7 vjet nga 21 janari, familjarët e viktimave ende presin drejtësi…

Shqipëria

7 vjet nga 21 janari, familjarët e viktimave ende presin drejtësi…

Më: 21 janar 2018 Në ora: 11:57
Ilustrim

Shënohen sot 7 vjet nga ngjarja tragjike e 21 janarit të vitit 2011, ku Garda e Republikës hapi zjarr ndaj protestuesve përballë Kryeministrisë të thirrur nga ish-kreu i opozitës Edi Rama.

Katër protestues së pafajshëm u vranë, përkatësisht Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, ndërkohë që mbetën të plagosur gjashtë të tjerë.

Përgjatë këtyre viteve ka patur akuza dhe kundërakuza nga palët, PS dhe PD dhe LSI, por ende nuk kanë gjetur përgjigje pyetjet e familjarëve të viktimave, lidhur me përgjegjësit e vrasjeve.

Opozita e kohës akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Basha si fajtorë, ndërkohë që mazhoranca foli për një skenar puçi që kishte për ideator Edi Ramën, i cili nuk udhëhoqi turmën në demonstratë.

Tre kryeprokurorë kanë ardhur në krye të organit të akuzës që prej atij 21 janari, përkatësisht Ina Rama, Adriatik Lalla dhe tanimë Arta Marku, por në gjyq kanë përfunduar vetëm dy persona Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të cilët morën një minimal nga Gjykata e Apelit me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Prokuroria e Përgjithshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Kësaj të fundit iu deshën plot tre vite për t’u këshilluar për çështjen. Pas tre viteve, Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë, duke mbyllur çështjen dhe zbehur shpresën e familjarëve për drejtësi.

Më 5 dhjetor 2012, familjarët e viktimave të 21 janarit iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që vendosi dëmshpërblimin e familjarëve, por nuk pranoi ta rihapte çështjen.

Organet e reja të Vettingut duken të jenë e vetmja mundësi e mbetur për të vendosur para përgjegjësisë fajtorët. Por, ndërkohë familjarëve  të viktimave u duhet ende të presin…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat