Kërcënimi i Ballës për Bashën: Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë

Shqipëria

Kërcënimi i Ballës për Bashën: Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë

Më: 29 mars 2018 Në ora: 17:02
Taulant Balla

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka komentuar sot reagimet për tarifën e vendosur për automjetet që kalojnë në Rrugën e Kombit.

Ai e ka ftuar kreun e PD Lulzim Basha të bëjë kallëzim në Prokurori, teksa tha se “afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë”.

Pjesë nga fjala e Ballës:

Diskutimi për Rrugën e Kombit, rrugën Durrës-Kukës, për Lulzim Bashën është si për një person që kthehet në vendin e krimit. Diskutimi për këtë çështje është pikërisht rikthim në vendin e krimit. Meqenëse paska shkelje, Lulzim, hajde bëje kallëzim penal në Prokurori, se kjo çështje nuk është mbyllur. Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë.

Që të jemi korrektë edhe me shifrat, se ju nuk e keni problem të shtoni zero, të hiqni zero, të shtoni dhjetëshe, të zbrisni dhjetëshe: është 229.87 milionë dollarë dëmi në rrugën Durrës-Kukës, i vërtetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por ç’thoshte Lulzimi në 2006, kur ishte ministër i Transporteve?

Në Kuvendin e Shqipërisë, seancë plenare 25.07.2006, ora 10:00, drejton seancën Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Lulzim Basha thotë: “Kjo është një rrugë me një vlerë jo më pak se 400 milionë dollarë. Ndërtimi i kësaj vepre parashikohet të përfundojë para sezonit turistik në vitin 2009. Sigurisht mirëmbajtja e kësaj rruge do të bëhet përmes procesit së koncesionimit.“

Lulzimi në 2006 – kur rruga ishte ende pa projekt, pa studim gjeologjik, e pafilluar – thoshte që kjo rrugë do të jetë 400 milionë dollarë. Rruga shkoi 1.3 miliardë dollarë dhe nuk mbaroi. Tani për ta mbaruar duhen edhe 200 të tjera. Bëhuni të sinqertë! Këtë diskutim e kemi bërë para një viti, kur ne ishim në qeveri bashkë me ish-miqtë tanë të LSI dhe kur ju ishit prapë në opozitë, siç jeni edhe sot, të gjithë e kemi ditur që kjo rrugë do të jetë kështu.

Unë dhe Erjon Braçe në 2012 kemi thërritur në interpelancë ish-ministrin, të ndjerin Sokol Olldashi. Në interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë, në 2012, ish-ministri i asaj kohe – gënjeu Saliu – ka thënë pikërisht se ky do të jetë një proces koncesionimi me tarifim, me toll, ku tarifa maksimale do të variojë në varësi të tipit të automjetit.

Që kësaj partisë këtu i është dëmtuar rëndë shtylla kurrizore, kjo nuk ka më dyshim. Por që të hidhni hi syve me firmën, me zërin, me shkresat që i keni miratuar vetë, kjo sigurisht nuk ju bën nder.

Pikërisht, sa herë që flitet për rrugën Durrës-Kukës do të kujtohet edhe dëmi ekonomik që i ka shkaktuar papërgjegjshmëria e Lulzim Bashës, i cili në këtë Kuvend deklaronte se: “Lidhjen e kontratës për ndërtimin e segmentit Kalimash-Morinë nuk e kemi bërë sipas ligjit shqiptar, por e kemi bërë sipas ligjit anglez.” Ky, juristi i madh holandez, i cili mori në qafë edhe kosovarët kur bënte përkthimet gabim për çështjet dhe dosjet e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat