Befasi të mëdha, Guay fitoi medalje të artë!

Skijim

Befasi të mëdha, Guay fitoi medalje të artë!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 8 shkurt 2017 Në ora: 14:59
Erik Guay

Kampionati Botëror në ski solli befasinë e radhës. Pas befasisë së madhe që ndodhi të martën në konkurrencën e femrave, kur triumfoi austriakja Nicole Schmidhofer në disiplinën e supersllallomit të madh, senzacioni tjetër është te meshkujt, ku dy kanadezë ngjiten në podium, njëri fitoi medaljen e artë dhe tjetri të bronztën. Në një atmosferë brilante në Qendrën e mirënjohur St. Morritz, kanadezi Erik Guay, fitoi medaljen artë në supersllallomin e madh. Ai bëri paraqitje fantastike madje pati kohën më të mirë për 45 qindtat se vendi i dytë, norvegjezi Kjetil Jansrud. Erik Guay zuri vendin e parë me kohë të kaluar për 1:25.38 minuta, duke e fituar medaljen e dytë të tij në karrierë, pasi të parën të artë e ka fituar para gjashtë vjetësh në lëshim pikërisht në vitin 2011 në Garmisch. 35-vjeçari tregoi formë të jashtëzakonshme dhe arriti sukses të madh, pasi pak kush e kishte parashikuar se ai do të fitojë supersllallomin e madh.  

Kjetil Jansrud fitoi medaljen e argjendtë, duke pasur kohën për 6 qindtat më të mirë se pozita e tretë, kanadezi Manuel Osborne-Paradis. Kanadezi Osborne-Paradis befasoi të gjithë, duke fituar medaljen e bronztë i cili ka pasur kohën më të shpejtë se norvegjezi Aleksander Aamodt Kilde. Skiatori Kilde ka qenë i pafat, për faktin se për tre qindtat e sekondës mbeti larg medaljes. Francezi Alexis Pinturault nuk tregoi paraqitje të mirë dhe ngeci për 90 qindtat se Guay. Ndërkaq, skiatorët zviceran nuk e patën ditën e tyre. Carlo Janka nga Zvicra zuri vendin e 8-të me kohë më të dobët për 99 qindtat e sekondës përkatësisht bashkëkombësi i tij Beat Feuz u rendit i 12-ti për një sekondë e 13-qindtat më të dobët se fituesi i kësaj gare. Hannes Reichelt nga Austria u rendit në vend të dhjetë me dhjetë qindtat e kohës më të dobët se Janka.

Rezultatet

1. Erik Guay (Kanada)  1:25.38

2. Kjetil Jansrud (Norvegjia) 0.45

3. Manuel Osborne-Paradis (Kanada)     0.51

4. Aleksander Aamodt Kilde (Norvegjia) 0.54

5. Vincent Kriechmayr (Austria)     0.88

6. Alexis Pinturault (Franca) 0.90

7. Andreas Sander (Gjermania)      0.97

8. Carlo Janka (Zvicra) 0.99

9. Dominik Paris (Italia)        1.02

10. Hannes Reichelt (Austria)         1.09

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat