Detajet/ E ekzekutoi me tre plumba në kokë, vrasësi ndodhej në makinë me Angjelin Shkambin

Shqipëria

Detajet/ E ekzekutoi me tre plumba në kokë, vrasësi ndodhej në makinë me Angjelin Shkambin

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 16:58
Angjelin Shkambi

Thyen masën e sigurisë në arrest shtëpie për kanabis, dhënë nga Gjykata e Apelit, ekzekutohet në atentat.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Golem të Shkodrës ku mëngjesin e kësaj të diele është vrarë Angjelin Shkambi, 32-vjeç.

Ai është qëlluar me tre plumba në kokë brenda në automjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targa AA 275 BF, teksa po dilte nga varrezat e fshatit.

Ngjarja ka ndodhur pranë një zone banimi, ndërsa siç duket në foto aty ndodhet edhe një dyqan lulesh, por askush nuk ka dëgjuar të shtëna.

Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur tre gëzhoja pistolete, dy brenda në automjet dhe një jashtë, çka shton dyshimet se viktima dhe autori mund të kenë qenë bashkë në makinë.

Kush ishte Angjelin Shkambi

32-vjeçari dhe një grup prej 13 personash u arrestuan në prill të 2017 për kultivimin e rreth 3000 lëndë narkotike kanabis. Ai u la në arrest me burg nga gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, ndërsa Apeli rrëzoi këtë vendim dhe vendosi “arrest me shtëpie”.

Masa e sigurisë ndaj tij ishte në fuqi, por Shkambi e ka thyer mëngjesin e sotëm, ndërsa u ekzekutua në dalje të varrezave të fshatit Golem, në periferi të Shkodrës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Në mbështetje të veprimeve që po kryhen policia lokale për kapjen e autorëve, janë edhe grupe të FNSh-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat