Shqipëria bën përparim në luftën kundër korrupsionit - Bota Sot
Shqipëria bën përparim në luftën kundër korrupsionit

Shqipëria

E enjte, 20 shtator 2018

Shqipëria bën përparim në luftën kundër korrupsionit

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 11:01
Tiranë

Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës, në një raport të publikuar të enjten, njohu përparimin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të tij për parandalimin e korrupsionit te parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por po ashtu kërkoi një sërë përmirësimesh dhe realizimin e reformave në pritje.

Ky Grup i shteteve thekson se Shqipëria, deri më tash, i ka përmbushur plotësisht katër nga dhjetë rekomandimet e lëshuara në raportin e tij të vlerësimit më 2014; gjashtë të tjerat janë zbatuar vetëm pjesërisht.

Raporti i fundit e cilëson si hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Parlamentit, në prill të vitit 2018. Ky kod mbulon çështje të tilla si konfliktet e interesit, aktivitetet shtesë dhe dhuratat.

Megjithatë, në raport shprehet keqardhje për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksionet në rast të shkeljes, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes.

Raporti nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, përfshirë sanksionet, që do ta bënte kodin efektiv.

Raporti e cilëson si hap pozitiv edhe shkurtimin e periudhës së kontrollimit të deklaratave të pasurisë nga ana e deputetëve, si dhe publikimin e tyre në ueb-faqe zyrtare.

Sa u përket gjyqtarëve, një reformë e madhe e gjyqësorit është në proces qysh në vitin 2014, ashtu si edhe procesi i verifikimit për gjykatësit, me qëllim luftën kundër korrupsionit në këtë sektor.

Raporti i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës e mirëpret faktin që, në kuadër të paketës së reformave, roli i presidentit të Republikës në emërimin formal të gjykatësve të Gjykatës së Lartë është kufizuar, me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Zhvillim tjetër pozitiv, sapo të përfundojë reforma, është se funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se ky i fundit do të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

Raporti e konsideron si hap pozitiv edhe krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe inicimin e procedurave disiplinore kundër gjykatësve, edhe pse vë në dukje se posti është ende bosh. Në raport shprehet keqardhje, ndërkaq, për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Sa u përket prokurorëve, raporti thekson përparimin në strukturën ligjore për vlerësimin e tyre, e cila do të përfshijë më shumë kritere në lidhje me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë Prokurorial, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, nuk është themeluar ende.

Në fund, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës u kërkon autoriteteve shqiptare të japin një përditësim rreth zbatimit të rekomandimeve, më së voni deri më 31 mars, 2019./Rel/

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test