto ditë të vështira për zonat e përmbytura. #105VjetFA”, shkruan Xhaçka në FB.

Forcat e Armatosura u krijuan në 4 Dhjetorë të 1912-ës pak ditë pas krijimit të Shtetit të parë Shqiptarë në Vlorë. Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti Sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj nga tundimet e huaja (të shpeshta për shekullin e shkuar). Sot FA-të kanë një mision edhe më të madh, me tipar global. Të qenit pjesë e NATO-s i ka dhënë FA-ve mundësinë për të shtrirë misionin e tyre në disa vende të botës, si Afganistan..etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat