Tender 90 milionë euro për hekurudhën Tiranë-Durrës. Linja e re deri në aeroport

Shqipëria

Tender 90 milionë euro për hekurudhën Tiranë-Durrës. Linja e re deri në aeroport

Më: 26 prill 2018 Në ora: 11:49
Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi dje për hapjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë- Durrës-Rinas.

Afati për dorëzimin e dokumenteve të fazës së parë parakualifikuese është deri më 31 maj të këtij viti. Projekti do të financohet nëpërmjet një huaje, që qeveria ka marrë nga BERZH dhe nëpërmjet financimit të granteve nga Bashkimi Europian. Rehabilitimi i linjës ekzistuese dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore për në Rinas pritet të përfundojë në 2020. Fatura e projektit llogaritet në vlerën e 90,5 milionë eurove.

PROJEKTI

Projekti synon rehabilitimin e linjës ekzistuese dhe ngritjen për herë të parë të një linje hekurudhore me Aeroportin e Rinasit. Në total, kostoja e projektit llogaritet në vlerën e 90,5 milionë eurove. Qeveria ka siguruar një hua me terma të butë nga BERZH me vlerë 36.9 milionë euro, ndërsa 35.4 milionë euro do të financohen me grante të Bashkimit Europian. Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese me gjatësi 34.2 km, ndërsa linja e re hekurudhore nga Kashari për në Aeroportin e Rinasit do të ketë gjatësi 5 km.

Më herët, gjatë miratimit të marrëveshjes së huasë të marrë te BERZH, qeveria parashikon se projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2020. “Kostoja totale e projektit është 90.5 milionë euro. Përveç huasë nga BERZH, kjo kosto do të financohet edhe nga granti prej 35.4 milionë euro i Bashkimit Europian.

Vlera e TVSH-së dhe kostos lokale është parashikuar të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për periudhën 2017- 2019, në programin “Transporti hekurudhor”. Projekti parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2020″, thuhej në relacionin e marrëveshjes. Qeveria synon që me realizimin e këtij projekti të përmirësojë infrastrukturën hekurudhore, duke garantuar sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave e udhëtarëve, si dhe rritjen e efikasitetit të transportit.

Projekti mundëson edhe mbrojtjen e mjedisit, si rezultat i reduktimit të ndotjes së ajrit nga transporti rrugor. Pritet që me këtë projekt qeveria pritet të rikthejë stacionin e trenit në Tiranë. Shkak i rikthimit të ish-stacionit është ulja e numrit të udhëtarëve pas zhvendosjes së stacionit në zonën e Kasharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat