Tubimi për të ndaluarit e protestës/ Djali i njërit prej tyre: Babai im është 60 vjeç, s’më lejojnë që…

Shqipëria

Tubimi për të ndaluarit e protestës/ Djali i njërit prej tyre: Babai im është 60 vjeç, s’më lejojnë që…

Më: 2 prill 2018 Në ora: 09:29
Protesta ne Kukes

Disa nga 23 protestuesit e arrestuar në Kukës janë transportuar në kryeqytet, duke u izoluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e në disa prej Komisariateve.

Pas transportimit të qytetarëve të arrestuar nga Kukësi në Tiranë mbrëmjen e djeshme, familjarët, por edhe qytetarë të ndryshëm të kryeqytetit kanë nisur një tubim rreth orës 19:00, duke protestuar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Familjarët dhe qytetarët kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve nga Policia.

“Lironi shqiptarët, arrestoni grabitqarët” ishin disa nga thirrjet e qytetarëve para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aktivistja e shoqërisë civile, Brizida Gjikondi, u shpreh se Policia nuk po lejon familjarët dhe avokatin që të takojë protestuesit e ndaluar.

“Nuk shoqërohen kuksianët në Tiranë. E ndalon ligji. Këtu nuk lejohet edhe avokati që t’i takojë”, tha ajo. Djali i njërit prej personave të arrestuar u shpreh se babai i tij, Lulzim Popa, është 60 vjeç dhe mbahet në qeli, ndërsa shtoi se nuk e lejojnë që ta takojë.

Më tej, disa prej protestuesve janë futur në korridoret e Drejtorisë së Policisë, duke sjellë edhe një lloj tensionimi të situatës.

Protesta e nisur në orën 19:00 para Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, madje edhe me disa incidente të vogla, pasi disa prej protestuesve kanë tentuar të futen në ambientet e brendshme.

Përplasja mes protestuesve dhe Policisë është shmangur nga kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi, që ka ndërhyrë duke qetësuar situatën. Pjesëmarrësit janë shtuar dhe kërkojnë që të lirohen ata që po mbahen në Polici, që sipas tyre është e jashtëligjshme.

Me thirrjet: “Lironi protestuesit”!, “Rama ik”, “Lironi vëllezërit tanë”!, qytetarët kanë protestuar deri në orët e vona. Në një moment situata është tensionuar, pasi qytetarët hyjnë në ambientet e pritjes në Drejtorinë e Policisë. Disa prej protestuesve e quajnë të padrejtë transferimin e të arrestuarve nga Drejtoria e Policisë së Kukësit në drejtim të Drejtorisë së Policisë dhe Komisariateve të Tiranës.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mbahen 13 të arrestuar, në Komisariatet nr.1 dhe nr.2 ndodhen 4 të tjerë, ndërsa 3 të ndaluar ndodhen në Komisariatet e tjera të kryeqytetit.

Me dhjetëra qytetarë kanë protestuar para Komisariatit të Policisë së Kukësit për lirimin e 23 personave të arrestuar për dhunën e ushtruar gjatë protestës në Tunelin e Kalimashit, ku u dogjën sportelet për pagesën e tarifës së Rrugës së Kombit.

Gjatë protestës, qytetarët kërkuan lirimin e të ndaluarve, largimin e forcave të shumta të policisë nga qyteti, si dhe anulimin e tarifës për rrugën.

“Edi Rama, lironi djemtë tanë! Kriminelë, hajdutë! Jemi mbledhur, se nuk jemi dakord me    këtë taksë, e para, të lirohen vëllezërit tanë dhe taksa të rishikohet, sa herë të rregullohet atje, do të digjet prapë. Nesër do të jemi prapë atje”, deklaroi një prej pjesëmarrësve.

“Nuk jemi për parti, jemi kundër prishjes së pronës private, por ajo dje ishte pronë hajdute. Nëse është shtet, ai vjen ditën dhe hyn në shtëpi dhe jo natën. Ne kemi prishur objektin e hajdutëve, jo atë private. Rama të marrë masa të lirojë djemtë, se protesta do të përshkallëzohet”, bëri thirrje një tjetër protestues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat