Festa e Midhjes, hapet sezoni turistik në Ksamil

Shqipëria

Festa e Midhjes, hapet sezoni turistik në Ksamil

Më: 13 maj 2018 Në ora: 16:29
Hapet sezoni turistik në Ksamil

Këtë sezon përgjatë gjithë bregdetit turistik do të ketë festa kulinarie dhe të traditës për t’u demonstruar turistëve mikpritjen shqiptare.

Nga qendra e Ksamilit, ku me Festën e Midhjes është ngritur sipari i sezonit turistik, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se festat e traditës do të shtrihen përgjatë gjithë sezonit turistik për t’u dhënë mundësi turistëve që krahas natyrës, ata të shijojnë kulinarinë dhe produktet shqiptare.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit shtoi se shumë shpejt do të fillojë edhe projekti “Smile Albania” për t’u ofruar turistëve të huaj, 1 mijë arsye për të buzëqeshur dhe rikthyer në Shqipëri.

Ministri Klosi tha se, ky sezon do të shënojë rritje të numrit të turistëve, çfarë do të thotë më shumë përgjegjësi për institucionet, por edhe bizneset.

Kryetarja e bashkisë, Floriana Koka mbështeti idenë e ministrit Klosi për të risjellë edhe gjatë verës Festën e Midhjes, produktit më të famshëm të zonës.

Ndërsa, ministri Gjiknuri u shpreh se janë të gjitha premisat për një sezon të mrekullueshëm turistik.

Ministrat Klosi dhe Gjiknuri së bashku me kryebashkiaken e Sarandës prenë shiritin e Festës së Midhjes, dhe më pas vizituan panairin me gatime të ndryshme të midhjes, e njohur ndryshe si mbretëresha e liqenit të Butrintit./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat