Rama: Holanda nuk mund të minojë shpresat tona

Shqipëria

Rama: Holanda nuk mund të minojë shpresat tona

Më: 28 prill 2018 Në ora: 14:48
Edi Rama

Holanda nuk mund të minojë shpresat tona, thotë në një intervistë për grupin mediatik holandez, NRC Handelsblad, i njohur ndryshe edhe si nrc.nl, kryeministri Edi Rama.

”Më në fund në kemi në dorë instrumentin për të ndryshuar thellësisht shoqërinë tonë”, thekson Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, historia u shkrua javën e kaluar, kur Komisioni Europian i hapi dyert vendit të varfër ballkanik. Brukseli dëshiron të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Në një takim të veçantë të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor që do zhvillohet në maj, liderët europianë priten të shpalosin këtë plan.

Integrimi në BE është i rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, ku nëpunësit civilë do t’i shërbejnë popullit dhe jo në të kundërt.

Rama, shtatgjatë, politikan ekstravant me profesion piktor, njihet për vendosmërinë e tij. Por, ai e kupton se ka një rrugë të gjatë përpara.

Shqipëria duhet të kriminalizojë korrupsionin, sipas qeverisë së Rutte. Vetëm atëherë do të flasim për më shumë. E kuptoni besoj?

“Në të njëjtën kohë, Holanda shprehet se e ardhmja jonë është në BE. Me fjalë të tjera: Ne do të martohemi. Si të fejuar, duhet të paktën t’i flasim njëri-tjetrit. Ne thjesht po trokasim në derën e BE-së. Nuk jemi futur akoma”.

Vendi juaj është vlerësuar dobët nga barometrat ndërkombëtarë të korrupsionit për dekada. E vërtetë?

“Ne ende kemi shumë për të bërë, por kujtohuni se nga vijmë, shekuj të tërë nën sundimin otoman, pastaj kaosi dhe familja mbretërore, më pas fashizmi, dhe më vonë një diktaturë komuniste vrasëse. Vende të tjera të Europës Lindore që janë anëtare të BE-së kanë pasur demokraci në një të shkuar të largët. Shqipëria nuk e ka pasur një eksperiencë të tillë. Por, tani kemi shpresa”.

Vetëm nëse vende si Hollanda nuk na pengojnë.

“Holanda nuk mund të minojë shpresën tonë. Dhe nëse Shqipëria do të hyjë ndonjëherë, unë dhe Rutte nuk do jemi më kryeministra dhe do të kemi mbetur jashtë kësaj panorame për një kohë të gjatë”.

Si po shkon lufta kundër korrupsionit?

”Në sistemin e gjyqësorit, 21 funksionarë publikë, gjyqtarë të nivelit të lartë dhe prokurorë u nxorrën nga sistemi në një kohë të shkurtë sepse nuk paraqiten shpjegime të arsyeshme për pasurinë e tyre tejet të madhe. E njëjta gjë do të aplikohet në shërbimin e policisë. Ne u kemi dhënë vëzhguesve ndërkombëtare, përfshi një ekspert holandez, mandat kushtetues për të marrë pjesë në këtë operacion. E kemi marrë shumë seriozisht këtë luftë.”

Shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovën fqinje, duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet me serbët. Ju vetë i hodhët benzinë zjarrit duke spekuluar për një bashkim të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kjo, qartësisht, nuk është ajo që dua. Nëpër intervista unë vetëm kam paralajmëruar për të tillë skenarë. Nëse rruga jonë drejt BE-së ndërpritet, atëherë gjëra të çuditshme mund të ndodhin. Alternativat janë të rrezikshme”.

Presidenti i Komisionit Europian, Juncker thotë: ”Ne duhet ta përfshijmë Ballkanin, sepse ne nuk duam të shkojmë në luftë përsëri”.

“Paqja dhe prosperiteti në Ballkan janë gjithashtu të rëndësishme edhe për sigurinë e holandezëve. BE duhet të gjejë zgjidhje strategjike për Ballkanin. Po themi që vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë politikisht dhe ekonomikisht. Kjo është unike nëse kemi parasysh dhunën e luftrave të kaluara. Kjo është e vetëkuptueshme. BE duhet t’i gëzohet kësaj dinamike”.

Sa i madh është rreziku që sinjali i fillimit të negociatave të mos jepet dhe të rinjtë do të mbeten të pakënaqur nga BE?

“Në vendet sllave si Serbia dhe Maqedonia një gjë e tillë është më e ndjeshme. Atje ka një alternativë: Rusia. Propaganda ruse anti-BE ka efekt atje. Jo në Shqipëri. Ne jemi populli më europian në kontinent. Nuk mund të imagjinoj që kjo gjë nuk mund të vazhdojë”.

“Alternativat janë të rrezikshme”, thoni ju. A ka një plan B? Kthimi i familjes mbretërore shqiptare?

“Princi i kurorës, Leka II, i dinastisë së Zogut ndodhet në ish-pallatin e tij në Tiranë. Një kthim i tyre? Mund t’ju them se ka një ndryshim mes mbretërive ballkanike dhe mbretërisë suaj. Princat tanë duan më shumë armët sesa tulipanët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat