Mbaron mandati i Llallës, PS nis puçin në kuvend për kryeprokurorin - Bota Sot
Mbaron mandati i Llallës, PS nis puçin në kuvend për kryeprokurorin

Shqipëria

E diel, 17 dhjetor 2017

Mbaron mandati i Llallës, PS nis puçin në kuvend për kryeprokurorin

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 07:55
Adriatik Llalla

Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të nisë sot procedurat për zëvendësimin e prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilit po sot i mbaron mandati 5-vjeçar në detyrë. Shumica ka deklaruar se do të zgjedhë një prokuror të përkohshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërsa opozita e ka kundërshtuar duke akuzuar maxhorancën se do të vendosë një kryeprokuror që të mbyllë dosjet e krimit. Drejtoria për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura në Kuvend, në një memo drejtuar Komisionit të Ligjeve, bën të ditur se Adriatik Llallës i përfundon mandati në 7 dhjetor. Drejtoria e Monitorimit shprehet dakord me zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, por saktëson se për zgjedhjen e tij duhet shumicë e cilësuar prej 84 votash. Për plotësimin e këtij numri votash, maxhorancës do t’i duhen edhe deputetë të tjerë veç atyre të PS-së. Sot Komisioni i Ligjeve do të nisë procedurën për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Procedura ligjore që parashikohet për përzgjedhjen e zëvendësuesit të prokurorit në largim në rastin kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur ende.

Në dispozitat kalimtare të ligjit për funksionimin e prokurorisë parashikohet edhe ky rast, duke e zgjidhur ngërçin me përzgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, i cili qëndron në detyre deri në zgjedhjen nga KLP të prokurorit të përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Komisioni i ligjeve pritet që të vendosë një afat 5 ditor për depozitimin e dokumentacionit nga kandidatet që do të përfshihen në këtë garë dhe me pas do të zhvillojë seanca dëgjimore me të gjithë ata që plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj. Me pas kandidatura e përzgjedhur i kalon seancës për votim që në dispozitat kalimtare parashikohet të miratohet me një shumice të thjeshtë. Zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm ka shënuar dhe përplasjen e radhës mes mazhorancës e cila mbështet zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm dhe opozitës qe e kundërshton pasi e sheh si ngutje nga ana e socialisteve për të vendosur nën kontroll prokurorin e përgjithshëm.

Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve do të mblidhet për të shqyrtuar memon e hartuar nga Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjon- çaj. Sipas tyre, zgjedhja e prokurorit të ri duhet bërë me 84 vota nga kuvendi. Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura konstaton se mandate i Llallës mbaron në 7 dhjetor. Ndryshe nga PS dhe nga EURALIUS, Drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, thotë se prokuroi i ri i përgjithshëm duhet të zgjidhet me shumicën e cilësuar prej 3/5, ose 84 vota, vota të cilat PS nuk i ka pa opozitën. Në parashtrimin e argumenteve juridike, drejtoria e Kuvendit thotë se në zbatim të ligjit organik për prokurorinë duhet të zbatohet neni tranzitor dhe të zgjidhjet një kryeprokuror i përkohshëm, por shumica e nevojshme për votim duhet të jetë sipas Kushtetutës për kryeprokurorin, pra me 84 vota. Pavarësisht se kjo memo e kësaj drejtorie brenda Kuvendit nuk është detyruese, por këshilluese për ata që e kërkojnë, qartësisht e bën më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje të pa kontestuar për pasuesin e Prokurorit të Përgjithshëm. Mbledhja e nesërme në 11:00 pritet të jetë e nxehtë, pasi opozita e konsideron kapje të drejtësisë zgjedhjen me shumicë të thjeshtë të pasuesit të Llallës. I gjithë ngërçi ka ardhur për faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk është ngritur. Nëse ky organ nuk do të ishte zvarritur, atëherë prokurori do të ishte zgjedhur me 84 vota qysh në muajin gusht me procedurë normale kushtetuese.

Akuzat e PD-së

Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së, deklaroi se Kryeministri Edi Rama kërkon që ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 36 vota, në shkelje flagrante me kushtetutën. Bylykbashi tha se, sipas Kushtetutës, Prokurori duhet të zgjidhet me 3/5, me 84 vota, dhe se çdo mënyrë tjetër siç po përpiqet mazhoranca të manipulojë me anë të “memove” është një shpartallim i kushtetutës. “Edi Rama kërkon të emërojë Prokurorin me 36 vota. Arsyeja është e qartë të zgjedhë një prokuror për të pushuar çështjet e tij. Prokurori i Ramës urdhëron masë disiplinore për prokurorët e tjerë dhe u heq çështjet nga dora. Për këtë do që ta bllokojë formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sepse ky prokuror do të mbyllë gjithë dosjet e ministrave të tij. Të gjitha çështjet që e futin Ramën në varr do të mbyllen. Edhe me 71 vota do të ishte prokurori i Ramës. Kjo do të ishte një shpartallim i Kushtetutës nëse e zgjedh kështu, kur Kushtetuta e ka të qartë se si zgjidhet. Detyrën për tu shprehur se si do të zgjidhet e ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë. PS po kërkon të përdorë dispozitat tranzitore, por janë përdorur njëherë, ajo dispozitë është ezauruar dhe është mbyllur, por këtë duan ta përdorin sërish, por kush ia ka fajin kësaj mazhorance që reforma është në një kaos tani. Por ajo që mungon në kushtetutë nuk zëvendësohen me memo”, tha Bylykbashi.

PD: Shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, antikushtetues

Kuvendi i Shqipërisë ka caktu ar për sot hedhjen e shortit për 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED). – Ata do të zëvendësojnë anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, (KEPD). Ata janë 2 nga Gjykata Kushtetuese, 1 nga Gjykata e Lartë, 1 nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 gjyqtarë dhe 2 prokurorë nga Apeli dhe 1 gjyqtar nga Gjykata Administrative. Por PD-ja është shprehur kundër shortit, sepse, sipas saj, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë. “Partia Demokratike ka shprehur këtë qëndrim Kryetarit të Kuvendit nëpërmjet një letre të Kryetarit të Grupit Parlamëntar, Edmond Spaho. Konkluzioni i parë është se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke i diktuar organeve te pavarurave zbatimin e deformuar te ligjit. Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar institucioneve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Pëgjithshëm, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të hartojnë listat e kandidatëve për KED, duke u bazuar tek neni i Kushtetutës që përcakton masën disiplinore si kriter të vetëm për kandidatët. Kryetari i Kuvendit ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e Janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturësthuhej në reagimin e PD-së.

Në letrën e Partisë Demokratike thuhet se: “Ndryshimi i paligjshëm i rregullave të lojës në mes të proçesit, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ndryshimi i këtyre rregullave, për shkak të përshtatjes me vullnetin e njëanshëm të mazhoracës, përbën haptazi tentativë për të ndikuar në përbërjen e KED-së, me qëllimin final, garantimin e kontrollit politik nga mazhoranca mbi këtë organ të pavarur kushtetues dhe nëpërmjet tij, në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.” Në letrën për Kryetarin e Kuvendit, që i drejtohet edhe Presidentit, institucioneve të përfshira në proçes dhe ambasadorëve, theksohet se: “Qëllimit të kapjes së drejtësisë i shërben edhe mungesa e plotë e transparencës. Kuvendi, nuk ka bërë publik, si herën e shkuar, korrespondencën me Presidentin e Republikës dhe institucionet e pavarura, si dhe nuk keni publikuar apo njoftuar listën e kandidatëve që do të përfshihen në short.“ Konkluzioni i dytë është se, proçesi i nisur nga Kryetari i Kuvendit po kryhet në boshllëk kushtetues dhe ligjor, sepse në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), po përdoret dispozita tranzitore, që kanë humbur fuqinë e tyre. KED e Përkohshme u zgjodh në Janar 2017 sipas dispozitës kalimtare dhe kjo dispozitë nuk mund të bëhet rregull i përgjithshëm. Partia Demokratike citon letrën e 13 shkurtit 2017, kur ishKryetari i Rëformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj iu drejtua KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm për shortin e KPED-së. Xhafaj tha atëherë se “Dispozita kalimtare rregullon një çështje të veçantë, që zbatohet brenda një afati të caktuar, tej të cilit, objektivisht, bëhet e pazbatueshme. Në momentin që përmbushet rregullimi i parashikuar në dispozitën kalimtare, ajo bëhet e pazbatueshme për të ardhmen”.

Partia Demokratike thekson se: “Ky rast tregon se qëndrimi i PS ndryshon sipas situatës së momentit, duke vepruar në mungesë të plotë koherence, çka provon se qëllimi i saj i vetëm është të arrijë rezultatin e synuar – kapjen politike të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.” Konkluzioni i tretë është se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga maxhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente proçesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku, aktualisht janë 3 vende vakante. Partia Demokratike sugjeroi se deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor apo deri në krijimin e KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED). “Partia Demokratike kërkon vlerësimin/opinionin e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e këtij boshllëku kushtetues/ligjor. Partia Demokratike i kërkon Kryetarit të Kuvendit të ndërpresë menjëherë proçedurën për organizimin e shortit, e nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin-thuhej në deklaratën e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test