Ndryshimi/ Ndërtuesi duhet të pajisë me policë sigurimi blerësin e apartamentit

Shqipëria

Ndryshimi/ Ndërtuesi duhet të pajisë me policë sigurimi blerësin e apartamentit

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 08:15
Pallatet

Të gjithë ndërtuesit që shesin një pasuri të paluajtshme qoftë me funksion banimi apo biznesi duhet që t’i dorëzojnë blerësit një policë sigurimi me afat 10 vjeçar. Bëhet fjalë për ndërtimet e reja që hyjnë në tregun imobilar pasi kanë përfunduar zbatimin sipas projektit për të cilin kanë marrë lejen e ndërtimit.

Kjo kërkesë në vetvete nuk është e re,  pasi është sanksionuar me ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” në vitin 2015 por që deri më tani duket se nuk ka gjetur zbatim për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka kërkuar që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Ministrisë së Drejtësisë të hedhin hedhë hapat e nevojshëm që çojnë në zbatimin e kësaj pike të ligjit.

“T’i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që të plotësojë kuadrin e nevojshëm nënligjor duke parashikuar që kontratat e sipërmarrjes apo ato për shitjen e pasurive të paluajtshme në ndërtimet e reja, të parashikojnë kushte dhe afate për sigurimin e detyrueshëm sipas parashikimit të neni 42 pika 9 të ligjit nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” thuhet rezolutën e Komisionit për Ekonominë dhe Financat për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

Por çfarë thotë në fakt ligji mbi detyrimin e ndërtuesve për të siguruar pasuritë e reja që kalojnë tek qytetarët? Neni 42 pika 9 e ligjit e cila nënvizohet në rezolutën e Komisionit në Ekonomisë dhe Financave sanksionon se: njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së punimeve, ndërtuesi duhet t’i dorëzojë blerësit një policë sigurimi me afat dhjetëvjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, që mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat