Malaj: Tre mënyra si Konsujt e Nderit ndikojnë pozitivisht në tërheqjen e investimeve

Shqipëria

Malaj: Tre mënyra si Konsujt e Nderit ndikojnë pozitivisht në tërheqjen e investimeve

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 20:43
Pamje nga emisioni

Eksperti i ekonomisë, por edhe Konsulli i Nderit të Austrisë, Arben Malaj shpjegoi rolin që ka diplomacia ekonomike në tërheqjen e investimeve.

I ftuar në emisionin e lajmeve në Ora News, me gazetaren Ilva Tare, Arben Malaj argumentoi tre mënyra sesi konsulli i nderit të një vendi ndikon pozitivisht në tërheqjen e investimeve.

Pjesë nga deklarata e Arben Malajt

Ilva Tare: A ka rol diplomacia ekonomike në tërheqjen e investimeve?

Arben Malaj: Unë besoj po, dhe po ju them modelin e Austrisë që unë me kënaqësi e përfaqësoj si konsull nderi. Shteti i Austrisë ka vetëm 70 ambasadorë dhe ka 700 konsuj nderi për të thjeshtuar kontaktet dhe për të promovuar mundësitë e saj. Në këtë aspekt patjetër që konsujt e nderit mund të ndikojnë, sepse disa prej tyre vijnë nga biznesi, një pjesë vijnë nga eksperienca qeveritare, një pjesë e tyre vijnë nga studiot më të mira ligjore dhe vendosin kontakte të drejtpërdrejtë. Shpesh herë biznesi nuk është se orientohet nga deklaratat që bëjnë qeveritë. Ata duan ta dinë si vepron realiteti ekonomik, a është ai mikëpritës dhe si është klima brenda. Kjo është mënyrë e parë.

E dyta që konsujt e nderit mund të ndikojnë pozitivisht është që disa nga shqetësimet që kanë investitorët potencialë i ndajnë më shpejt me konsujt e nderit dhe si të thuash është një kanal pozitiv për ti treguar qeverisë se çfarë realisht pengesash ka.

Së treti konsujt e nderit mund të ndikojnë që asistenca që jepet për krijimin e kapaciteteve, për reformat në gjyqësor, në legjislacionin tregtar, në kualifikime dhe trajnime të orientohet aty ku ekonomia shqiptare mund të funksionojë më mirë si për biznesin vendas dhe të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat