Pupovci shpreson ta sfidojë vëllain për titull!

Skijim

Pupovci shpreson ta sfidojë vëllain për titull!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 dhjetor 2016 Në ora: 11:29
Eordejt Pupovci

Fundi i dhjetorit, ka mungesë të borës dhe kjo vështirëson edhe stërvitjet për skiatoret e skiatorët e Kosovës. Të gjithë e presin me padurim edicionin e ri që pritet të fillojë në javën e parë të janarit, megjithatë secili skiator, secili klub ka synimet e veta.  Eordejt Pupovci, skiator i klubit kampion Alpi nga Peja, mëton të rrisë formën dhe të shënojë rezultate më të mira se në edicionin e kaluar. Pupovci garon në disiplinën e sllallomit dhe të sllallomit të madh, por pikësynimi kryesor i tij është ta sfidojë vëllain e tij, Dardanin i cili është kampion në fuqi. “Vitin e kaluar kam qenë me rezultate përkundër që nuk kemi pasur borë të mjaftueshme për me ushtruar”, tha Pupovci për gazetën kombëtare “Bota sot”. Synimet e tija janë që të stoliset me titullin e kampionit: “Sivjet synoj titullin e kampionit edhe pse titulli është të vëllai Dardani dhe nuk është larg familjes”. Megjithatë, pretendon të përgatitet sa më mirë për garat e sllallomit dhe të sllallomit të madh me objektiva të qarta: ta sfidojë vëllain.

“Do ta shohim në gara se a mund ta sfidojë apo jo vëllain. Synimet janë me arritur me të mirën, të tjera ia lëmë kohës”, theksoi skiatori. 23-vjeçari shprehet se është krenar që përfaqëson KS Alpin, klub që 16 vite është më i suksesshmi dhe beson e shpreson se edhe për një kohë të gjatë do të jenë sundues! A mendoni se stinori i ri do të jetë edhe më i mirë me cilësi? “Po, mbase ka hyrë në fuqi ligji i ri për sport. Kështu që, edhe presim subvencione për klubin më të madh në Kosovë, KS Alpi”, thotë skiatori pejan. Ai shpreson se rivaliteti do të jetë i madh, sepse parashikon një konkurrencë me të denjë se në vitet e kaluara. “Normalisht se rivaliteti është i madh, por titullin nuk e lëmë larg familjes sonë”, shprehet optimist skiatori.  Sipas tij, po vjen një gjeneratë e mirë e skiatorëve: “Konkurrenca e madhe e ngritë edhe cilësinë. Pa konkurrencë nuk ka shije edhe gara. Kur është rivaliteti i madh kemi edhe cilësi.  Nuk do të kisha mundur t’i theksoja me emra, por është më së e sigurt se gjeneratat e reja janë shumë të mira. Konkurrent e kemi Arbi Pupovcin i cili është junior i ri dhe prej tij priten rezultate të mëdha për skitarin e Kosovës. Jo vetëm ai, por shpresojmë se do të kemi edhe shumë talent tjerë të këtij sporti në të ardhmen”, tha Pupovci, duke shprehur brengën e mungesës së borës. “Për momentin bëj vetëm ushtrime të thata, këtë javë pritet të fillojmë përgatitjet në Bansko të Bullgarisë dhe me vetë financim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat