Shqipëria rrezikon të mbetet pa gjyqtarë në 2018

Shqipëria

Shqipëria rrezikon të mbetet pa gjyqtarë në 2018

Më: 9 janar 2018 Në ora: 08:38
Gjyqtaret

Gjatë vitit 2018, Shqipëria mund të përballet me një problem të pazakontë, atë të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

 Gjykatat dhe prokuroritë në vend mund të boshatisen gjatë muajve në vijim. Nga të dhënat e deritanishme, vetëm një numër i vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh mund t’i shpëtojnë Vetingut.

Raporteve me rekomandim negativ nga ILDKP, për subjektet e kontrolluara deri më tani, do t’u shtohen prova të tjera që do të mblidhen nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe anëtarët e Vetingut, rreth paligjshmërisë së pasurive të deklaruara dhe mundësisë së pasurive të fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu, për të shërbyer në sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kalojnë edhe dy sfida të tjera, kontrollin për aftësitë profesionale dhe kontaktet e papërshtatshme me krimin.

Gjetja qoftë e një fotografie të gjyqtarit apo prokurorit në tavolinë me një person të përfshirë në krim të organizuar, rëndon pozitat e tij, duke rritur mundësitë e përjashtimit nga sistemi i drejtësisë. Por ndëshkimi më i madh dhe masiv do të vijë nga kriteri i pasurisë.

Rrethanat

Justifikimi i pasurive të deklaruara ndër vite me dokumentacion ligjor, pasuar me gjurmimin e pasurive të mundshme, të fshehura brenda dhe jashtë vendit, është kryefjala dhe funksioni bazë i Vetingut të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Neni D i Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, në pikën 4, parashikon që, nëse subjekti i rivlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore, përveçse kur ai paraqet prova që vërtetojnë të kundërtën.

Shqiptarja.com ka mësuar nga burime pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive se, asnjë nga gjyqtarëve dhe prokurorët, pasuria e të cilëve është kontrolluar deri më tani, nuk ka përfituar nga ky parashikim.

Gracka

Më shumë se sa një kamerdare shpëtimi për gjyqtarët dhe prokurorët në detin e trazuar të Vetingut, neni D i Kushtetutës rezulton thjeshtë një lëvizje taktike për të joshur disa grupe parlamentare në Kuvend, për votimin e ndryshimeve kushtetuese. ILDKP ka dorëzuar pranë organeve të Vetingut raportet e kontrollit të pasurive, bashkë me gjetjet dhe konkluzionet përkatëse për 68 prokurorët dhe gjyqtarët e parë, të cilët po i nënshtrohen Vetingut.

Ky institucion po vijon me intensitet kontrollin e subjekteve të tjera, në bashkëpunim me organe të tjera ligjzbatuese, por edhe agjencitë e huaja partnere. Në bazë të gjetjeve në raport me numrin e subjekteve të kontrolluara, më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve rezultojnë me pasuri të pajustifikuar, kanë bërë deklarata të rreme pasurie, kanë fshehur pasurinë si dhe janë përfshirë në pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të përfitojë nga neni D pika katër e Kushtetutës. Në rastet kur një gjyqtar ka rezultuar me pasuri të paligjshme nën nivelin e parashikuar nga Kushtetuta, pra me pasuri të paligjshme më pak se dyfishi i pasurisë së ligjshme, subjekti është penalizuar nga fshehja e pasurisë, deklarimi i rremë si dhe nga mashtrimi me deklaratat e pasurive. Shqiptarja.com ka mësuar se në të gjitha rastet e ngjashme, ILDKP ka konstatuar nivelin e pasurisë së fshehur, por ka shënuar në raport të gjitha shkelet e tjera të subjektit, të cilat e bëjnë të papërshtatshëm për të shërbyer në sistemin e ri të drejtësisë. 

Neni D

Vlerësimi i pasurive

1. Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.

2. Subjekti i rivlerësimit dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kontrollon deklaratën e pasurisë dhe i dorëzon Komisionit një raport për ligjshmërinë e pasurive, për saktësinë dhe plotësinë e deklarimit, sipas ligjit.

3. Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj.

4. Nëse subjekti i rivlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore, përveçse kur ai paraqet prova që vërtetojnë të kundërtën.

5. Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Neni 33, ligji i Vetingut 

Procedura e vlerësimit të pasurisë

3. ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë

informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese.

4. ILDKPKI-ja kryen një procedurë të plotë kontrolli sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 180 ditë nga dita e depozitimit të deklaratës së pasurisë.

5. Në përfundimin të kontrollit, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar, sipas rastit, konstaton se:

a) deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin, me burimet e ligjshme financiare dhe që

nuk gjendet në situatë konflikti interesi;

b) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;

c) është kryer fshehje e pasurisë;

ç) është kryer deklarim i rremë;

d) subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat