Zonat e përmbytura po i kthehen normalitetit

Shqipëria

Zonat e përmbytura po i kthehen normalitetit

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 23:18
Përmbytjet në Shqipëri

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë kryeministrit të Shqipërisë, bëri të ditur sot në mbrëmje se moti në vend ka ardhur drejt përmirësimit dhe ekipet janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor largimin e ujërave dhe mbetjeve nga banesat, duke mundësuar kthimin e rreth 80% të familjeve të evakuuara në shtëpitë e tyre.

“Moti në vendin tonë ka ardhur drejt përmirësimit. Prurjet nga Vjosa kanë rënë nën nivelin kritik dhe lumi është kthyer në shtratin e tij. Si rrjedhojë e investimeve në kanalet kulluese dhe mirëfunksionimit të hidrovoreve, uji është tërhequr me shpejtësi nga zonat e përmbytura”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se ka vijuar puna për ngritjen e argjinaturës së re në Darëzezë dhe ka përfunduar në kohë rekord prej vetëm 18 orësh, kryesisht gjatë natës, ndërtimi i urës së prishur.

“Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, të cilat kërkojnë ndërhyrje afatgjatë. Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Janë marrë masat që mësimi nesër të rifillojë edhe në 13 shkolla të tjera, nga 28 që nuk u hapën sot.  Ka filluar shpërndarja e ndihmave dhe inventarizimi i plotë e transparent i dëmeve për kompensimin e tyre. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë në ndihmë të qytetarëve të prekur dhe në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave”, thuhet në deklaratën e KKECK-ut.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore e private që janë angazhuar në operacionet në terren për përballimin e situatës, si dhe vlerëson ndihmat dhe gatishmërinë e fqinjëve, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve për përballimin e gjendjes dhe riparimin e dëmeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat