Trafiku i njerëzve, Voda: Do ketë arrestime. S'kam të dhëna për implikim të pushtetarëve

Shqipëria

Trafiku i njerëzve, Voda: Do ketë arrestime. S'kam të dhëna për implikim të pushtetarëve

Më: 30 mars 2018 Në ora: 17:13
Rovena Voda

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka deklaruar se nuk ka informacion në lidhje me ato që ambasadori Lu deklaroi se pushtetarë të votuar kanë trafikuar vajza për skllavëri.

E ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Voda theksoi se në qendër të operacionit Forca e Ligjit janë pikërisht edhe grupet kriminale të trafikut të qenieve njerëzore.

Pyetje: U duk sikur fliste për drejtues konkret, të votuar kur thoshte ju neveris, si është informacioni që ju keni a ka hetime apo të dhëna që ka ministria e Brendshme për drejtues të lartë që janë dhe trafikantë të grave dhe vajzave?

Voda: Unë nuk kam të dhëna konkrete për  këtë gjë dhe nuk më lejohet edhe për shkak të pozicionit që kam. Ne jemi 4 zv/ministra, unë mbuloj migracionin, azilin, shtetësinë edhe koordinator kombëtar për trafikimin e qenieve njerëzore. Trafikimi i qënieve njerëzore është një nga veprat penale më të rënda dhe ndoshta e kuptoj ambasadorin amerikan kur thotë që ndjej neveri. Jo më kot ministria e Brendshme pak kohë më parë ka miratuar operacionin Forca e Ligjit, ku në fokus janë një sërë veprash penale dhe grupe kriminale të caktaura që merren me to, pse jo edhe grupet kriminale që merren me trafikimin e qënieve njerëzore.

Voda paralajmëroi se do të ketë edhe arrestime sa i përket këtyre grupeve kriminale që trafikojnë njerëz.

Voda: Ky është vetëm fillimi, forca e ligjit do të godasë fort dhe pa mëshirë. Është një angazhim i ministrisë së Brendshme, sic e thotë edhe ministri që prioritet i prioriteteve është lufta kundër krimit të organizuar dhe pse jo edhe rrjete kriminale që merren me trafikimin e qënieve njerëzore.  Megjithëse nga një analizë që i është bërë situatës grupeve kriminale në Shqipëri pjesën më të madhe e zënë ato që merren me trafikun e narkotikëve dhe ato që merren me trafikimin e qënieve njerëzore zënë një përqindje më të vogël, gjithësesi është në fokus të operacionit Forca e Ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat