Ndryshimet e mëdha në sistemin bankar të vendit, shumë punonjës i pret lajmi i keq - Bota Sot
Ndryshimet e mëdha në sistemin bankar të vendit, shumë punonjës i pret lajmi i keq

Shqipëria

E diel, 27 maj 2018

Ndryshimet e mëdha në sistemin bankar të vendit, shumë punonjës i pret lajmi i keq

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 09:20
Ilustrim

Sistemi bankar pritet që të shënojë ndryshime të rëndësishme këtë vit, pas dy ngjarjeve kryesore në drejtim të shit-blerjes së bankave dhe të tjerave të pritshme.

Në datën 5 dhjetor 2017, 100% e kapitalit te Ortakut VENETO BANCA ka kaluar në favor të Ortakut INTESA SANPAOLO S.p.A, sipas lëvizjeve në ekstraktin e Veneto në Qendrën Kombëtare të Biznesit.  Përthithja e Veneto nga Intesa erdhi pas bashkimit të mëmave në Itali.

Në fund të javës së kaluar Banka Kombëtare e Greqisë ka zyrtarizuar shitjen e filialit së saj në Shqipëri tek Banka Amerikane e Investimeve (ABI). Sipas një deklarate për shtyp, “Banka Kombëtare e Greqisë S.A. (“NBG”) ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare për shitjen e gjithë aksioneve të saj (100%) në degën e saj Banka NBG Albania Sh.A. (“NBG Albania”) tek Banka Amerikane e Investimeve SA (“ABI”). Transaksioni po zbatohet në kontekstin e Planit të Ristrukturimit të NBG-së dhe në përputhje me angazhimet e tij ndaj Drejtorisë së Konkurrencës së Komisionit Evropian. 

 Pas këtyre dy shkrirjeve, sistemi bankar do të reduktohet nga 16 në 14 banka. Të tjera banka janë në shitje. Në linjë me ristrkuturimin e sistemit bankar grek, edhe Banka e Pireut do të shesë degët e saj në Ballkan, përfshirë Tirana bank.

Pjesa më e madhe bankave, duke përfshirë edhe të mëdhatë, kanë aplikuar politika tërheqjeje nga tregu dhe shumë prej tyre kanë në plan të shiten. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, ka pohuar më herët për Monitor se procesi i shitjes nuk është më fobi as për kompanitë e mëdha. Duke komentuar zhvillimet në sektorin bankar ai tha se, përqendrimi duhet të vijojë më tej, përderisa disa aktorë të sistemit po rrinë në pasivitet dhe po nuk tentojnë të rriten.

Ç’do të ndodhë me punonjësit

Ekspertët e tregut bankar pohojnë se procesi i përthithjes së bankave zgjat midis 6 dhe 12 muaj. Banka blerëse do të tentojë të mbajë degët që janë me eficiente dhe do të mbyllë ato që dublojnë njëra tjetrën, ndërsa dhe administrata qendrore do të shkrihet në një. Në këtë linjë dhe një pjesë e punonjësve të bankave që përthithen do të shkurtohen.

Deri në shtator 2017, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, NBG dhe Veneto kishin përkatësisht  304 dhe 130 punonjës. NBG kishte 26 degë dhe Veneto 15.

Edhe pa këto përthithje, sistemi bankar nuk kishte qenë aktiv në zgjerimin e personelit, duke mos lënë shumë alternativa për punonjësit, që nuk do t’i mbijetojnë procesit të përthithjes së dy bankave në fjalë. Në fund të shtatorit, në banka kishte gjithsej 6909 të punësuar, duke u ulur me 41 persona në raport me fundin e 2016-s.

Pjesët e tregut dhe presioni për rritjen e eficiencës

Pas blerjes së NBG, pjesa e tregut të ABI Bank pritet të rritet në 5.64% të totalit të aseteve të sistemit, nga 2.85% që është sot, duke e dyfishuar madhësinë e saj dhe duke e kaluar në bankën e gjashtë më të madhe në vend, pas Societe Generale Albania. Ndryshimi është më i vogël  për Intesa San Paolo, e cila kishte 10.95% të totalit të aktiveve, ndërsa Veneto 1.8%. Megjithatë, përthithja e Veneto do i mundësojë Intesa Sanpaolo të kalojë sërish në bankën e tretë më të madhe në vend (12.75%), një pozicion që ia kishte zënë prej më shumë se një viti Banka Credins.

Ekspertët pohojnë se lëvizjen e fundit pritet të kenë një ndikim pozitiv në sistemin bankar, pasi bankat, si më të vogla ashtu dhe më të mëdha, do të vihen nën presion për të rritur eficiencën e tyre.

Sistemi ka edhe disa banka pothuajse inekzistente si International Commercial Bank, United Bank of Albania dhe Credit Bank of Albania, që zënë të treja së bashku, më pak se 1.4% të totalit të aktiveve të sistemit, që dhe ato janë përgjithësisht në shitje.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test