Përdornin si karrem një bionde, gjykata jep vendimin për bandën e grabitësve në Tiranë

Shqipëria

Përdornin si karrem një bionde, gjykata jep vendimin për bandën e grabitësve në Tiranë

Më: 5 mars 2018 Në ora: 18:26
ilustrim

Katër të rinj janë dënuar me 21.5 vite burg nga Gjykata e Tiranës, për katër episode vjedhjesh me dhunë të kryera në kryeqytet në pranverën e vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë, ata përdornin si karrem një vajzë 23-vjeçare për t’u tërhequr vëmendjen kalimtarëve, të cilët më pas i dhunonin dhe u merrnin sendet me vlerë.

Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj katër të rinjve të akuzuar për “vjedhje me dhunë”. Të dënuarit janë tre djem dhe një vajzë 23-vjeçare, që sipas Prokurorisë, përdorej si “karrem” nga tre bashkëpunëtorët e saj për të futur në kurth të dëmtuarit.

Të pandehurit Fation Bushgjokaj, vëllai i tij i mitur A. Bushgjokaj, Elton Leka dhe Kristina Pjetri janë deklaruar fajtorë dhe kanë marrë dënime që varionin nga 4 deri në 7.5 vite heqje lirie, ndërkohë që përfituan uljen e 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Provat e paraqitura nga Prokuroria kanë bindur Gjykatën për të paktën 4 episode kriminale, të shënuara në 29, 30 e 31 Mars dhe 1 Prill 2017, ku të pandehurit përmes dhunës fizike dhe psikologjike u kanë marrë katër qytetarëve të ndryshëm aparatet celularë, portofolët, si edhe sende me të tjera me vlerë.

Në vendimin e gjykatës, një kopje e të cilit u siguria nga “ABC News” zbardhen episodet e vjedhjeve të dhunshme dhe roli i vajzës në to.

Sipas rrëfimit të të dëmtuarit me iniciale F. K. mbrëmjen e 1 Prillit 2017 teksa teksa po kalonte në rrugën dytësore pranë Kthesës së Kamzës, një vajzë bionde me trup të imët e veshur me kostum sportiv i ka dalë para duke i kërkuar telefonin për të kryer një telefonatë. Më pas, aty janë afruar të pandehurit e tjerë, të cilët i kanë marrë telefonin dhe portofolin dhe e kanë goditur.

Pranë të njëjtës zonë, i dëmtuari me iniciale O. H. ka treguar për prokurorët se i kishte dalë para një vajzë rreth të njëzetave, që i ka kërkuar t’i shtyjë pak makinën. Në ato momente, aty janë afruar miqtë e saj, që e kanë grabitur.

Katër të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan nga operacioni i koduar “Gracka” në ditët e para të Prillit të vitit të kaluar. Pas ndalimit, një prej tyre u “zbërthye” para prokurorëve duke zbardhur gjithë veprimtarinë e tyre si edhe vendin, ku i kishin fshehur sendet e vjedhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat