Paloka: Bashkimi dhe afrimi nuk garantohet vetëm nga statuti i PD, duhet...

Shqipëria

Paloka: Bashkimi dhe afrimi nuk garantohet vetëm nga statuti i PD, duhet...

Më: 24 prill 2018 Në ora: 19:15
Grupi i Partise Demokratike

Statuti i ri i Partisë Demokratike, për nënkryetarin Edi Paloka, garanton rregulla të qartë brenda kësaj force politike dhe i jep përgjigje të gjithë problemeve,  të cilat muaj më parë ricikluan një debat dhe përçarje të brendshme.

Paloka  thotë se bashkimi dhe afrimi i kontributeve nuk mund të garantohet vetëm nga statuti por gjithçka varet nga vullneti politik  i palëve, ndërsa e cilëson të pa drejtë qëndrimin e  ish-funksionarëve që siç thotë ai kanë marrë shumë nga Partia Demokratike dhe refuzojnë bashkëpunimin me kryetarin Lulzim Basha.   

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, thotë për "Ora News" se projekt-statuti që u diskutua në Këshillin Kombëtar dhe që do të miratohet në Kuvendin e thirrur të dielën 29 prillit, është një dokument që sanksionon rregulla demokratikë të funksionimit të kësaj force politike.

Paloka thotë se bashkimi dhe sheshimi i zërave kritik kurrsesi nuk mund të garantohet vetëm nga një dokument siç është statuti, por sipas tij kërkohet vullnet nga të gjithë palët.

“Bashkimi dhe afrimi i njerëzve është çështje vullneti pastaj i gjithësecilit. Sa për kritikët e Bashës, janë shprehur jo vetëm tani por edhe më parë se nuk duan të bashkëpunojnë me Bashën. Prandaj e them që është çështje vullneti. Nuk është normale e përsëris, aq më tepër për figura që me vite edhe kanë kontribuar por edhe kanë marrë shumë nga PD”, thotë ai.

Listat ishin burimi i përçarjes dhe debatit brenda PD, e ky problem sipas Palokës gjen zgjidhje në statut.

“Ju jep mundësinë reale anëtarëve të zgjedhin se nga kush duan të përfaqësohen qoftë në strukturën e PD,  por ajo që është më e rëndësishme edhe për kandidatët për deputetë”, sqaron ai.

Me statutin e ri Kryesia e PD-së tkurret pothuajse me gjysmen e anëtarëve, por Paloka mohon se ky vendim te jetë marrë për të perjashtuar zerat kritik.

“Menduam të rikthehemi në numrat e dikurshëm të Kryesisë së PD-së e cila ishte vërtet një organ funksional dhe që merrte dhe ajo vendime të rëndësishme nga ata që quhen kundërshtarët të Bashës, edhe ata e kanë pasur të njëjtin objektiv”, thotë Paloka.

Duke komentuar rikthimin e Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar, nënkryetari i PD-së thote se vendimi nuk duhet të lidhet me emra konkretë, por me vlerësimin e kontributeve.

“Përderisa janë të gjithë ish-funksionarë të tjerë, Presidentë, kryeministër, kryetar partie, edhe kryetarët e parlamentit janë figura që kanë dhënë për PD dhe janë nga funksionarët e lartë të PD-së”, shprehet ai.

Të dielën, më shumë se 7 mijë delegatë do të miratojnë statutin e ri te PD, mbledhje ne te cilën janë ftuar edhe kritiket me te forte te Bashes, si Jozefina  Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe  Majlinda  Bregu.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat