PD publikon draftstatutin e propozuar për miratim në Kuvendin e së dielës

Shqipëria

PD publikon draftstatutin e propozuar për miratim në Kuvendin e së dielës

Më: 26 prill 2018 Në ora: 22:02
PD

Partia Demokratike ka publikuar në faqen e saj draftstatutin e miratuar me votë unanime në Këshillin Kombëtar.

PD njofton se ky draftstatut do të diskutohet dhe do të propozohet për t’u miratuar në mbledhjen e së dielës të Kuvendit Kombëtar.

Risitë kryesore të draftstatutit të PD bazohen në 3 shtylla kryesore që garantojnë zgjerimin e demokracisë së brendshme dhe përfshirjen e anëtarësisë në vendimmarrje.

PD thekson se draftstatuti siguron garë të ndershme dhe të barabartë në të gjitha nivelet, duke nisur nga kryetari i partisë. Transferon pushtetin në organet kolegjiale, duke forcuar Kryesinë, Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kombëtar. Vendos sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve. Kryetari zgjidhet me 1 anëtar, 1 votë nga anëtarësia, por shkarkohet me propozimin e gjysmës së Këshillit Kombëtar dhe me miratimin e Kuvendit Kombëtar.

Parimi “1 anëtar, 1 votë” zbatohet për konsultimin e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve garanton sipas rregullave të reja statutore që procesi i përzgjedhjes së kandidaturave të jetë demokratik dhe transparent:

I hapur për propozime. I bazuar në kritere të shpallura. I bazuar në konsultimin e anëtarësisë. I bazuar në respektimin e kritereve të karrierës në parti. I votuar në Këshillin Kombëtar.

Statuti i ri zgjeron kompetencat e Këshillit Kombëtar. 15% e anëtarëve të Këshillit mund të propozojnë kandidatura alternative nga ato që propozon Kryetari dhe Kryesia. Miraton marrëveshjet politike para dhe paszgjedhore. Zgjedh anëtarët e Komisionit të Integritetit dhe Etikës. Zgjedh anëtarët e Komisionit Zgjedhor. Zgjedh Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve.

Garantimi i karrierës është një koncept i ri në draftstatut dhe vlerësimi bazohet në kritere të qarta, që do të zbatohen për çdo funksionar dhe të zgjedhur në PD, si kohëzgjatja e anëtarësimit. Kontributi në fushata elektorale. Aktivizimi në jetën politike dhe publike të vendit. Standardet e larta etike të pastërtisë së figurës./T

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat