Trupi i groposur në Fier, dyshime për vrasje. Mister valixhja që iu gjet afër

Shqipëria

Trupi i groposur në Fier, dyshime për vrasje. Mister valixhja që iu gjet afër

Më: 9 mars 2018 Në ora: 09:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje e rëndë është zbuluar pasditen e së enjtes në fshatin Daullas të Fierit. Banorët e zonës kanë parë rastësisht në një kanal kufomën e një burri.

Menjëherë janë lajmëruar uniformat blu dhe mjekësia ligjore, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë mbetjet e trupit të dekompozuar. Ende nuk dihet se kujt i përket kufoma. Paraprakisht, hidhen dyshime se viktima, mosha e të cilit nuk mund të përcaktohet, mund të jetë vrarë e më pas groposur në kanal.

Duke këqyrur trupin, ekspertët hedhin dyshime se kufoma mund të ketë rreth një vit që është groposur. Nisur nga ky fakt, edhe pse ende e pakonfirmuar, dyshohet se kufoma i përket 36- vjeçarit K.B., i zhdukur në qershor të vitit të kaluar. I riu u zhduk pa lënë gjurmë, u denoncua nga familjarët, të cilët kishin humbur kontaktet prej ditësh me të. Edhe pse u denoncua, në atë kohë nuk pati të dhëna rreth tij.

Burime konfidenciale tregojnë se Policia ka pasur një informacion të sigurt se ai mund të ishte vrarë dhe varrosur në një kanal. Ende nuk ka asgjë të konfirmuar nga Policia. Kjo e fundit, deri në orët e vona të së enjtes, nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen, e cila konsiderohet nga më makabret të ndodhur këto kohë në Fier.

I zhdukuri i qershorit të vitit të kaluar punonte në një biznes të vogël familjar, ku merrej me lyerjen e automjeteve. Por, sidoqoftë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të vërtetojë në bazë të ADN-së nëse ky skelet ka lidhje me 36-vjeçarin apo i përket ndonjë ngjarjeje tjetër të pazbuluar më herët.

Tashmë kanë nisur hetimet dhe po shihen të gjithë regjistrat e denoncimeve për humbje personi të ndonjërit, ndërsa mjekët ligjorë kanë nisur punën për ekzaminimin e ADN-së për të bërë më pas identifikimin e kufomës. Në kanalin ku ishte groposur kufoma, është gjetur gjithashtu dhe një batanije dhe një valixhe. Kjo ka bërë që hetuesit të dyshojnë se ai është vrarë dhe më pas mbështjellë me batanije.

Ndonëse nuk përjashtohet mundësia edhe e vdekjes natyrale të ndonjë endacaku, pista më e dyshimtë për momentin mbetet ajo e një vrasjeje të mundshme. Ndërkaq, mbetet e mistershme valixhja që është gjetur pranë kufomës. Trupi është dërguar pranë mjekësisë ligjore nga ku do të konfirmohet më me hollësi nëse ka shenja plumbi e dhune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat