BE përzgjedh ekspertët që do të spastrojnë sistemin e drejtësisë

Shqipëria

BE përzgjedh ekspertët që do të spastrojnë sistemin e drejtësisë

Më: 11 prill 2018 Në ora: 16:31

Bashkimi Europian ka marrë masa për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Sytë tashmë janë te vetingu dhe sapo të dalin rezultatet për emrat prioritarë do të nisë puna për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pak ditë më parë gazeta nxori një lajm që në Tiranë do të vijnë 8 ekspertë të BE, që do të asistojnë në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Bëhet fjalë për misionin EURALIUS V, i cili brenda muajit prill vjen në Tiranë. 

Sipas afateve të nxjerra në faqen e këtij institucioni, është mbyllur procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për të ardhur në Tiranë dhe tani pritet vetëm zyrtari i 8 emrave që do të ngrenë KLGJ, KLP, SPAK dhe organet e tjera.

Misioni EURALIUS IV e përfundoi mandatin dhe tani do vijë një tjetër mision me drejtues dhe staf të ri, që do të merret me zbatimin e reformës në drejtësi. “Objektivi kryesor është forcimi i pavarësisë, transparencës, efiçencës dhe besimit publik në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sipas kuadrit të BE dhe praktikave më të mira. Projekti synon rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare si Parlamenti, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, gjykatat, këshilli i prokurorëve, Prokuroria e Përgjithshme, zyra të tjera të prokurorisë, inspektorët e lartë të drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, etj.

Pas miratimit të amendamenteve kushtetuese të korrikut 2016 dhe të disa ligjeve, EURALIUS V do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi”, thuhet në faqen e EURALIUS.

Roli i ekspertëve

Sa i takon ekspertëve, në dokument thuhet se do jenë 8 persona që do vijën në Tiranë, të cilët do kenë nga 15-20 vite përvojë. Pjesë e grupit do të jetë një ekspert i çështjeve ndërkombëtare. Ai do të jetë me mbi 20 vite përvojë dhe do të monitorojë apo asistojë Ministrinë e Drejtësisë dhe Parlamentin në zbatimin e reformës në drejtësi. Dy ekspertë të tjerë, që do të jenë me nga 15 vite përvojë, do të jenë përgjegjës për ngritjen e KLGJ, KLP, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe KED. Po ashtu do jenë përgjegjës për zhvillimin e karrierës së gjykatësve e prokurorëve si dhe hetimet disiplinore të tyre.

Një ekspert do të jetë në fushën e ndjekjes penale. Edhe ai do të jetë me 15 vite përvojë dhe fokusi i tij do të jetë prokuroria dhe ngritja e organeve të luftës ndaj korrupsionit, pra SPAK dhe Byroja e Hetimit. Ky ekspert do të japë asistencë në mirëfunksionimin e prokurorisë dhe gjykatave në luftën ndaj korrupsionit. Një tjetër ekspert do të jetë në fushën e teknologjisë.

Ai do të asistojë në instalimin e rrjeteve të gjykatave online dhe prokurorive si dhe sistemeve që do të jenë për çështjet apo ruajtjen e të dhënave për gjyqtarët, prokurorët, etj. Pjesë e grupit do të jetë një ekspert që do të mbështesë Shkollën e Magjistraturës dhe do merret me trajnimin e stafeve të gjykatave dhe prokurorive, sidomos gjyqtarëve dhe prokurorët të rinj. Një tjetër ekspert do të jetë për çështjet civile dhe pronat, ku dhe ai do asistojë institucionet e drejtësisë. Po ashtu do të ketë ekspertë në fushën ekonomike, të cilët do të jenë me përvojë 8-10 vjet dhe do të merren me trajnime në fushën e buxheteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat