Zgjidhje brenda 60 ditëve, Rama: Ndjesë që nuk kam sqaruar, abone për banorët e Kukësit

Shqipëria

Zgjidhje brenda 60 ditëve, Rama: Ndjesë që nuk kam sqaruar, abone për banorët e Kukësit

Më: 31 mars 2018 Në ora: 21:11
Edi Rama

Teksa paralajmëroi vandalët se nuk do ti shpëtojnë dënimit, kryeministri Rama në një dalje për mediat ka kërkuar ndjesë për mungesën e një sqarimi të plotë për qytetarët lidhur me tarifën e Rrugës së Kombit.

Ai tha se brenda 60 ditëve do të nisë komunikimin intensiv me komunitetet e zonës për t'u shpjeguar lehtësirat.

Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të ulet në një tryezë me kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, teksa paralajmëroi këshilltarët socialistë që kanë thirrur protestën për përjashtim nga PS.

Rama: Brenda jo më shumë se 60 ditëve, ne do vazhdojmë të komunikojmë intensivisht, jo vetëm me kompaninë, por dhe me komunitetet e zonës dhe me të gjithë grupet e interesit, jo vetëm për t’u shpjeguar të gjithëve të vërtetën, por edhe për të bërë atë që kemi në plan, më të mirën e mundshme për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, që banojnë në të gjithë zonën e Qarkut të Kukësit. 

 Ndërkohë që, pasi dje kryetari i Bashkisë së Kukësit më ka kërkuar me shkrim një takim për këtë temë, unë do të ulem me të qysh të hënën për të bashkëbiseduar, sigurisht duke shpresuar se deri të hënën, ai do të jetë distancuar jo nga kundërshtia për pagesën, por nga dhuna kriminale e ditës së stome.

 Po ashtu, çdo këshilltar socialist i Bashkisë së Kukësit, që ka ngritur dorë qorrazi, apo me vetëdije për thirrjen e pseudoprotestës së ngjizur me urdhër nga Tirana për realizmin e shfaqjes së sotme të barbarisë së dhunshme, e ka humbur po sot, të drejtën që të jetë pjesë e familjes sonë politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat