Mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit shmangu përmbytjet

Shqipëria

Mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit shmangu përmbytjet

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 20:33
ilustrim

Mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit, eksportet dhe shitja e energjisë në kohë për t’i lënë hapësirë volumeve të pritshme të ujit nga reshjet e befta, bënë që të prodhohej më shumë energji, të rritej rezerva energjetike dhe të mos ndodhnin përmbytje në zonën e nën Shkodrës.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) po zbaton një program kompleks investimesh që kanë kontribuar në rritjen e eficensës së prodhimit, rritjen e sigurisë së veprës dhe në përmirësimin e kushteve të punës për personelin.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri shoqëruar nga zv.kryeministrja Senida Mesi inspektuan hidrocentralin e Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës.

“Gjatë këtyre katër viteve, nuk është çështje fati por edhe çështje mirëmenaxhimi të kaskadës, që qytetarët e nën Shkodrës kanë shpëtuar nga përmbytjet masive për të cilat kanë qenë dëshmitarë në vitet e mëparshme. Përgëzoj edhe stafin për punën e mirë të bërë, por njëkohësisht edhe t’u japim lajmin e mirë shqiptarëve që rezerva energjetike po përmirësohet, pak nga pak po hyjmë në normalitet për të filluar planifikimin e energjisë për vitin që vjen, pas një viti jashtëzakonisht të thatë e me vështirësi nga ana financiare. Po fillojmë po hyjmë në një klimë normaliteti përsa i përket parashikimeve në energji. Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, për buxhetin e shtetit sepse në fund të fundit financat publike kërcënoheshin nga thatësirat e mundshme”, theksoi Gjiknuri.
Ndërkaq, zv.kryeministrja Senida Mesi tha se investimet e kryera gjatë viteve të fundit në Kaskadën e Drinit kanë qenë serioze dhe jo të vogla në vlerë.
“Dua të theksoj edhenjëherë atë çka tha ministri, jo vetëm, por kryesisht mirëmenaxhimi i kaskadës së Drinit, ndjekja e rregullores me përpikmëri ka bërë që ne të mos kemi përmbytje këtë 5 vjeçar. Është një rregullore që daton që këtu e në krijimin e këtij hidrocentrali gjë që tregon se nëse rregullorja ndiqet me përpikmëri nuk ka asnjë problem për zonat rreth e rrotull. Siguruam edhe kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës se ne do të vazhdojmë pikërisht me të njëjtin ritëm”, u shpreh Mesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat