Në kohën kur Partia Demokratike ka afirmuar një kauzë të re dhe të fuqishme opozitare, duke kërkuar madje edhe dorëheqjen e të dytit ministër të Brendshëm radhazi për mbështetje të trafikut të drogës, kreu i saj Lulzim Basha ka udhëtuar drejt Sofjes ku do të marrë pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane.
Kreu i demokratëve do të shfrytëzojë këtë vizitë për të kërkuar mbështetje për çeljen e negociatave nga vendet anëtare të BE-së në fund të qershorit.
Por pavarësisht pjesëmarrjes në punimet e Samitit ditën e nesërme, Basha do të rikthehet në Tiranë të enjten për të qenë prezent në seancën parlamentare, për të cilën PD ka paralajmëruar se nuk do të zhvillohet në kushte normale.