Vrasja e dyfishtë në Vlorë, zbulohen veprimet e autorit ditën e ngjarjes

Shqipëria

Vrasja e dyfishtë në Vlorë, zbulohen veprimet e autorit ditën e ngjarjes

Më: 17 janar 2018 Në ora: 10:57
Ilustrim

Tre ditë më parë, dy të rinj humbën jetën në fshatin Gjorm të Vlorë. Artion Shenaj qëlloi për vdekje me armë zjarri mikun e tij, Mariglen Memaj, ndërsa autori në gjendje të rënduar psikologjike qëlloi edhe veten.Pak pas ngjarjes së rëndë zbulohen edhe detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike. Sipas BW, Shenaj i sapokthyer nga Franca ku ishte në burg për vjedhje, është thirrur në Prokurorinë e Vlorës për të dëshmuar.
Njerëz të afërt pranë tij, konfirmojnë se pas atij momenti përgjatë gjithë ditës Shenaj ka qenë i shqetësuar e ka kërkuar me ngulm një takim me mikun e tij Memaj, me të cilin kishin qenë dikur bashkë në emigrim. Ka shumë gjasa që Shenaj të ketë ngritur dyshime tek fqinji i tij, se mos ky i fundit e ka spiunuar për ngjarje të së kaluarës.
Burime të afërta me viktimën konfirmojnë se pas kthimit nga Franca gjendja psikologjie e 34-vjeçarit ka qenë e rënduar, aq sa familjarët të shqetësuar kanë kërkuar ndihmë edhe në një yshtare.
Sekretin e vrasjes Artion Shenaj zgjodhi ta marrë me vete, duke u vetëvrarë në banesën e xhaxhait. Pas la mister dhe një konflikt të hapur mes dy familjeve që jetojnë aq pranë. Viktima Mariglen Memaj ka lënë pas dy fëmijë, një djalë e një vajzë, ndërsa Artioni nënën dhe vëllain e tij. Memaj kishte qenë emigrant në Itali, si dhe i burgosur në këtë shtet për lëndë narkotike, por më pas ishte kthyer të jetonte në fshatin e tij.
Mariglen Memaj, 35 vjeç, ka qenë duke pirë kafe në qendër të fshatit kur i është afruar Artion Shenaj, 33 vjeç dhe pa paralajmërim ka goditur në drejtim të tij. Si pasojë e breshërisë së plumbave Memaj ka ngelur i vdekur në vend. Pas disa minutash autori i ngjarjes ka drejtuar armën e krimit nga vetja dhe i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e xhaxhait.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat