Zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm me shumicë të thjeshtë

Shqipëria

Zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm me shumicë të thjeshtë

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 11:12
Ulsi Manja

Zbatimi i kushtetutës dhe i procesit është qëllimi  kryesorë që mbështet Partia Socialiste për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.

Ai do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

Lajmin e bëri të ditur Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist, i cili theksoi se sipas ligjit emri i kryeprokurorit duhet zgjedhur me shumicë të thjeshtë.

Duke theksuar se PS nuk ka në qëllim të saj emrin e kryeprokurorit por procedurën ligjore, Manjan nënvizoi se kryeprokurori duhet të vijë nga sistemit i prokurorisë, pra të jetë me eksperiencë, nga më të vjetrit e sistemit dhe gjithashtu dhe të ketë magjistraturë. “Mjafton një jetëshkrim i kandidatit, i cili plotëson kushtin e eksperiencës dhe magjistraturën dhe i hapet rruga kandidimit. Ne nuk duam emrin e kryeprokurorit, por procedurën në frymën e ligjit”, tha Manja.

“Procedura e ndjekur nga komisioni ligjeve është totalisht në përputhje me ligjin. Sekretaria e Kuvendit  na bëri me dije këtë vakum në Prokurori, pra që mbaron mandati i kryeprokurorit me datë 7. Gjithashtu sekretariati na njoftoi se KLP, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur pasi shoqëria civile nuk ka paraqitur ende kandidat, prandaj na lind ne detyra për të zgjidhur këtë ngërç. Prandaj ne çelëm procedurat për të gjetur kryeprokurorin e përkohshëm dhe deri nesër në mesditë kandidatët që duan ta marrin këtë pozicion duhet ta kandidojnë”, tha Manja.

“Pretendimet se kryeprokurori duhet zgjedhur me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar, e  zgjidh Kushtetuta. Kryeprokurori i përkohshëm zgjidhet me shumicë të thjeshtë”, tha deputeti Ulsi Manja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat