Tiranë: Shoqatat kërkojnë mbështetje për rastet e dhunës policore

Shqipëria

Tiranë: Shoqatat kërkojnë mbështetje për rastet e dhunës policore

Më: 25 maj 2018 Në ora: 19:14
Tiranë

Në Tiranë, Shtëpia e të Drejtave Njerëzore dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve i kërkuan qeverisë të hapë në çdo drejtori policie Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Kërkesa e këtyre organizatave erdhi pas njoftimeve të shumta për dhunë në repartet policore, dhe pas dyshimeve se një i ri humbi jetën në policinë e Korçës prej dhunës dhe diskriminimit.

Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve kërkuan sot që Policia të hapë sa më parë Zyra për të Drejtat Njerëzore dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Organizatat thanë se nga qytetarët dhe nga media po bëhen denoncime të vazhdueshme për keqtrajtim dhe diskriminimit të arrestuarve brenda reparteve policore.

Përfaqësuesi i Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut, Altin Hazizaj, thotë se shkelja e të drejtave njerëzore në komisariatet policore, arriti kulmin një javë më parë, kur i riu Enea Ftoj, baba i tre fëmijëve, humbi jetën në mjediset e policisë së Korçës, duke dëshmuar se situata vazhdon të keqësohet.

Organizatat theksuan se Avokati i Popullit denoncon për rreth 163 personave të keqtrajtuar nga policia me dhunë fizike, trajtim johuman dhe diskriminim, si dhe arrestime ose shoqërime të paligjshme.

Por vetëm 8 raste janë dërguar në prokurori për ndjekje penale ndaj policëve për këto shkelje të të drejtave.

Ndaj ato kërkuan sot qeverisë dhe policies të hapin Zyrën për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në çdo drejtori policie.

Kjo zyrë pritet të trajtojë ankesat e qytetarëve ndaj forcave të policisë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe rasteve të diskriminimit, shkelje të të drejtave të vetë policëve nga kolegët dhe eprorët e tyre, si dhe informimin dhe trajnimin e forcave policore, për ta kthyer policinë në një institucion që mbron të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët.

Veprimtarët e të drejtave njerëzore kujtuan se hapja e negociatave me Bashkimin Europian kërkon edhe plotësimin e prioritetit numër 5, që është respekti për të drejtat e njeriut dhe eleminimi i diskriminimit.

Ndaj qeveria nevojitet të sigurojë standarte ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thonë ata, si pjesë e përpjekjeve serioze për integrimin e vendit në BE.

Një pjesë e madhe e forcave policore janë trajnuar për respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi, por ky prioritet ende nuk po zbatohet nga policët e thjeshtë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat