Dalin dokumentat e prokurorisë, ja sa pasuri s’deklaroi Doshi në 10 vite - Bota Sot
Dalin dokumentat e prokurorisë, ja sa pasuri s’deklaroi Doshi në 10 vite

Shqipëria

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Dalin dokumentat e prokurorisë, ja sa pasuri s’deklaroi Doshi në 10 vite

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 10:53
Tom Doshi

Harresa është një manovër e përdorur shpesh nga politikanë dhe gjyqtarë vendas, sa herë që ata kanë probleme me ligjin.

Disa prej tyre kanë mundur të bindin gjykatat dhe të marrin pafajsi se për shkak të harresës dhe neglizhencës, nuk kishin deklaruar rregullisht pasurinë e tyre apo s’kishin plotësuar në mënyrë të drejtë formularët e dekriminalizimit.

Dy vite më parë ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi tentoi t’i rrëshqiste ligjit të dekriminalizimit me argumentin e “kujtesës së shkurtër”.

Në formularin e vetëdeklarimit, Rroshi shkroi në 2016, se kishte qenë i proceduar në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002 për arsye që nuk i kujtoheshin.

Ndërkohë sot deputeti i Partisë Social Demokrate në Shkodër Tom Doshi kërkon ti shpëtojë dënimit në Gjykatë, duke përdorur të njëjtin argument të “kujtesës së shkurtër”. Dokumentat e Prokurorisë së Përgjithshme që ka siguruar “Kombinews” tregojnë se deputeti Tom Doshi në 10 vite nuk ka deklaruar një shumë prej 580.012.801 lekë dhe 7.667.000 euro.

Rezulton se Doshi s’ka deklaruar disa huamarje në miliona euro tek kompanitë “Galaxy”, “Profarma” dhe “Aldosch” që praktikisht menaxhohen prej tij. Në vitin 2008 thotë prokuroria, Tom Doshi nuk ka deklaruar huanë e marrë nga shoqëria “Aldosch” në shumën prej 4 milion euro.Po në të njëtin vit Tom Doshi rezulton të ketë marrë dhe një hua fiannciare tek shoqëria “Profarma” në shumën prej 92.246.686 lekë. Ndërkohë në 2014 nuk ka deklaruar huamarjen financiare prej 34.961.825 lekë nga kompania “Galaxy”.

Katër makinat dhe harresa e bamirësive

Këto dhe shifra të tjera në llogari bankare, duke filluar nga 4 makinat lukzose dhe dhënia e shumave për bamirësi prej 100 milion lekë tek Arben Isaraj dhe 50 mijë euro tek Kisha e Laçit, nuk janë deklaruar. Tom Doshi është suubjekt i ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”.

Në nenin 5/1 i këtij ligji thuhet se:” subjketet duhet të deklarojnë të gjitha pasuritë e grumbulluara, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë të përcaktuar në nenin 4 të këtij ligji, përfshirë burimet e krijimit të tyre,angazhimet në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, që ekzistojnë në datën e fillimit të punës, përfshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga këto angazhime ose veprimtari, nga data 1 janar deri në datën e fillimit të punës të vitit të deklarimit”.

Një burim pranë Prokurorisë së përgjithshme i tha “Kombinews” se deputeti Doshi, gjatë fazës së hetimit dhe deri në momentin e komunikimit të akuzës “Deklarim të rremë të pasurisë”, ka argumentuar faktin se ai kishte harruar të shënonte në formularin e deklarimit të pasurisë, disa zëra ekonomikë të pasurisë së tij.

“Është një çështje që në gjykatë do debatohet më tepër me anën objektive dhe subjketive të kryerjes së veprës penale se sa me faktin. Fakti nga ana jonë është provuar tërësisht, dhe se nuk ka asnjë dyshim që i pandehuri Tom Doshi, nuk ka deklaruar pasurinë e tij nga viti 2005 deri në 2014.

Për më tepër, faktin e mosdeklarimit e ka pranuar dhe vetë Doshi, por gjatë fazës hetimore është justifikuar se ka qënë një harresë e tij se sa një veprim i qëllimshëm dhe me dashje. Nëse Tom Doshi do arrijë të bindë Gjykatën e Lartë se vërtet ka harruar, atëherë kjo do mbetet në dorë të gjyqtarëve për ta besuar ose jo”-tha për “Kombinews” një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Burimi shtoi se ligji është i qartë dhe nuk ka vështirësi për të mos u kuptuar, pasi kërkohet të deklarohen të gjitha zërat financiare hyrës dhe dalës,në pasurinë familjare të një zyrtari. Pretendimet e Tom Doshit gjatë fazës së hetimit nuk u morën në konsideratë, dhe në muajin qershor 2017 prokuroria vendosi të dërgojë dosjen voluminoze për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë pritet që në datën 6 nëntor 2017 pranë kësaj gjykate të zvillohet seanca e parë kundër deputetit Tom Doshi.

“Kombinews” mëson pas ndryshimeve ligjore kjo gjykata do shpallë moskopetencën dhe për pasojë dosja do i kalojë për gjykim Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Shumat e padeklaruara

Nga verifikimet e kryera nga prokuroria gjatë fazës së hetimit, Tom Doshi në vitin 2005 nuk ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP) shumën prej 34.633.653 lekë. Ndërkohë në vitin 2006 sipas dokumentave të Prokurorisë së Përgjithshme Tom Doshi ka vijuar të mos deklarojë në mënyrë të saktë pasurinë e tij.

Në këtë vit Doshi s’ka deklaruar shumën prej 13.727.881 lekë. Ndërsa në vitin 2007 Doshi s’ka deklaruar shumën prej 14.112.847 lekë dhe një sipërfaqe toke në Kavajë prej 1500 metra katror. Sipas prokurorisë në 2008 ka vijuar të mos deklarojë shumën prej 93.721.976 lekë dhe 4 milion euro. Po kështu në 2009 deputeti Tom Doshi nuk ka deklaruar shumën prej 127.759.820 lekë plus 3.089.000 dhe blerjen e një makine.

Më tej në dokumentat e prokurorisë thuhet se në 2010 Tom Doshi nuk ka deklaruar 10.627.346 lekë plus 50 mijë euro dhe 518 mijë euro. Gjithashtu në 2011 Tom Doshi nuk ka deklaruar shumën prej 4.455.814 dhe blerja e një automjeti. Ndërkohë në 2012 Tom Doshi ka vijuar të mos deklarojë 246.362 lekë, blerje makine dhe shitjen e një vile në Durrës tek shtetasi Adnor Shameti.

Në vitin 2013 deputeti nuk ka deklaruar 20.532.200 lekë, blerjen e një makine dhe 10 mijë dollarëve. Doshi ka vijuar të “harrojë” të mos deklarojë pasurinë e tij edhe në vitin 2014, ku këtë vit ska deklaruar shumën prej 260.394.902 lekë.

Në një njoftim për shtyp të datës 15 maj 2015 ILDKP njoftonte se “…subjekti Tom Doshi është kontrolluar nga 2005 deri 2013 disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara Inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, duke mos i dërguar dosjet në organin e Prokurorisë, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë të ILDKPKI…”.

Doshi: Dosja u përrgatitur për zgjedhje

Në 7 qershor teksa dilte nga godina e Prokurorisë së Përgjithshme deputeti Tom Doshi ka deklaruar se: “…Kjo dihet që është tendencioze sepse u bënë 2 vjet hetim dhe pas 3 ditëve mbaroi afati që në bazë të ligjit prokuroria duhet të përfundonte hetimet. Kjo bëhet për zgjedhjet.

Unë kam një mesazh për elektoratin, të rrini të qetë, unë do vij në parlament dhe prokuroria me të gjitha këto akuza që ka bërë, të gjitha do rrëzohen poshtë në gjykatë…”.

Ndërkohë avokati i Doshit, Vladimir Meçi deklaroi se:”…momentalisht edhe këtu kemi një konflikt me prokurorinë që ne i konsiderojmë harresa për gjëra të vogla dhe që prokuroria e konsideron deklarime të rreme për disa mbetje të vogla që kanë mbetur në llogari në kushtet kur janë kryer dhjetra transferime. Shifrat janë të papërfillshme në raport me milionat që janë deklaruar…”.

Kjo është dosja e dytë penale kundër deputetit Tom Doshi që ka mbëritur në Gjykatën e Lartë, pasi e para bën fjalë për akuzën e “Kallëzimit të rremë”,ku së bashku me Doshin janë të pandehur ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test