Borchardt: Me ministrat dhe drejtorët të emëruar nga opozita pati përmirësime

Shqipëria

Borchardt: Me ministrat dhe drejtorët të emëruar nga opozita pati përmirësime

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 08:10
Bernd Borchardt

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, në një intervistë për RTSH, u shpreh se me ministrat dhe drejtorët e institucioneve të emëruar nga opozita pati përmirësime për sa i përket luftimit të kanabisit në Shqipëri.

Mirëmbrëma! Marrëdhënia jonë me ambasadorët është një marrëdhënie dashuri-urrejtjeje. Në vitin 1913, 105 vjet më parë, një konferencë ambasadorësh krijoi Shqipërinë. Ne i hoqëm të drejtën e krijuesit dhe thamë “e bëmë vetë Shqipërinë”, gjashtë muaj më parë, me ngritjen e flamurit në Vlorë. Në historinë moderne, përmbysja ndodhi dhe shpresa e streha e shqiptarëve u bënë ambasadat perëndimore. Në korrik 1990, 3000 shqiptarë, aq sa ç’është numri i ushtrisë shqiptare sot, numri më i madh i njerëzve që janë futur ndonjëherë në histori në ambasadë, gjetën strehë në ambasadën gjermane në Tiranë. 

Por kur kujtojmë “përmbysjen e madhe”, ne harrojmë ambasadorët dhe ambasadat. Kur shteti shqiptar dhe demokracia shqiptare rrezikohej së fundmi seriozisht nga krimi dhe ndikimi i tij në politikë dhe në institucione, ambasadorët nisën përpjekje dhe mbështetje për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi. Përgjigjja jonë ishte rritje e retorikës sovraniste. Raporti dashuri-urrejtje ka shoqëruar marrëdhënien tonë për një kohë të gjatë me ambasadorët, që kur është krijuar Shqipëria. Sonte, në emisionin “Përballë”, është ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, ish-ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, z. Bernd Borchardt.

Z. Ambasador, mirëmbrëma! Pyetja e parë është ku e keni gjetur dashurinë dhe ku e keni ndier urrejtjen në Shqipëri?

Në fakt, për mua, dashuria dhe urrejtja nuk janë koncepte politike. Nuk më kujtohet të kem ndier dashuri apo urrejtje këtu, në kontekstin politik. Kur punoja në Kosovë si Kreu i EULEX-it, kriminelët na urrenin, ndërsa këtu kemi ndryshime në pikëpamje, por jo urrejtje apo dashuri. Për mua, një gjë e tillë nuk ka vend në politikë.

Ju po thoni që dashurinë e keni gjetur te njerëzit dhe ndoshta një ndjenjë tjetër e keni ndeshur në politikë?

Ndjenjat në politikë janë recetë e keqe. Diskutimet politike duhet të bëhen në mënyrë racionale dhe bashkëbiseduesit duhen bindur me argumente racionale.

Nuk mund të prisja përgjigje tjetër nga një diplomat gjerman.

Misioni i OSBE-së erdhi në Shqipëri i ftuar nga qeveria shqiptare në momentin e krizës më të madhe që ka kaluar vendi në vitin 1997. Njëzet vjet më pas, Shqipëria është në një fazë tjetër: anëtare e NATO-s dhe i vetmi vend anëtar i NATO-s bashkë me anëtarin e ri, Malin e Zi, që kanë një prezencë të OSBE-së në terren. Vendi pret që të hapë negociatat me BE-në. Cili është vendi, roli dhe hapësira e misionit sot?

Jam plotësisht dakord. Situata këtu në vitin 1997 ishte tërësisht e ndryshme nga situata e sotme dhe, me zhvillimin e Shqipërisë, është zhvilluar dhe roli i Prezencës së OSBE-së këtu. Ne e nisëm punën këtu me një numër të madh zyrash rajonale. Kishte shumë kolegë tanët që punonin në të gjithë vendin. Kishim personel shumë më të madh. Gjithashtu, ka ndryshuar dhe përqendrimi i punës. Ndërsa përgjatë viteve të para u përqendruam te krijimi i institucioneve, aktualisht po ndihmojmë institucionet të punojnë më mirë. Nga ana tjetër, shfaqen sigurisht dhe sfida të reja, të cilat ishin të paparashikueshme në vitin 1997. Shikoni për shembull kërcënimet që vijnë nga ekstremizmi i dhunshëm. Edhe në vitin 1997 kishte terrorizëm politik, por lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm, si rasti i ISIS-it, ishte diçka që mendoj se askush nuk e kishte menduar asokohe.

Vetëm për ta sqaruar, ambasador, kur flisni për terrorizëm në politikë në 1997-n, e keni fjalë për dhunën politike, e keni fjalën për anarkinë që ishte vendi?

Në vitin 1997, terrorizmi ishte koncept që njihej ndërkombëtarisht. Në Gjermani patëm një valë sulmesh terroriste në vitet ‘70.

Z. Ambasador, megjithatë në 1997-n, mandati ishte dhënia e këshillës dhe e ndihmës Shqipërisë për demokratizimin, për median, për të drejtat e njeriut, nga njëra anë, dhe përgatitja e zgjedhjeve dhe monitorimi i tyre, në anën tjetër. Duket që, në kuptimin e fokusit, 20 vjet më pas, prapë kemi përsëritje.

Mandati u rinovua disa vite me vonë, në vitin 2003, dhe vazhdon të jetë ende baza e punës sonë. Ama ka ndryshuar formulimi i mandatit dhe theksi që kemi vendosur – siç e thashë më parë, nga krijimi i institucioneve te funksionimi më i mirë i tyre, te bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, te mbështetja e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e tjera.

Ju personalisht jeni dëshmitar i proceseve në vend, të paktën që prej një dekade, sepse në 2007 keni qenë ambasador i Gjermanisë në Tiranë. Sot, jeni ambasadori i një organizate që ka 57 vende. Kur flet ambasadori i SHBA, shqiptarët e kuptojnë se është një mesazh i qartë nga Uashingtoni. Kur flet shefja e delegacionit të BE-së, është një mesazh nga Brukseli. Po kur flet shefi i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët?

Patjetër që kur flas, flas në emër të OSBE-së, si Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ndonjëherë i dakordësojmë me Vjenën mesazhet tona, kur bëhet fjalë për çështje shumë serioze; kurse çështjet e tjera janë diçka që ne e zhvillojmë në bazë të punës sonë. Të gjitha ambasadat dhe institucionet kanë nivele të ndryshme kontrolli. Me njëri-tjetrin, ne ambasadorët ndonjëherë e quajmë “litari”, “gjatësia e litarit”. Në disa shtete apo disa institucione, litari është relativisht i shkurtër, në disa të tjera është mesatar deri në i gjatë. “Litari” gjerman ishte mjaft i gjatë. Kisha shumë pak ndërhyrje nga Berlini. Kjo ngjason me “litarin” e OSBE-së, por patjetër që shkoj disa herë në vit në Vjenë dhe, nëse bëj diçka që nuk u pëlqen Shteteve pjesëmarrëse, ata më pyesin dhe unë duhet të shpjegoj punën që bëj.

Ju përfaqësoni 57 vende, por që janë vende të ndryshme, në kuptimin e madhësisë, fuqisë dhe ndikimit, apo jo?

Patjetër. Dhe ata kanë interes për Shqipërinë. Kur takohem me përfaqësues të Shteteve pjesëmarrëse në Vjenë, ka disa që e marrin gjithmonë fjalën, si për shembull Federata Ruse, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian. Në varësi të temës, ka edhe shtete të tjera që kanë interes të veçantë për një temë të caktuar. Pastaj, janë patjetër edhe Shqipëria dhe Kryesia e Radhës e OSBE-së. Pra, nga këta të pestë ka gjithmonë pyetje. Këto pyetje mund të jenë fuqizuese, inkurajuese por dhe kritike. Dhe mua më duhet të reagoj dhe të shpjegoj se përse ne bëjmë disa gjëra të caktuara. Deri më tani, kam qenë i aftë të sqaroj keqkuptimet.

A i jeni përgjigjur ndonjë kritike, apo thjesht keni bërë sqarime për keqkuptimet?

Keqkuptimet... kjo është të futesh shumë në hollësi, por OSBE-ja nuk është organizatë e pasur. Buxheti ynë është shumë i vogël. Për këtë arsye, Shtetet pjesëmarrëse e shqyrtojnë me kujdes se si ne i shpenzojmë paratë. Kjo është fusha në të cilën më drejtohen pyetjet më kritike, por mendoj se kam qenë mjaft bindës për të shpjeguar se përse punësojmë një konsulent apo përse organizojmë një konferencë të caktuar.

Qenka skanim i rreptë.

Po.

OSBE-ja ka 57 vende nga Mongolia në Kanada, Evropa, Azia, Amerika e Veriut, Rusia brenda. A mund të flasim për ndikim të Federatës Ruse sot, në ditët e sotme, në Organizatë? Ka një debat goxha aktiv, të ndezur.

Patjetër që Federata Ruse është një nga aktorët kryesorë në OSBE dhe ka pozitë të madhe dhe rol aktiv. Siç thashë, sa herë kam qenë në Vjenë për të takuar përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse, delegacioni i Federatës Ruse ka marrë fjalën. Dy herët e fundit ka pasur pyetje rreth programeve dhe pyetje rreth buxhetit, por mendoj se arrita t’i bind se ajo që po bëjmë është e saktë. Kështu, edhe ne e kuptojmë që herën tjetër duhet të jemi pak më të gjerë në raportin e shkruar.

OSBE-ja është një nga organizatat ndërqeveritare më të mëdha në botë, me 57 vende. Ju folët për fuqitë e mëdha. Brenda aty janë edhe SHBA, edhe Federata Ruse. Dhe kur superfuqia e vetme e mbetur që prej rënies së Murit të Berlinit akuzon një fuqi si Rusia dhe i thotë keni ndërhyrë në zgjedhje dhe një nga mandatet kryesore të OSBE-së janë zgjedhjet, çfarë mund të themi ne për këtë situatë për OSBE-në?

Patjetër që po e ndjek me shumë interes diskutimin në media. Nuk mund t’ju jap gjykimin tim në lidhje me këtë çështje, pasi prokurorët dhe komisionet hetuese po merren me të. Ama, po e ndjek me shumë interes. Jo më larg se të mërkurën organizuam një konferencë me ekspertë nga disa nga Shtetet tona pjesëmarrëse. Edhe atje u ngrit çështja e rrezikut të ndërhyrjeve të jashtme në zgjedhje, qoftë përmes hakerimit të proceseve të votimit elektronik, qoftë përmes lajmeve të rreme. Këto çështje u ngritën dhe përfaqësuesit shpjeguan se si shtetet e tyre po i trajtojnë këto çështje.

Tingëllon pak ironike, ambasador, që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim, siguria është e para, edhe mes vendeve anëtare ruhen nga njëri-tjetri në çështje kritike të sigurisë, siç janë zgjedhjet. Duket se ka një paradoks të madh. Apo kjo është jeta dhe duhet të përshtatemi me këtë realitet?

Në fillim, OSBE-ja ishte Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe bëhet fjalë për kulmin e Luftës së Ftohtë. Pra, ishte instrument për të sjellë së bashku palët, të cilat qëndronin në kufirin e brendshëm gjerman me mijëra tanke dhe qindra mijëra ushtarë. Kjo tregon se edhe kur ka ndryshime pikëpamjesh brenda OSBE-së apo ndërmjet Shteteve pjesëmarrëse, kjo përbën vlerën unike të OSBE-së, fakti që i bashkon të gjithë në të njëjtën tavolinë dhe mundëson, me ndihmën e strukturave të krijuara nga OSBE-ja, përpjekjet për krijimin e dialogut dhe diskutimin e çështjeve. Në vitet ‘70 dhe ‘80, OSBE-ja kishte ndikim të fortë te zhvillimet ndërmjet botës komuniste dhe pjesës demokratike të botës dhe unë besoj se ka ndihmuar në kapërcimin e shumë ndarjeve artificiale në Evropë. Mjafton t’u hedhim një sy organizatave të grupeve, madje dhe këtu në Shqipëri, ata na quajnë thjesht Organizata e Helsinkit. Kjo i referohet Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila u themelua në Helsinki.

Le të supozojmë, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, ku janë plotësues të njëri-tjetrit dhe ku është unik ambasadori i OSBE-së në punën e tij?

OSBE-ja ka një portofol të gjerë projektesh, që ndryshon nga ai i një organizate si USAID. Në disa pika ka përputhje dhe aty bashkëpunojmë nga afër, por ne jemi të orientuar drejt mandatit tipik e klasik të OSBE-së: siguria, demokratizimi, shteti i së drejtës dhe media, për shembull. Nga ana tjetër, institucionet klasike bashkëpunuese si USAID, apo GIZ-i nga pala gjermane, kanë portofol shumë më të gjerë, përfshirë zhvillimin ekonomik, me të cilin ne nuk merremi.

Përvoja në Shqipëri ka qenë e tillë që Ambasadori i OSBE-së ka punuar edhe me ambasadorë të vendeve anëtare, të SHBA-së dhe të BE-së, në atë që quhej trojka dhe që jepte një mesazh unik ndaj klasës politike shqiptare. A duket që OSBE tashmë është pak e mënjanuar dhe trojka nuk ekziston?

Do të thosha se kjo trojkë ka qenë gjithmonë reagim ndaj situatave specifike. Mbaj mend se të njëjtën pyetje i shtrova edhe unë para-para-paraardhësit tim, Robert Bosch, më 2008 besoj, kur i thashë “po trojka?”. Ka qenë një kohë kur trojka, kur një bashkëpunim kaq i ngushtë dhe mesazhet e përbashkëta dukeshin të nevojshme. Më pas, kjo trojkë u rigjallërua. Pas të shtënave në bulevard në vitin 2011, ndodhi një rigjallërim i trojkës. Në të njëjtën kohë, ne sot po punojmë me të tjerë partnerë, qoftë kjo në fushën e policimit në komunitet, ku partneri ynë kryesor është një ambasadë dypalëshe; në trajtimin e zgjedhjeve, ku punojmë me kolegët tanë të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, por edhe me ambasada dypalëshe; si edhe në disa fusha të tjera. Për dialogun kombëtar për të kaluarën, ne punojmë shumë ngushtë me një organizatë joqeveritare nga Gjermania, Fondacionin Konrad Adenauer. Dhe para zgjedhjeve të fundit, jam takuar shumë shpesh me kolegët e mi të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për të diskutuar për hapat e përbashkët.

Por nuk u shfaqët si trojkë në këtë moment?

Jo, nuk do ta quaja trojkë.

Z. Ambasador, po ju bëj një pyetje si diplomat me përvojë në Shqipëri, në rajon, në vende të tjera të kontinentit, por edhe në kontinente të tjera. Pyetja ime ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri, në krahasim me rolin që kanë ndërkombëtarët në vende të tjera, që nuk duket proporcional. Pse mendoni se ndodh kjo, pse është më i madh se ç’duhet të jetë? Të paktën ky është një perceptim.

Javën e shkuar, OSBE-ja organizoi një konferencë akademike për të diskutuar këtë çështje. Patëm shumë kontribute, nga më të ndryshmet. Konferenca u frymëzua pikërisht nga ky reflektim, se, në dukje, roli i bashkësisë ndërkombëtare është shumë i fuqishëm në Shqipëri, si edhe në pjesën më të madhe të vendeve ballkanike. Ndoshta ky rol është edhe më i fuqishëm në Bosnjë-Hercegovinë. Megjithatë, këtu ky rol vijon të jetë dallueshëm i fortë, dhe qëllimi ynë ishte t’i frymëzonim akademikët vendas e ndërkombëtarë ta analizonin këtë fenomen. Drejtimi i përgjithshëm duhet të jetë se demokracia e qëndrueshme bazohet tek ata që mund t’i quajmë gjyqtarët kombëtarë dhe jo tek arbitrazhi ndërkombëtar, dhe kjo duhet të bazohet në një sistem të brendshëm kontrolli dhe balancimi. Kështu, mendoj se është e rëndësishme që shoqëria shqiptare ka nisur të diskutojë për këtë çështje. Patëm kontribute mjaft interesante nga akademikë të rinj e të tjerë më në moshë, por shumica ishin të rinj. Patëm edhe dëshmitarë të kohës, që kontribuuan me perceptimin e tyre të rolit të ndërkombëtarëve gjatë fazave specifike të zhvillimit të Shqipërisë. Mendoj se ky ishte kontribut i mirë në diskutim dhe shpresoj që diskutimi të vijojë.

Ju i keni ndjekur të gjitha kontributet e kësaj konference shumë interesante. Në fund të kësaj konference, a keni një përgjigje më të mirë pse Shqipëria është në këtë situatë që është në raport me ndërkombëtarët?

Nisa të vlerësoj disa argumente në lidhje me ato që disa prej kontribuuesve i quajtën dështimet e bashkësisë ndërkombëtare, apo gabimet e bëra. Kjo u fokusua në rolin e fuqishëm të neoliberalizmit në ekonomi në vitet ’90 në vende që nuk kishin asnjë institucion që të amortizonte ekonominë e çliruar të tregut. Për këtë do të vijoj të lexoj. Kjo ishte çështja kryesore që mësova nga ai diskutim. Kam shërbyer në vende ku kjo ka funksionuar. Pati marrëveshje të gjerë që kjo e shtyu shumë përpara zhvillimin, por pati edhe një argument të fortë se ndoshta kjo nuk ishte zgjedhja më e mirë, pra nisja e tregut me kapacitet të plotë, pa shumë kontroll.

Ambasador, cila mendoni se është pritshmëria ndaj ambasadorëve, nga bashkëbiseduesit shqiptarë?

Këtë pritshmëri e perceptoj si goxha të fortë. E kam fjalën për pritshmërinë nga qytetarët. Një prej kolegëve tuaj, Mustafa Nano, shkroi pak kohë para konferencës, por pa iu referuar asaj besoj, duke thënë se shqiptarët duan ose të ikin, ose presin që ndryshimin ta bëjnë ambasadorët. Kjo është tejet e tepruar. Unë njoh shumë të rinj e të tjerë më në moshë këtu, që janë shumë kritikë e dinamikë, me një këndvështrim ndryshe, e që duan të ofrojnë kontribut të fortë në zhvillimin e vendit të tyre. E megjithatë, kur po mendoja në lidhje me fjalën time të hapjes së konferencës, iu referova një ngjarjeje të këtij viti, kur qytetarë nga rrethinat e Tiranës protestuan kundër shkatërrimit të shtëpive të tyre për arsye të ndërtimit të një rruge të re. Ata nuk protestuan para Bashkisë apo Kryeministrisë, por para Ambasadës së SHBA-ve. Nuk është ky standardi që do të pritej. Mendoj se është e nevojshme të diskutohet për këtë. Dëshironim të krijonim një fushë për këtë diskutim, dhe mendoj se shkoi mirë. Ndoshta edhe thjesht duke ngritur më shumë pyetje, kontribuohet në diskutim.

Në qoftë se e shikojmë nga ana tjetër, cila është pritshmëria e ndërkombëtarëve, e juaja, ndaj bashkëbiseduesve shqiptarë?

Në OSBE, kemi standarde shumë të qarta për demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, etj., etj. Me nënshkrimin e dokumenteve tona, Shqipëria është përkushtuar në përmbushjen e këtyre standardeve. Prandaj jemi këtu: për ta mbështetur Shqipërinë në arritjen e këtyre standardeve. Për këtë diskutojmë me politikanët, me shoqërinë civile e me gazetarët.

Ndihma e ndërkombëtarëve është të ndihmojë shqiptarët apo të ndihmojë shqiptarët për të ndihmuar vetveten? Z. Ambasador, çfarë mund të bënte më mirë komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri? Nuk është një pyetje e lehtë, por..

Pjesa e parë e pyetjes suaj ishte se a po i ndihmojmë shqiptarët të ndihmojnë veten apo thjesht po i ndihmojmë. Tani, pas përmbytjeve, rasti ishte që të ndihmoheshin shqiptarët. E kam parë listën e gjatë të donacioneve. Ajo ishte një situatë humanitare dramatike dhe shumë vende e institucione e ndihmuan Shqipërinë, përfshirë këtu OSBE-në. Ne do të rindërtojmë e pajisim disa shkolla që u dëmtuan rëndë. Por qasja e përgjithshme nuk është ndihma humanitare në raste katastrofash. Çështja kryesore është bashkëpunimi, që do të thotë t’i ndihmojmë shqiptarët ta zhvillojnë vendin e tyre, dhe se në drejtim janë shqiptarët. Ne nuk vijmë këtu për të hapur një projekt: ne i hartojmë projektet bashkë me qeverinë dhe institucionet. Pra, mesazhi dhe synimi ynë kyç është të ndihmojmë shqiptarët të ndihmojnë veten. Çfarë mund të kishte bërë më mirë bashkësia ndërkombëtare? Kam reflektuar rregullisht për këtë situatë. Ngritja e problemeve qartë dhe herët është diçka që i ndihmon të gjithë. Kur perceptohet një problem, ai nuk duhet ngritur duke shkuar në RTSH, por ngrihet qartë me bashkëbiseduesit. Kam qenë kohë përgjegjës për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme gjermane - më saktë, isha përgjegjës për Ballkanin, duke përfshirë Shqipërinë – dhe kur hedh sytë pas, them me vete se, për shembull përpara ‘97-s, ne e kishim të qartë se skemat piramidale nuk mund të funksiononin gjatë. Duhej të kishim paralajmëruar shumë më herët e në mënyrë shumë më drastike.

Ky është rasti i një reflektimi i një përfaqësuesi ndërkombëtar për çfarë ka shkuar keq në Shqipëri, në kuptimin e demokracisë, sepse ka një perceptim që duket sikur kur gjërat shkojnë mirë është meritë e ndërkombëtarëve, kurse kur shkojnë keq është përgjegjësi e autoriteteve lokale. Do të ndalesha te një moment tjetër kur ndërkombëtarët mund të kishin bërë më shumë: ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-s që forcuan autoritetin e dy kryetarëve të partive, në kurriz të institucioneve të vendit, si parlamenti, drejtësia, zgjedhjet, institucionet e pavarura. Dhe në atë kohë ndërkombëtarët pothuajse ishin të bashkuar në anën tjetër të barrikadës dhe gati-gati i përkrahën dhe duartrokitën këto ndryshime, dhe nuk kam parë ende ndonjë reflektim që të thuhet ky ishte një moment kritik për funksionimin e institucioneve të demokracisë në Shqipëri. Ose nëse do të marrim rastin aktual: çështjen e hashashit. Ka pasur një heshtjeje të tejzgjatur, ndërkohë që problemi vinte e mahisej derisa shpërtheu në format që i kemi të qarta tashmë. E ka si zakon komuniteti ndërkombëtar të nxjerrë mësime, “lessons learned”, apo shikon vetëm përpara dhe thotë që të shohim drejt të ardhmes dhe ta lëmë mënjanë të shkuarën?

Mendoj se të gjithë përpiqemi të nxjerrim përfundime prej asaj se çfarë ka ndodhur tashmë. Kur gjendesha këtu si ambasadori i Gjermanisë flisja shpesh me qeverinë rreth Lazaratit, pasi një pjesë e madhe e hashashit që prodhohej këtu përfundonte në Gjermani, dhe e dija që qeveria ime priste që unë të ndërhyja dhe kjo ishte një nga çështjet për të cilat m’u kërkua që të ndërhyja.

Cila ishte përgjigja që merrnit në atë kohë, 2007-2010?

Juve ju kujtohet që në atë kohë, pra, në vitin 2010, pati një ndërhyrje të kufizuar të forcave të sigurisë dhe më pas zuri të kultivohej përsëri; pra, nuk qe një ndërhyrje aq e fortë sa duhet. Kështu që, në qoftë se do të kisha qëndruar në Shqipëri, do të kisha vazhduar ta nxitja qeverinë që të ndërhynte sërish, sepse një ndërhyrje e vetme qe e pamjaftueshme. Në këtë situatë, natyrisht që kishte shqetësime që shpreheshin nga të dyja anët e spektrit politik se me çfarë do të jetonin njerëzit pasi të shkatërrohej kanabisi. Për mua ky argument asnjëherë nuk qe bindës. Dhe kur flas sot me politikanët, të gjithë më thonë: “E kishim gabim kur e thoshim këtë gjë”. Natyrisht që nevojitet një alternativë zhvillimi, por mungesa e alternativave të zhvillimit nuk mundet assesi të kthehet në shfajësim për krimin, për veprimtaritë kriminale.

Kjo që po thoni është për të shkuarën e afërt, por cili mendoni se është shqetësimi më i madh në ditët e sotme në radarët e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë?

Gjatë vitit 2017, i gjithë komuniteti ndërkombëtar e nxiti qeverinë në mënyrë intensive që të luftonte kanabisin. Dhe qeveria bëri përpjekje të konsiderueshme, të cilat ishin të suksesshme. Sivjet, prodhimi i kanabisit është shtyrë në zona shumë të thella dhe prodhimi ka është pakësuar shumë. Ky është një hap shumë i madh. Ua thashë edhe Shteteve pjesëmarrëse në Vjenë se kjo është një betejë e fituar nga Shqipëria, por lufta duhet të vazhdojë, po vazhdon, një luftë kjo kundër krimit të organizuar. Mësova prej deklaratës publike të një ambasadori tjetër pak ditë më parë se Shqipëria ka shifrat më të ulëta të dënimit të krimeve të rënda në Evropë. Strategjia e qeverisë kundër krimit të organizuar është shumë inkurajuese. Qasja e Ministrisë së Brendshme është bindëse për ne dhe ne shpresojmë se edhe në këtë fushë – pra, jo vetëm në fushën e kanabisit, ku lufta duhet të vazhdojë edhe vitin tjetër me sezonin e ri të mbjelljes së kësaj bime – lufta do të vazhdojë dhe mendoj se jemi mjaft optimistë që do të vazhdojë.

A keni ndër mend ndonjë program, për të cilin ju ndiheni krenar si OSBE dhe e keni si program të suksesshëm, për të cilin mund t’i thoni kujtdo që këtu vërtet keni arritur gjithçka që e keni dëshiruar?

Mendoj Kushtetuta juaj për shembull, OSBE-ja aty...

Kushtetuta u shkatërrua në 2008-n. Me amendimet e tjera gati nuk është më ajo…

Amendamentet e vitit 2008 kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor. Kushtetuta e përgjithshme e vitit 1998 u hartua me shumë kontribut nga OSBE-ja dhe ODIHR-i.

Ishte kushtetutë shumë e mirë, Ambasador, por ndërhyrjet e 2008-s prishën sistemin zgjedhor, prishën rolin e Presidentit, hoqën rolin e Prokurorit të Përgjithshëm, hoqën gjithë checks and balances; dhe me ndryshimet e fundit nuk është ajo kushtetutë. D.m.th nga 1998 në 2018, njëzet vjet, nuk po flasim më për të njëjtën kushtetutë. Kanë mbetur ndoshta vetëm pjesa e të drejtave të njeriut, për sa i përket checks and balances është… jam dakord që ka qenë kushtetutë shumë e mirë.

Unë e di se ndryshimet e vitit 2008 lidhur me sistemin zgjedhor janë kritikuar ashpër këtu në vend. Mirëpo për komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti për OSBE-në, duhet të kini parasysh se ekziston një gamë e gjerë opsionesh për zgjedhjet, pra, për sistemet zgjedhore. Kemi sisteme të tilla sikurse ai ku fiton vetëm ai që merr shumicën e votave, për shembull, teorikisht, një parti që fiton 34% të votave fiton kundër dy partive të tjera, të cilat kanë mbledhur 33% të votave secila, dhe ky konsiderohet një sistem i pranueshëm. Pra kemi një gamë shumë të gjerë opsionesh. Pra, nuk kishte shqetësime sistemore sa i përket sistemit që u miratua në vitin 2008; nuk kishim asnjë arsye për të thënë se ishte i pamundur. Ishte një sistem që përqendrohej shumë te partitë dhe te strukturat partiake. Kjo ndodh edhe në vende të tjera të OSBE-së. Tani, disa forca politike këtu kanë një pikëpamje tjetër dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim diskutimin rreth kësaj teme, në qoftë se duhet.

Më lejoni, z. Ambasador, që në mënyrë shumë të respektueshme, të kem një pikëpamje krejt tjetër: këto ndryshime nuk forcuan partitë politike, forcuan kryetarët e partive politike dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk është vullnet i qytetarëve shqiptarë, por është vullnet i kryetarëve që hartojnë listat. Unë besoj që biem dakord që ta quajmë një hap prapa në kuptimin e asaj çfarë quhet reformë. Megjithatë, një program që ju ndoshta… le t’i themi dështim në mënyrë të guximshme ose një program që nuk keni qejf ta përmendni si punë e OSBE-së që nuk ka ecur mirë. A mund t’i vendosim emrin ndonjë programi?

Disa qasjeve nuk iu kishte ardhur ende koha… Shumë vite më parë, ne filluam të nxisnim krijimin e një organi vetërregullues për mediat, por nuk kishte as vullnet dhe as interes për këtë. Këtë të martë, organizuam forumin për zhvillimin e medias këtu në Tiranë dhe aty pamë se interesi për një organ të tillë po rritet dhe zhvillohet. Pra, u desh një kohë e gjatë. Nuk bëra ndonjë hulumtim se kur filluam të flisnim për këtë gjë, por kolegët më thanë se kjo kishte ndodhur shumë kohë më parë.

Ka një nevojë për të forcuar shoqërinë civile në Shqipëri dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë zërave të pavarur. Në këtë aspekt, si ndiheni përballë kritikës që vetë OSBE-ja sillet si një NGO lokale dhe konkurron me NGO-të lokale?

Është pjesë e mandatit tonë që të mbështesim zhvillimin e shoqërisë civile dhe pikërisht këtë bëjmë. Rastësisht, kohët e fundit hulumtuam nëpër dosjet tona për të parë se sa në sa projekte bashkëpunojmë me shoqërinë civile dhe bëhej fjalë për tre të katërtat e tyre. Kjo tregon dhe do të thotë që ne e marrim shumë seriozisht këtë detyrë, pra, zhvillimin e shoqërisë civile. Këtu bëhet fjalë për organizata rinore, organizata të pakicave, organizata që vëzhgojnë zgjedhjet, e kështu me radhë. Së bashku me BE-në ne drejtojmë një grup pune ndërkombëtar, i cili merret me bashkërendimin e mbështetjes për shoqërinë civile. Pra, mund ta shihni vetë se sa për zemër e kemi këtë çështje.

Z. Ambasador është një raport, një studim për rolin e ndërkombëtarëve ne Shqipëri, që ju e keni për zemër dhe e keni lexuar. Do të lexoj vetëm dy rreshta: “shqetësimi më i madh është ankesa që OSBE-ja konkurron për fonde me NGO-të lokale në Shqipëri. Projektet e OSBE-së duhet të kushtohen ndaj zgjedhjeve, për ne fondet për NGO-të janë çështje mbijetese”. Është cituar këtu. Megjithatë, nëse supozojmë që OSBE-ja punon me efiçencë, kjo do të thotë forcimi i institucioneve në Shqipëri dhe përshpejtimi i rrugës që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE-së, mirëpo kjo do të thotë mbyllje e misionit të OSBE-së. A e ndieni se misioni, nën drejtimin tuaj, po punon për të mbyllur veten?

Ju po shtroni dy pyetje. Pyetja e parë ka të bëjë me konkurrimin për fonde. Pjesa më e madhe e fondeve tona vjen nga OSBE-ja në Vjenë dhe shërben për financimin e projekteve, por në një masë të madhe shkon për personelin e punësuar këtu. Personeli në tre të katërtat është shqiptar. Dhe jemi paksa krenarë që këta njerëz të shkëlqyer do të jenë një trashëgimi që do t’i lëmë këtij vendi një ditë. Kur pashë që dy prej ish-kolegëve të mi janë tashmë zëvendësministra, një tjetër ish-koleg është zëdhënësi i opozitës për zgjedhjet, e kështu me radhë, sepse mund të përmend edhe të tjerë, kjo dëshmon se po fuqizojmë njerëz të mirë. Sa i takon pyetjes që po punojmë për të zhdukur veten. Sigurisht, para së gjithash, jemi këtu me miratimin e qeverisë shqiptare. Në qoftë se qeveria shqiptare e ndien se nuk i duhemi më vendit, atëherë ne nuk jemi një forcë pushtuese, ju lutem.

Nuk është çështja që qeveria thotë “nuk na duheni”, por puna juaj që ju vetë të thoni që Shqipëria nuk ka nevojë për ne…

Kjo ishte pjesa e dytë e përgjigjes sime. Ne i zhvillojmë projektet tona në një mënyrë të tillë që t’ua kalojmë ato në përgjegjësi vendasve. Dhe e kemi bërë këtë me shumë projekte. E filluam punën në vend me trajnimin e njerëzve, pastaj kaluam në trajnimin e trajnerëve, dhe tani po punojmë përgatitjen e kurrikulave, me qëllim që institucionet t’i përdorin këto kurrikula për të vazhduar punën tonë. Dhe ua kemi kaluar shumë prej këtyre çështjeve në përgjegjësi institucioneve shqiptare. Ju më pyetët më herët për gjëra për të cilat ndihesha krenar. Një shembull tjetër është themelimi i Shërbimit të Provës. Kur erdha në këtë detyrë e ndjeva se duhet ta linim gradualisht atë. Pastaj, teksa flisnim me kolegët e Shërbimit, zbuluam se ata ballafaqoheshin me sfida të reja, të cilat nuk parashikoheshin dot në vitin 2008 dhe në vitin 2009. Bëhet fjalë për të sipërpërmendurin ekstremizëm të dhunshëm, pra, me trajtimin e ekstremistëve nëpër burgje. Kështu që fokusi i punës sonë me burgjet dhe shërbimin e provës është zhvendosur. Puna e përgjithshme atje është një çështje që tashmë i përket së kaluarës. Sigurisht, ne jemi ende këtu dhe kur lindin pyetje apo dalin probleme, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar, por fokusi është zhvendosur dhe kjo mund të thuhet edhe për shumë fusha të tjera.

Z. Ambasador, për shkak të kohës së kufizuar se duhet të trajtojmë edhe zgjedhjet, për ta mbyllur këtë pjesë, roli i ndërkombëtarëve në qoftë se do ta ndanim me faza: axhenda e transformimit, axhenda e reformimit dhe axhenda e integrimit. Ku e ndien OSBE-ja që është Shqipëria: është futur tek axhenda e integrimit apo jeni ende në axhendën e reformimit të vendit, te reformat?

Nuk shoh ndonjë kontradiktë këtu. Ne mbështesim një axhendë reformash. Ne nuk jemi BE-ja. Dhe në qoftë se do të thosha se po mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, shumë prej Shteteve tona pjesëmarrëse do të më kritikonin. Mirëpo, sigurisht, ekzistojnë pjesë të përbashkëta të konsiderueshme mes procesit të integrimit në BE dhe mbështetjes sonë për procesin e reformave në fusha të tilla si shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut, etj. Nga ana tjetër, ekzistojnë fusha të cilat janë tipike të BE-së. Kohët e fundit m’u kërkua nga një institucion që ta mbështetnim Shqipërinë në fushën e sigurisë ushqimore. Ne kemi një qasje të gjerë rreth sigurisë, por që nuk e përfshin sigurinë ushqimore. Kjo është një çështje tipike për BE-në, sepse ekzistojnë standarde të BE-së në fushën e sigurisë ushqimore. Kështu që i thashë bashkëbiseduesit tim që të kontaktonte Delegacionin e BE-së për të punuar më intensivisht në atë fushë.

Shkurt, Ambasador, sa mendoni në opinionin tuaj se është afati që do t’i duhet OSBE-së të jetë në Shqipëri? Nëse keni një kohë të shkurtër: pesë, dhjetë vjet… më shumë?

Nuk e di. Nuk varet nga unë. Por unë do të përpiqem t’i dorëzoj aktivitetet sa herë të jetë koha e duhur. Kjo është edhe detyra që kam nga Vjena. 

Është një çështje e rëndësishme, por për fat të keq nuk kemi shumë kohë - pyetjet janë të shumta për zgjedhjet shqiptare. Shqipëria është i  vetmi vend në rajon që ende ka problem me zgjedhjet. Raportet e misionit të ODIHR-it, në mënyrë të përmbledhur shoqërohen me progres dhe probleme. Bëjmë zgjedhje, por menjëherë pas zgjedhjeve  kemi fjalën reformë. Nëse një koleg i juaji vjen dhe ju pyet: kush është problemi me zgjedhjet shqiptare, çfarë i thoni ju? Një mik që mund t’ju pyesë, që nuk ka nevojë për përgjigje të sofistikuar…

Problemi kryesor është se rekomandimet e kolegëve tanë të ODIHR-it, të cilat i mbështetëm plotësisht, nuk janë zbatuar në shkallë të gjerë. Disa ndryshime u zbatuan përpara zgjedhjeve të fundit,  por shumë gjëra mbeten ende të hapura dhe tani kemi rekomandime të reja, pas zgjedhjeve të qershorit 2017.

Te rekomandimet, është një listë e gjatë me 50 rekomandime të misionit të ODIHR, që janë nga zgjedhjet e fundit dhe zgjedhjet që ishin pak më përpara dhe këto janë rekomandime që i drejtohen klasës politike për t’i adresuar. Por, në anën tjetër, nga pala shqiptare ka dy rekomandime/kërkesa: votimin elektronik dhe votën e emigrantëve. Sa e ndieni ju që këto dy kërkesa mund të marrin 99% të kohës së debatit për të përmirësuar zgjedhjet?

Të mërkurën, organizuam një konferencë për votimin elektronik dhe, gjatë kësaj konference, të gjithë folësit në panel – jo vetëm unë, por edhe kolegë nga ambasada dypalëshe si SHBA, Suedia, si dhe nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, pra të gjithë – i bëmë thirrje Komisionit të Posaçëm të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Njëkohësisht, ne formuluam edhe rekomandime për votimin elektronik. Thamë që, nëse vendoset të përdoret, kjo gjë duhet bërë shumë shpejt, pasi duhet të bëhen testime, përpara testimeve nevojiten prokurimet, standardizimet, trajnimet, verifikimet nga ekspertë të pavarur që përmbushen standardet e votimit elektronik. Unë rekomandova që t’i kushtohej vëmendje numërimit elektronik, gjë që do të plotësonte të paktën një pjesë të rekomandimeve të ODIHR-it. Numërimi elektronik do të sillte një lloj zhvendosjeje nga politizimi i strukturave zgjedhore, pasi numërimi do të bëhej nga një makineri. Kishte edhe rekomandime të tjera. Për shembull, u nxit prokuroria që të ndiqte shkeljet e ngritura dhe të vëzhguara gjatë zgjedhjeve. U gëzova shumë që prokuroria hapi një çështje për abuzimin me burimet shtetërore. Sa i takon blerjes së votës, ende pres të ketë çështje dhe jemi në dialog të vazhdueshëm me prokurorinë për këtë.

Z. Ambasador unë personalisht nuk do të jetoj aq gjatë sa të shikoj një situatë ku 50 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të jenë të plotësuara të gjitha. Por do të kërkoja që ju të thoshit cilat mund të ishin tri gjërat kryesore që duhet të adresohen për të përmirësuar zgjedhjet. 

Tri gjërat kryesore: njëra është puna për depolitizimin e strukturave zgjedhore. Kjo është ngritur edhe në raportin e fundit të BE-së dhe jo vetëm nga OSBE-ja dhe ODIHR-i. Sikurse thashë, për këtë mund të ndihmojnë sisteme të ndryshme numërimi. Një kontribut tjetër do të ishte trajnimi më i mirë i bazës së njerëzve nga e cila dalin zyrtarët që punojnë në zgjedhje, përpara zgjedhjeve. Së bashku me kolegët e Këshillit të Evropës, ne po ofrojmë ndihmën tonë për ta ngritur këtë sistem trajnimi. E dyta, është se pas përvojës së zgjedhjeve të fundit, ku persona nga opozita u përpoqën të përmbanin, me mjaft sukses, abuzimin me burimet shtetërore në procesin zgjedhor, OSBE/ODIHR-i rekomandoi që të mendohej për ngritjen e një lloj Ombudsmani për këtë, i cili do të vëzhgonte, nga një pozitë e pavarur, rolin e institucioneve shtetërore. Unë isha këtu gjatë zgjedhjeve të 2009-s, si dhe në 2017-n dhe pashë një përmirësim. Mendoj se një strukturë e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e këtij përmirësimi. Së treti, shumë i rëndësishëm është rekomandimi që prokuroria ta vërë theksin në ndjekjen e shkeljeve të ligjit në zgjedhje, për të vendosur një precedent, si dhe rishikimi i mëtejshëm i Kodit Penal. Pati disa ndryshime të Kodit përpara zgjedhjeve të 2017-s, që ishte një rezultat i mirë. Por rekomandimi është që të shqyrtohet më me imtësi, bashkë me ekspertët.

Z. Ambasador ju keni thënë në shkurt 2017 se fluksi i parave të pista në zgjedhje me një turnover prej 2 miliardë eurosh rrezikon zgjedhjet, rrezikon blerjen e deputetëve. Mbetet ende shqetësimi kryesor për demokracinë e vendit paratë e zeza në politikë dhe jo vetëm?

Fatkeqësisht, në shkurt të këtij viti, më kanë cituar keq, shumë shpesh. Unë thashë se dimë me siguri që prodhimi në Lazarat, në vitin 2013, ishte 900 – 1 000 tonë. Vlera e shitjes së kësaj sasie në rrugët e BE-së është rreth dy miliardë euro. Unë theksova që prodhimi i shkatërruar prej 2,5 milionë bimësh në 2016-n do të ishte një sasi e ngjashme. Ministri Tahiri në atë kohë më korrigjoi dhe tha se bimët e përdorura ishin bimë me rritje të shpejtë, të cilat prodhonin më pak. Por qoftë një miliard apo dy miliardë nuk është shumë e rëndësishme politikisht, prandaj u bëmë thirrje të gjitha institucioneve politike në Shqipëri të kishin shumë kujdes nga përdorimi i parave në zgjedhje. Me ministrat dhe drejtorët e institucioneve të emëruar nga opozita pati përmirësime, që kontribuuan në këtë fushë.

Z. Ambasador, ju përmendët konferencën që u zhvillua dy ditë më parë në Tiranë për teknologjinë, por çfarë problemi mendoni se do të adresojë teknologjia? Ju sjell në parantezë se Holanda zhvilloi zgjedhjet këtë vit dhe kaloi nga numërimi elektronik në numërimin manual për shkak të hakerimit; një sërë vendesh kanë hequr dorë nga kjo teknologji për shkak të çështjeve të sigurisë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese gjermane që e ndalon këtë gjë. Çfarë problemi mendoni se do të adresojë teknologjia për zgjedhjet shqiptare?

Varet shumë nga sistemi që përdor: nëse ke një sistem të bazuar tek interneti, sigurisht, ekziston rreziku i hakerimit. Në konferencë, patëm një ekspert suedez, i cili shpjegoi se çfarë po bën Suedia. Kishim kryetarin e votimit me internet të Estonisë dhe ai shpjegoi se ç’sistem i ndërlikuar nevojitet për të pasur një votim me internet të sigurt. Mos më pyesni për detaje teknike, se më duhet t’i lexoj tri herë. Numërimi elektronik do të ndihmonte shumë me kritikat e partive të vogla për nëpërkëmbjen e votës nga partitë e mëdha. Kjo është një kritikë e vazhdueshme, prandaj mund t’ia vlejë të trajtohet përmes numërimit elektronik. Çështja e dytë është identifikimi i zgjedhësve; online është me rrezik, offline mund të bëhet, por edhe kjo disa rreziqe, sepse të dhënat do të jenë të shpërndara kudo nëpër fshatra. Këto janë diskutime të vështira dhe dje diskutuam dhe ramë dakord me disa nga anëtarët e Komisionit të Posaçëm që duhet një analizë më e detajuar e rreziqeve dhe e përparësive, si mund të arrihet rezultati më i mirë, dhe se ky diskutim duhet të vijojë. Sigurisht, ne jemi të gatshëm për ta mbështetur këtë proces. Mund të jetë i vlefshëm. Për shembull, ka pretendime që të shtunën në mbrëmje disa njerëz shkojnë nëpër fshatra dhe u japin para njerëzve për letërnjoftimet e tyre, në mënyrë që të mos votojnë. Me identifikimin biometrik nevojitet vetëm gishti. A funksionon? Për t’i dhënë përgjigje kësaj duhet të sjellim ekspertë, të cilët mund të shpjegojnë se sa i lartë është rreziku që të gjithë të votojnë me gisht, për shembull.

Nëse dikush ju pyet, Ambasador, për zgjedhjet që sapo mbyllëm, përveç sugjerimit që të lexojnë raportin e misionit të ODHIR-it, çfarë vlerësimi do t’i thoshit për zgjedhjet parlamentare që mbylli Shqipëria?

Siç e thatë vetë, gjithçka ndodhet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Një tjetër aspekt është se, më duket se për herë të parë, por s’jam 100% i sigurt, askush nuk shkoi në Kolegjin Zgjedhor. Pra edhe ky është një zhvillim pozitiv.

Po. Ankesat për zgjedhjet ndodhën, të paktën nga ana politike, pasi u përmbyll procesi nga pikëpamja ligjore. Është e vërtetë. Ka pasur vetëm 2-3 ankesa në KQZ dhe nuk ka pasur asnjë në Kolegjin Zgjedhor.

Po.

Kemi vetëm 4-5 minutat e fundit, të flasim për të shkuarën, sepse OSBE-ja ka projektin për përballjen me të shkuarën. Shqipëria ka qenë një vend i izoluar, pa traditë disidence, pa gjurmë të shoqërisë civile, pa koncept të saj. Ka një hezitim për përballjen me të shkuarën. Nisur nga përvoja gjermane, çfarë mund të bëjë më mirë Shqipëria, 27 vjet pas përmbysjes së regjimit të mëparshëm komunist?

Ne në Gjermani, gjatë shekullit të kaluar, kemi pasur dy herë përvojë me përballjen me sistemet totalitare: pas Luftës së Dytë Botërore dhe fundin e diktaturës naziste, si dhe pas 1990’s, fundit të diktaturës komuniste në Lindje të vendit. Pas diktaturës naziste, u desh një kohë e gjatë deri sa shoqëria e gjerë të fillonte të merrej me të shkuarën. Ishte koha kur interesi im politik po fillonte të zhvillohej, në fund të viteve ’60 dhe në fillimin e viteve ’70, kur kjo u kthye në çështje, kur ndryshoi kurrikula e historisë nëpër shkolla, kur në gjykatat gjermane u ngritën shumë çështje për krimet e luftës, etj., etj. Pra, nuk është habi që ky diskutim po fillon vonë në Shqipëri, 27 vjet më pas. Një aspekt tjetër është: çfarë mund të mësohet nga Gjermania? Diktatura naziste ishte kaq e tmerrshme, saqë nuk mund të krahasohet madje as me diktaturën më të ashpër e më të egër. Vrasja në masë e hebrenjve, romëve dhe grupeve të tjera është diçka që gjermanët do ta kenë mbi supe me shekuj të tërë. Pra, nuk është e krahasueshme, megjithatë një nga përfundimet më të rëndësishme në të cilin dolëm edhe pas diktaturës komuniste në Gjermaninë Lindore, është se sistemet shtypëse bien ose rrëzohen, por, që të merresh me to, duhet që ato të diskretitohen publikisht, përndryshe kjo ideologji mund të vazhdojë, të mbijetojë, të rezistojë. Prandaj, është e rëndësishme të diskutohet, të krijohen vende kujtimi, siç janë muzetë tuaj – BunkArti apo Shtëpia e Gjetheve apo muzeu në Shkodër. Vende të tilla thonë se çfarë ndodhi ishte e keqe dhe e gabuar. E vlerësova shumë kur në tetor i gjithë parlamenti përkujtoi anëtarët e opozitës të vrarë në 1947-n, sepse me këtë Kuvendi i Shqipërisë e ndryshoi narrativën. Ai tha njëzëri se çfarë ndodhi ishte e keqe dhe e gabuar. Pra, mendoj se ky diskutim në Shqipëri po shkon në drejtimin e duhur dhe është i rëndësishëm për vendin. Trajtimi i çështjeve të së shkuarës e përforcon demokracinë.

Z. Ambasador, nuk kemi më kohë. Kam pyetjen e fundit dhe pak sekonda për përgjigje. Ju e njihni rajonin, sepse keni shërbyer në disa vende. Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk ka probleme të mëdha: problem etnik, problem fetar, probleme me fqinjët. Çfarë e pengon të ecë më shpejt?

Ndoshta duhet të bëjmë një intervistë tjetër për këtë. Është një pyetje shumë, shumë e gjatë, të cilës nuk mund t’i përgjigjem shkurt. E dimë të gjithë që Shqipëria ishte tmerrësisht e izoluar, por, nga ana tjetër, shoh një brez të rinjsh në rritje që mendojnë ndryshe, që përdorin mundësinë fantastike për të dalë jashtë shtetit, për të fituar bursa, për të marrë mbështetje; prindër që kanë paratë për t’i dërguar fëmijët jashtë. Dhe jo të gjithë qëndrojnë jashtë shtetit. Njoh njerëz që janë kthyer dhe duan të kontribuojnë për zhvillimin e vendit tuaj. Mendoj se ky është një potencial i jashtëzakonshëm. Kapërcimi i mentalitetit të së kaluarës, siç e përmenda, filloi mjaft vonë, sikurse në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, kur prindërit më thoshin “mos fol për këtë gjë, mos i ngri këto çështje, nuk duam të flasim për këtë”. Dhe tani ky diskutim po fillon këtu dhe mentaliteti është i ndryshëm, pasi ndikohet edhe nga përvojat që njerëzit kanë fituar jashtë, jo vetëm duke studiuar, por edhe duke jetuar në Greqi, në Itali e në shumë vende të tjera e duke u kthyer më pas e duke ndryshuar shoqërinë.

Z. Ambasador do të doja shumë ta vijonim bisedën me çështje të tjera të rëndësishme, siç është media, por ka vetëm një mënyrë, ose duhet të heq komunikimin me regjinë që po më thotë nuk kemi më kohë ose do ta lëmë për një herë tjetër. Shumë faleminderit që ishit sonte në emisionin “Përballë” në televizionin publik.

Faleminderit shumë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat