Robert Budina rrëfen për BBC-në: Udhëtimi im në kërkim të lirisë

Speciale

Robert Budina rrëfen për BBC-në: Udhëtimi im në kërkim të lirisë

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 11:58
Emigrantë në anijen "Vlora" (8 gusht 1991)

Robert Budina emigroi me anijen e famshme “Vlora” më 1991. Sot, pas 25 vitesh ai u rikthehet atyre kujtimeve në një dokumentar të realizuar nga “BBC”-i, i cili u dedikohet emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. “Ajo ishte dita e shpresës. Ishte një ëndërr për liri. Të gjithë po brohorisnin mes lotësh, duke thirrur: Itali! Itali!”, kështu e nis rrëfimin e tij regjisori shqiptar. Teksa, rikthehet pas tregon se Shqipëria kishte qenë një vend i mbyllur për shkak të komunizmit, pothuajse për 50 vjet dhe njerëzit donin të largoheshin për shkak të varfërisë.

“Në vitin 1991 ekonomia dështoi plotësisht në Shqipëri dhe ne nuk kishim alternativa. Mënyra e vetme që ne të gjenim lirinë tonë ishte të largoheshim nga Shqipëria, dhe Italia për ne ishte simboli i lirisë”. Udhëtimin me anijen “Vlora” nga porti i Durrësit e kujton në mënyrë të përpiktë, pavarësisht viteve që kanë kaluar. “Ne u larguam nga Shqipëria nga porti Durrësit në 8 gusht 1991. Ishte ora 14.00 e pasdites, dhe me siguri brenda në anije duhet të kenë qenë rreth 20 000-25 000 njerëz. Ne mbërritëm në portin e Barit, në Itali në orën 11”, duke shtuar më tej, se çuditërisht njerëzit që ndodheshin në atë anije kishin brenda vetes bindjen se ata do t’i pranonin. “Ata na çuan ne, rreth 25 000 njerëz në hapësira shumë të ngushta dhe unë u asfiksova, nuk mund të merrja frymë. Ishte diçka e tmerrshme, një makth i vërtetë!”. Plani i policisë italiane ishte që t’i zhvendoste në stadium për shkak të hapësirës së madhe. Mirëpo që të shpërndash ushqim për rreth 25 000 persona duhen së paku 5 orë. Ishte thuajse e pamundur për autoritetet italiane të menaxhonin këtë situatë kaq të vështirë, dhe pikërisht në këto momente ata, sipas Budinës, emigrantët filluan të grindeshin me njëri-tjetrin, sepse aty mungonin autoritetet vendase dhe ata ishin vetëm.

“Ishim një grup shoqëror pa trysninë e rregullave dhe në momente të tilla çdokujt i duhej të luftonte për veten e tij. Kam qëndruar në stadium për 8 ditë me radhë. Dhe gjatë këtyre 8 ditëve një pjesë e madhe njerëzish vendosi të kthehej pas në Shqipëri. Unë dhe disa miq të mi vendosëm të qëndronim, por na duhej të gjenim një mënyrë për t’u larguar nga stadiumi”. Ai shton se është përpjekur pothuajse 4 apo 5 herë, mirëpo tre herë e kapi po i njëjti polic. “Madje herën e tretë unë iu drejtova atij, duke i thënë pse je duke më ndaluar që dhe unë të gjej lirinë time, përse?! Babai im është duke vdekur në Shqipëri, më duhet të punoj që t’u dërgoj disa para atyre, sepse ne jemi të varfër. Duke më ndaluar mua, nuk po më vret vetëm mua, por edhe familjen time”. Dhe atëherë polici italian nisi të qajë, madje i kërkoi edhe të falur duke i thënë: “Më vjen shumë keq, më vjen shumë keq, por çfarë und të bëj unë për ty tani që ti të mund t’ia mbathësh?”.

Dhe Budina i kërkoi vetëm që ta lejonte të largohej. “Jo thjesht më lerë, dhe unë do ta gjej vetë mënyrën për t’u larguar. Pas kësaj unë qëndrova në Bari për rreth 1 vit dhe mblodha disa lekë, të cilat vendosa të vija dhe t’i investoja në Shqipëri”, thotë Budina, duke shtuar se i duhet të punojë në Shqipëri, sepse është vendi i tij. “Është një vend shumë i bukur, dhe njerëzit që dëshirojnë të bëjnë diçka për këtë vend, duhet të qëndrojnë këtu dhe jo të largohen jashtë vendit”, përfundon rrëfimin regjisori. Robert Budina (1964) prej vitesh ka rindërtuar jetën këtu me projekte në teatër e në kinema.  Disa nga filmat që ai ka realizuar janë: “Agoni”, “Luleborë” 2005 dhe “Spiderman 5”. Aktualisht është duke punuar për një film të ri me metrazh të gjatë.


Rastet për anijen “Vlora”

Nuk është hera e parë, që realizohen dokumentarë për eksodet e emigrantëve shqiptarë.

-“La Nave dolce” (Anija e ëmbël) i Daniele Vicarit tregon historinë e anijes “Vlora”, e cila më 8 gusht 1991 zbarkoi në portin e Barit 20 mijë shqiptarë që kërkonin një jetë tjetër pas rënies së regjimit komunist. “La nave dolce” u vlerësua nga SNGCI (Sindikata Kombëtare e Kritikëve Italianë të Filmit) si dokumentari më i mirë i edicionit të 69-të në Festivalin e Venecias. Me çmimin që mban emrin “Francesco Pasinetti 2012”. Vicari e pagëzoi dokumentarin me titullin “Anija e ëmbël” për të shprehur nëpërmjet kësaj metafore përfytyrimin apo iluzionin që shqiptarët kishin për Italinë dhe ngaqë anija “Vlora” transportonte sheqer. Më 7 gusht 1991, “Vlora” kthehej nga Kuba në portin e Durrësit e do të nisej të nesërmen drejt Italisë. Turma që tejmbushi shumë shpejt çdo cep të anijes, brenda e jashtë, e detyroi komandantin të nisej ashtu pa ujë në bord.

-Një tjetër regjisor italian, Gianni Amelio, përpara Daniele Vicarit, shkonte në Venecia më 1994 me filmin artistik “L’America”, që në fokus kishte sërish eksodin në masë të Shqiptarëve në vitin 1991, por nga vendi i nisjes. Me protagonistë Michele Placido dhe Enrico Lo Verso.

-Gjithashtu dhe regjisori Roland Sejko ka realizuar dokumentarin “La nave” për eksodin e shqiptarëve kundrejt brigjeve të Italisë, në 13 mars 1991.
 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat