Objektivat e bujqësisë, rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ushqimore

Shqipëria

Objektivat e bujqësisë, rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ushqimore

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 11:23
ilustrim

Në konferencën kombëtare të Bujqësisë, mbajtur të hënën në Tiranë, ministri Niko Peleshi renditi sfidat me të cilat përballet ky sektor, ndërsa i kërkoi stafit akademik të Universitetit Bujqësor të përfshihet në hartimin e një programit për bujqësinë për ta bërë produktin shqiptar konkurrues.

“Ne kemi 3 objektiva; rritjen e konkurrueshmërisë, sigurisë ushqimore dhe diversifikimin e të ardhurave të fshatit”, deklaroi ministri Peleshi. Ai theksoi se rritja e standardeve dhe sigurisë ushqimore janë çelësi dhe rruga e vetme për të mbijetuar dhe për të arritur tregjet ndërkombëtare.

Sipërfaqja e vogël e fermave është tjetër pengesë për rritjen e prodhimeve bujqësore. Sipas ministrit Peleshi, sipërfaqja mesatare e një ferme është 1.2 hektarë. Nga 350 fermerë, 278 prej tyre, tha ai, kanë një fermë me sipërfaqe më pak se 2 ha tokë.

Një tjetër sfidë është sasia e vogël e prodhimeve, duke bërë që eksportuesit shqiptar të mos mund të arrijë një marrëveshje negocimi me zinxhirët e supermarketeve në tregjet ndërkombëtare.

“Çmimet e shitjes së produkteve shqiptare janë më të ulëta se sa çmimet e produkteve të vendeve të tjera, pasi sasia e vogël e prodhimit ul fuqinë negociuese, duke i detyruar ata të mos arrijnë marrëveshje me zinxhirët e supermarketeve”, deklaroi Peleshi.

Ministri duke vënë theksin në faktin se nga buxheti i shtetit janë dyfishuar fondet për bujqësinë, nënvizoi se pavarësisht kësaj, duhet punuar për të rritur aftësinë e fermerëve për të marrë fonde nga skema të tjera financimi, siç janë edhe fondet e Bashkimit Evropian.

Për këtë, ai i kërkoi fermerëve të bashkohen dhe të aplikojnë në grup, ku edhe masa e subvencionimit rritet deri në 50 % më shumë se sa nëse ata aplikojnë si individë.

“Janë 5 institucione financiare që kanë firmosur kredi të mbështetura nga qeveria dhe BERZH. Ajo që duhet të bëjmë është të ndihmojmë fermerin të rrisë aftësinë absorbuese të këtyre fondeve. Kjo mund të arrihet nëse fermerët bashkohen si grup dhe aplikojnë në këto skema”, tha ministri Peleshi.

Skema kombëtare për zhvillimin e bujqësisë, sipas ministrit Peleshi, do të mbështesë kultivimin e 15 kulturave të cilat rezultojnë konkurruese. Peleshi tha se skema e re e bujqësisë do të mbështesë agropërpunimin, të cilin e cilësoi edhe si rrugën e vetme për t’i shtuar vlerë produkteve. Po ashtu, në skemë do të përfshihen certifikimi dhe agroturizmi, si mënyrat e vetme për të diversifikuar produktet.

Kreu i Bujqësisë premtoi edhe zgjidhjen brenda këtij katër vjeçari të çështjes së titujve të pronësisë, si një nga pengesat kryesore të zhvillimit të këtij sektori. “Krijimi i Agjencisë së pronës, e cila brenda vetes integron disa agjenci që merren me titujt e pronësisë besoj se do ti japë zgjidhje çështjes së titujve të pronësisë të tokës bujqësore në katër vite që vijnë”, deklaroi ministri.

Programi kombëtare për bujqësinë ka edhe një element të rëndësishëm që është motivimi i të rinjve për të parë bujqësinë si një alternativë për punësim, duke qenë se ka pasur një trend të fermerëve të rinj, ku sipas tij pjesa më e madhe e tyre kanë studiuar jashtë vendit.

“Falë tyre janë duke lindur produkte inovative që janë interesante dhe shumë premtuese. Kemi disa raste inkurajuese. Të rinjtë do të kenë mbështetje të posaçme”, u shpreh ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat