Kardhiq-Delvinë jo me PPP, projekti me paratë e buxhetit

Shqipëria

Kardhiq-Delvinë jo me PPP, projekti me paratë e buxhetit

Më: 18 prill 2018 Në ora: 17:26
Kardhiq-Delvinë

Përfundimi i 16 kilometrave të rrugës Kardhiq-Delvinë do të bëhet me fondet e buxhetit të shtetit dhe jo me formulën Partneritet Publik-Privat. Qeveria është tërhequr në të paktën një nga 6 projektet në rrugë që ishin pjesë e programit “One billion euro”, për të cilin edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu rezerva dy javë më parë.

Ndryshe nga sa u miratua në ligjin për buxhetin 2018, rruga Kardhiq-Delvinë do të realizohet me paratë publike dhe jo me investim privat, i cili më pas do të shlyhej në vite nga shteti.

Përfundimi i këtij aksi do të kushtojë 80 milionë dollarë dhe do të lidhë një nga nyjet më të rëndësishme të turizmit, Sarandën, me rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë, duke shmangur qafën e Muzinës, një aks malor dhe i vështirë për automjetet.

Fillimi i punimeve pritet të nisë brenda muajit Qershor për tre lote, e ndërsa vitin e ardhshëm do të përfundojnë edhe 2 segmentet e fundit të rrugës. Projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë është tenderuar në vitin 2009 me një gjatësi totale prej 32 kilometrash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat