Zyrtare/ Qeveria vendos taksë për apartamentet e bizneset në gjithë vendin

Shqipëria

Zyrtare/ Qeveria vendos taksë për apartamentet e bizneset në gjithë vendin

Më: 8 mars 2018 Në ora: 14:35
Pamje nga takimi

Nga 1 prilli, të gjitha shtëpitë dhe dyqanet do të nisin të paguajnë taksën e re të pronës. Qeveria miratoi dje vendimin me metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të ndërtesave dhe nëngategoritë e tyre, duke përfshirë garazhet dhe bodrumet.

Taksimi i pronave, sipas metodologjisë së re që u miratua nga qeveria, përmbush një nga kërkesat më të shpeshta të ndërkombëtarëve në këto 10 vjet për reformimin e taksës.

Taksa e re e ndërtesave do të llogaritet për shtëpitë sa 0,05 për qind e vlerës dhe për dyqanet sa 0,2 për qind e vlerës. Llogaritja e taksës do të bëhet me të dhënat për shtëpitë dhe dyqanet që do të hidhen në kadastrën fiskale dhe do të administrohen nga pushteti vendor. Taksa e re do të administrohet nga pushteti vendor, ndërsa për arkëtimin e saj do të merret vendimi nga këshillat bashkiake.

“Panorama” boton të plotë vendimin e qeverisë me metodologjinë për llogaritjen e taksës së re. Vendimi i qeverisë përcakton se për llogaritjen e vlerës së shtëpisë do të përdoren çmimet fiskale të miratuar me udhëzim të Kryeministrit në dhjetor të 2016-ës. Çmimet fiskale referencë përdoren aktualisht në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

“Kur vlerësimi, sipas pikave 1.1 dhe 1.2 më lart është i pamundur, çmimi i vlerësuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore do të korrespondojë me çmimin mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi sipas qyteteve, të përcaktuara në aneksin 1, që i bashkëngjitet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, thuhet në dokument.

Vendimi përcakton se nëse çmimi për metër katror për banesë, i vënë në dispozicion nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe çmimet minimale fiskale janë të ndryshme, atëherë merret si çmim vlerësues ai çmim që ka vlerën më të lartë. Vendimi përcakton se për shtëpitë e privatizuara para vitit 1993, do të llogariten me 70 për qind të vlerës.

Vlera 30 për qind do të zbritet nëse për apartamentin më parë nuk është kryer asnjë transaksion. E njëjta logjikë do të përdoret edhe në rast se për shtëpitë e privatizuara para vitit 1993 nuk llogaritet sipërfaqja, taksa do të llogaritet me 70 për qind të vlerës.

Për llogaritjen e vlerës së shtëpisë bazuar në kontratat e shitblerjes së hipotekave të 3 viteve të fundit, vendimi përcakton se si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës së regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Vendimi i qeverisë parashikon edhe llogaritjen e taksës për dyqanet.

Për ndërtesat ku zhvillohet aktivitet ekonomik, taksa do të paguhet sa 0,2 për qind e vlerës së dyqanit. Vlera e dyqanit për Tiranën do të llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve. Për qytetet e tjera, çmimi i vlerës së dyqaneve do të jetë 1,5 herë më shumë se çmimi për metër katror i apartamenteve. Me taksimin e ri, qeveria ka përfshirë edhe garazhet dhe bodrumet e mbyllura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat