Vrasësi grek kërkon lirimin, avokati Vishaj: Polici jo profesionale, nxjerr me emër dhe foto një të dyshuar

Shqipëria

Vrasësi grek kërkon lirimin, avokati Vishaj: Polici jo profesionale, nxjerr me emër dhe foto një të dyshuar

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 23:17
Devi Kasmi

Të martën, ish-efektivi grek Efthymiou Efthymious, i dyshuar si autor i vrasjes së Devi Kasmit do të kërkojë lirinë në Gjykatën e Apelit.

Avokati i tij Saimir Vishaj, në Ora News thotë se ka besimin tek provat, por jo tek praktika e gjykatave.

"Ne jemi të bindur në pafajësinë e tij por kjo nuk zgjidhet me masa sigurimi por pushimin e çështjes penale. Shumë shpejt do të sqarojmë pozitën tonë proceduriale ku i mbrojturi prej meje nuk ka asnjë lidhje me këtë fakt. Nëse Ministri i Brendshëm dhe deklaratat e policisë janë kategorike atëherë nuk kemi nevojë as për prokurori dhe as gjykata.Nuk kanë asnjë provë dhe asnjë fakt, është një nxitim i policisë. Oficeri i policisë gjyqësore me iniciativën e  tij ka bërë ndalimin pa u konsultuar me prokurorinë, këtu kemi përplasje polici-prokurori.  Ne të martën jemi në Gjykatën e Apelit, është e vështirë që mund ta lirojmë.Termi i pafajsësisë në gjykatat shqiptare është harruar", tha avokati.

Vishaj ndërkaq kritikon punën e policisë.

"Kemi një polici jo profesionale, që nxjerr me emër dhe mbiemër, portretin e  personit të dyshuar ndërkohë që nuk ekziston një nga parimet bazë që është instituti i prezumimit të pafajësisë", u shpreh ai.

Sipas Vishaj, shtetasi grek nuk ka asnjë lidhje me viktimën dhe as vrasjen e tij.

"Shtetasi grek nuk njihet fare, nuk ka asnjë lidhje me viktimën, asnjë motiv. Është shprehur disa herë që është person i Forcave Speciale, është përgatitur për të ruajtur jetë njerëzish jo për të marrë jetë njerëzish.Edhe prokuroria ka hedhur poshtë. Ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të ligjshme me dy shokë që shumë shpejt do t'ia paraqes prokurorisë për ti pyetur. Ka hyrë nga Kakavija me një fuoristradë me bashkëfshatarin e vet dhe ka hyrë për pak ditë me pushime.Jam i bindur në pafajësinë e tij dhe vetë familjarët duhet të shikojnë se nuk është i mbrojtur prej meje autori i kësaj vrasje.Jemi në fazë hetimi nuk mund të flasim as për bandë as grup të strukturuar kriminal, bëhet fjalë për disa armë të gjetura në vendngjarje. Sa kohë kemi një vepër penale 'armëmbajtje pa leje' nuk mund të bëhet fjalë për një grup të një formë të veçantë bashkëpunimi", theksoi avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat