Një jetë pa çati, çifti i të moshuarve që jeton në vetmi e mjerim

Sociale

Një jetë pa çati, çifti i të moshuarve që jeton në vetmi e mjerim

Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 19:10
Gjini

Jeta ka qenë e pamëshirshme me një çift nga fshati Mollas i Belshit. 

Përpjekjet për të lindur një fëmijë kanë çuar në pasoja të rënda shëndetësore si pasojë e ndërhyrjes së mjekëve, ndërsa varfëria ka pllakosur shtëpinë, që ata nuk mundën kurrë ta përfundojnë.

Pak metra nga qendra e fshatit Mollas, mes shumë shtëpive që janë ndërtuar rishtasi, jeton prej 30 vitesh edhe çifti Gjini. Që nga jashtë shtëpia e tyre mund të duket se ka mbetur peng i kohës. Por për ta është më shumë se e papërfunduar. Ajo është shtëpia e mbetur përgjysmë për fëmijën e munguar. Ndërkohë që në katin e parë, ku banojnë dy të moshuarit varfëria është e gjithëpushtetshme.

Feriti tregon se jetesa pa një çati mbi kokë është fat që e përndjek prej kohësh, pasi kohë më parë zjarri i mori gjithçka kishin duke i lënë sot në këto kushte, brenda një dhome të pushtuar nga lagështira, pa ngrohje dhe vetëm me disa orendi shtëpiake jashtë çdo funksioni.

Megjithatë drama e tyre nuk është vetëm kjo shtëpi, por edhe gjendja e rënduar shëndetësore, ndikuar më tepër edhe nga shtëpia pa kushte.

“Vuaj nga reumatizma, nga tensioni, e gjitha jam e sëmurë.”

Feriti Gjini: “Kemi 20 vjet nga njëri spital tek tjetri. Unë kam 3 operacione, vuaj edhe nga mushëkritë prej lagështirës në shtëpi”.

Të ardhurat e vetme ekonomike me të cilat sigurojnë jetesën janë pensionet mujore, gjysma e të cilave shkon për blerjen e ilaçeve.

Ferit Gjini: “80 mijë lek na shkojnë vetëm me ilaçe sepse mua më janë shtuar sëmundjet pas operacioneve”.

Pavarësisht se shpesh kanë shtrirë duart për ndihmë, e vetmja përgjigje që kanë marrë janë këto tjegulla, të cilat kanë mbetur stivë në oborrin e shtëpisë për shkak se nuk kanë një çati ku t’i vendosin.

Ferit Gjini: “Shpresat i kemi humbur. Duam vetëm një dhomë të ikim nga lagështira, që të mos vdesim para kohe. Ishalla zoti na ndihmon”.

Tashmë në zgjimin e çdo mëngjesi e vetmja shpresë, që u ka mbetur është lutja drejt qiellit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat