Zbardhen emrat, këta do jenë drejtuesit e rinj të PS-së

Shqipëria

Zbardhen emrat, këta do jenë drejtuesit e rinj të PS-së

Më: 8 janar 2018 Në ora: 12:52
Partia Socialiste

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PSsë, nuk kurseu dje kritikat ndaj drejtuesve politikë në qarqe, të cilët janë dhe ministra, për punë të dobët në zgjedhjet në parti.

Duke folur në Asamblesë Kombëtare, Balla tha se janë toleruar anëtarë të Asamblesë, që të mos përfshihen në zgjedhjet në PS, duke dëmtuar marrëdhënien me strukturat e partisë dhe zgjedhësit.

“Kemi anëtarë të kësaj asambleje që nuk kanë pasur fare prani në organizatat ku kanë qenë të deleguar dhe nuk kanë ushtruar detyrën e tyre si pjesë e këtij forumi të lartë. Pse?! Mund të ketë secili psenë e tij, por pseja ime është shumë e thjeshtë: Sepse ne e kemi toleruar këtë neglizhencë në të shkuarën dhe kjo tolerancë është kthyer në dobësi organizative deri në këtë nivel”, tha Balla.

Sipas tij, nëse ministrat kanë shumë ngarkesë në detyrat e qeverisë, të mos mbajnë dhe postin e drejtuesit politik të qarkut.

“Sigurisht, përgjegjësia individuale bie mbi çdokënd që nuk e ka bërë detyrën, por ajo politikë bie në radhë të parë mbi drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët e kanë toleruar në përditshmërinë e punës së tyre këtë dobësi të rëndë dhe nuk i kanë qëndruar mbi kokë procesit me rigorozitetin e nevojshëm. Dhe këtu më duhet të ripërsëris kryetarin e Partisë, për ata kolegë drejtues qarqesh që janë edhe ministra, sepse ata kanë edhe barrën më të madhe dhe në një farë mënyre edhe hapësirën më të madhe për justifikime”, tha kryetari i Asamblesë.

Balla i kërkoi ministrave të reflektojnë ndërsa do të ketë një mbledhje kryesie, që do të marrë në analizë përmbushjen e kësaj detyre.

“Përgjegjësia e drejtimit politik dhe angazhimi partiak në qarkun përkatës është prioritare dhe nuk mund të bjerë si rezultat i ngarkesave të tjera, sepse ka kosto të madhe për integritetin e marrëdhënies së shumicës sonë qeverisëse me popullin. Prandaj, duke i ftuar kolegët drejtues të qarqeve si edhe të gjithë deputetët dhe anëtarët e Asamblesë po ashtu, në një reflektim serioz për gropat e lëna hapur në procesin e zgjedhjeve në parti, i propozoj kryetarit të Partisë që kryesia të mblidhet sa më parë për të adresuar konkretisht problematikat që duhen trajtuar në 200 ditët e ardhshme në këtë drejtim themelor të bashkëqeverisjes sonë me njerëzit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Image

SEKRETARIATI

Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, propozoi dy sekretarë të rinj ekzekutivë pranë kryesisë së PS-së. Ai riktheu sekretarin për marrëdhëniet me Jashtë dhe sekretarin Elektoral.

Balla u shpreh i pakënaqur nga puna e sekretarëve aktualë. “Dua të jem i hapur me ju, se jo i gjithë grupi i sekretarëve ka punuar me efikasitetin e plotë, që kërkon funksioni i ngarkuar nga Asambleja. Por unë dua t’i kërkoj Asamblesë, që sekretariatit aktual t’i jepet një mundësi e dytë.

Njëkohësisht, dua që bashkë me kryetarin e Partisë t’i propozojmë Asamblesë Kombëtare që detyrën e sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare t’ia besojmë shoqes Teuta Voda. Ndërsa shokut Bledi Çuçi t’i besojmë detyrën e sekretarit për Çështjet Zgjedhore”, tha Balla.

Sipas tij, Blerina Gjylameti do të vazhdojë detyrën si sekretare për Koordinimin Elektoral, detyrë që e ka kryer më së miri dhe, që përgjatë këtij viti përgatitor për zgjedhjet lokale, merr një rëndësi të veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat