Dashuri deri në fund/ Çifti shkodran ndërron jetë në një kohë, pas 60 vitesh martesë…

Sociale

Dashuri deri në fund/ Çifti shkodran ndërron jetë në një kohë, pas 60 vitesh martesë…

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 12:41
Jolanda e Ndoc Gurashi

Ky shkurt i brishtë Shkodrën e le me një romancë më pak…Dhe jo me një romancë dosido, por një të pak ngjashme, me një prej atyre dashnive që kokën ta mbush me pikëpyetje për jetën tënde dhe bën që “ajo të të fusë ujë” nga “vrimat” e përditshmërisë, pakënaqësive, mërive e dyshimit.

Përballë Kafës së Madhe (më në fund të rikonstruksion), kanë qenë gjithmonë të afishura njoftimet e vdekjes. Ishin edhe dje, më 17 shkurt 2018. Përbri njëri-tjetrit, si në jetë ashtu dhe në vdekje, ishin dhe Jolanda e Ndoc Gurashi. Çifti i pazakontë xhiron e fundit në Piacë, po e banin po krah për krahu në formë njoftimi.

“Paaahhhh paska vdek piktori?! U qyre edhe e shoqja?! Po ça kanë pasë more?!”

Dhe përballë këtyre dy njoftimeve askush nuk i bën llogaritë më moshën, ajo 82 dhe ai 95, por të gjithë i bëjnë me dashninë e tyre. I gjithë qyteti këtë çift që nuk pati kurrë fëmijë, por mjaftueshmërisht patën dashninë për njëri-tjetrin i mban mend gjithmonë përdore.

Kur hapat e shpejtë filluan me u ngadalsue prej moshës, atëherë duart e tyre shtrëngoheshin ma fort dhe kokat e bardha afroheshin mes vedi. Në xhiron e Shkodrës gjithkujt i bënte zili dashnia e tyre dhe pak kush, sidomos të rinjtë e çdo brezi, mund të mos e ketë pyetë veten sa herë i shikonte: “A thua edhe unë do të kem fatin me u plak kështu, me gjithë këtë dashni pranë? Ça duhet me ba me e pas një fat të tillë?! A ka një formulë”

Jolanda dhe Ndoc Gurashi, prej 60 vitesh ishin një model dashnie në qytetin e dashnisë. Prej 60 vitesh, ata ishin parë gjithmonë e gjithkund së bashku, herë përdore e herë përkrahu.

Axha Ndoc, siç e thërriste gjithë qyteti, kishte arritur ta kthente në kult dashninë për gruan e tij, e ajo në idhull burrin e saj.

Për herë të fundit kur i pashë në një paradite me diell në Pedonale, dikush i përshëndeti me ëmbëlsi:

“Si je zotni Ndoc, i fortë? Zonja?” E zotni Ndoci, si një burrë e një race tjetër,  pa asnjë qasje në këtë kohë aspak kavalierash, kthehet e shikon gruan e vet, i pangopur akoma me të edhe pas 60 vitesh dhe përgjigjen e kthen veç me sy. E tjetri e merr vesh përgjigjen veç prej dritës së atyre syve: Zonja është akoma për të trëndafili më i bukur!

Jolanda Gurashi ndërroi jetë ditën e Dashurisë. Me 14 shkurt të këtij vitit ajo mbylli sytë përgjithmonë dhe me datë 15 e përcollën për në banesën e fundit. Axha Ndoc, veç dy ditë ia doli me marrë frymë pa dashninë e jetës së tij. Me 17 shkurt mbylli sytë edhe ai. Ishte ditë e ngrohtë me diell, ditë e bukur fort për të vdekur dhe më e bukur akoma për tu ritakuar me dashninë pakushte të një jete të tërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat