Trafikim me njerëz për prostitucion dhe kërkim lëmoshë

Sociale

Trafikim me njerëz për prostitucion dhe kërkim lëmoshë

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 16:39
Foto ilustruese

Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë një sfidë për institucionet e Kosovës. Autoritetet e rendit në Kosovë raportojnë se gratë që shfrytëzohen për prostitucion dhe fëmijët që detyrohen të punojnë, janë dy profilet më të shfrytëzuara. Sipas tyre, gjatë një viti, raportohen më shumë se 30 viktima të trafikimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se në nëntëmujorin e këtij viti, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka ngritur kallëzim penal në prokuroritë përkatëse për 16 raste të trafikimit me njerëz.

"Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore, vërehet një rënie e lehtë e rasteve të trafikimit me njerëz. Numri i personave të arrestuar për trafikim me qenie njerëzore është 31, ndërsa numri i viktimave zyrtarisht të identifikuara është 22. Njëra nga format më të shpeshta apo më të theksuara të shfrytëzimit të viktimave të trafikimit, është ajo e shfrytëzimit seksual, e në disa raste edhe kërkim-lëmosha dhe puna e detyruar", bëri të ditur Hoxha.

Tutje, zëdhënësi Hoxha tha po ashtu se kategoria më e prekur që lidhet me trafikimin, janë femrat e moshës së re, duke përfshire edhe raste kur viktimat janë edhe fëmijë.

Trafikimi me njerëz që konsiderohet si dukuri kriminale e ndërlidhur me krimin e organizuar trans-kufitar, ka shtyrë autoritetet e rendit që të nënshkruajnë marrëveshje të shumta me shtetet e rajonit e më gjerë.

Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje ka nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale në angazhimin për parandalimin e kësaj dukurie. Po ashtu, Policia e Kosovës në kuadër të vlerësimeve strategjike, të rreziqeve dhe kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe krimet e rënda, ka radhitur dukurinë e trafikimit me njerëz si një nga kërcënimet kryesore.

Sipas vlerësimeve nga autoritet e sigurisë, faktorët kryesorë që nxisin trafikimin, janë gjendja socio-ekonomike, mungesa e kujdesit prindëror e familjar, në veçanti ndaj fëmijëve, si dhe braktisja e shkollimit.

Me rastin e shënimit të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe fillimit të fushatës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokurori Besim Kelmendi, deklaroi se prokuroritë e Kosovës kanë goditur fuqishëm grupet kriminale të trafikuesve.

"Institucioni i Prokurorit të Shtetit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ka zgjidhur 25 raste, me 72 persona. Zyra për mbrojtjen e viktimave ka ofruar mbështetje dhe asistencë për të gjitha rastet e trafikimit me qenie njerëzore, pra për viktimat e kësaj dukurie duke përfshirë këtu edhe 437 raste të dhunës në familje. Prokurori i Shtetit ka arritur një bashkëpunim të mirë rajonal dhe ndërkombëtar sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore dhe jemi pjesë e hartimit të indikatorëve për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe procedurave standarde të veprimit lidhur me këtë bashkëpunim", theksoi Kelmendi.

Prokurori Kelmendi megjithatë tha se Prokuroria e Shtetit nuk është e kënaqur me politikën ndëshkimore dhe shtoi se sfidë më vete vazhdon të jetë ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në raste e trafikimit.

"Sfidë tjetër për Prokurorinë e Shtetit është ndjekja dhe ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, sepse zyrtarët duhet të jenë shembulli më i mirë për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, e jo pjesë e këtij krimi", tha Kelmendi.

Nga ana tjetër, drejtoresha e organizatës “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve-Kosovë”, Valbona Çitaku, tha për Radion e Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për parandalimin e kësaj dukurie.

"Duhet të punohet më shumë në fushën e parandalimit për arsye se më lehtë është të punosh në parandalim, sesa më pas në mbrojtjen dhe ri-integrimin afatgjatë që është një proces mjaft i gjatë dhe i kushtueshëm. Po ashtu, është mjaft me rëndësi që të kemi shërbime të qëndrueshme, pasi që organizatat joqeveritare varen nga donatorët", tha Çitaku.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova duhet të punojë më shumë për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me njerëz. Sipas tij, duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi.

"Sa i përket Kosovës, parandalimi i këtij lloj krimi specifik duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni në fuqi", ka thënë Haradinaj në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kurse, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore që është publikuar në muajin qershor, pati thënë se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat