Plagosja enigmatike e minatorit 19-vjeçar jashtë spitalit, e ëma lutet për një shpjegim

Shqipëria

Plagosja enigmatike e minatorit 19-vjeçar jashtë spitalit, e ëma lutet për një shpjegim

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 08:19
Nëna e Shkëlqimit

Një 19-vjeçar është gjetur i plagosur rëndë pas mesnatës së të shtunës në trotuarin jashtë spitalit të Bulqizës.

I riu Shkëlqim Spahiu është marrë nën kujdes nga mjekët e spitalit në Bulqizë, por gjendja e rëndë e të riut ka bërë që të transportohet me helikopter për trajtim të specializuar në Tiranë.

Sipas familjarëve, 19-vjeçari i cili punonte në krom, kishte përfunduar turnin në një galeri private të licencuar në Bulqizë dhe kishte marrë rrogën.

Ai pasdite i kishte lajmëruar prindërit se do të shkonte të punonte në një tjetër galeri kromi në Krastë në Martaneshit, por pas disa orësh ata kishin mësuar se djali i tyre ishte në koma.

Nëna e Shkëlqimit, thotë për “tvklan.al” se i biri kishte dy vite që po punonte në galeri duke nxjerrë krom.

“Mbrëmë e kanë sjellë tek spitali në orën 2, e kanë lënë në rrugë. Unë dua të di se kush e kanë lënë në xhade (rrugë) pranë Spitalit të Bulqizës.”

Ajo tha se i biri ka dëmtime nga koka. “Doktorët nuk kanë shpresa”, tha ajo duke kërkuar ndihmë nga shteti për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Nuk e di me kë ka vajtur, a me shokët apo me pronarët. Kur të fillojë me fol do ta tregojë vetë ngjarjen. Nuk e di. Unë dua të di se kush e ka sjellë para spitalit. I kërkoj shtetit drejtësi për djalin tim.”/tvklan.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat